Tiranë, 27 gusht 2011, NOA- Masat ajrore të ngrohta dhe të lagështa me origjinë oqeanike kanë përfshirë të gjithë Shqipërinë duke kushtëzuar në disa zona mot të paqëndrueshëm. Për pasojë ultësira perëndimore dhe zona bregdetare janë dominuar nga kthjellime dhe vranësira ndërsa zonat malore Lindore kanë patur vranësira dhe shira të dobët që në orët e para të mëngjesit.
Sipas MeteoALB, edhe pasditja do të vijojë me mot të paqëndrueshëm ku kthjellimet do të jenë dominuese në pjesën më të madhe të vendit por gjatë gjithë pasdites të pranishme do të jenë vranësirat dhe sërish në verilindje dhe juglindje do të ketë shira të dobët dhe afat-shkurtër. Parashikohet që në këto kushte të paqëndrueshme të mbetemi edhe gjatë natës.
Temperaturat e ajrit kanë pësuar rënie me 2 gradë si në vlerat minimale dhe në ato maksimale.
Era do të fryjë me shpejtësi 25 km/h dhe drejtim Jugperëndimor ndërsa dallgëzimi në brigjet e Adriatikut dhe Jonit do të jetë 2 ballë.
Europa
Sot, Europa verilindore, Ishujt Britanike si edhe një pjesë e Lindjes së kontinentit do të dominohen nga vranësira dhe shira me intensitet të lartë. Më problematike situata do të jetë në Francë, Gjermani dhe Britani ku shirat do të bien me intensitet të lartë në një kohë të shkurtër. Gjithashtu me vranësira dhe shira të dendur do të mbeten vendet nordike dhe vendet e Balltikut, sidomos Suedia e cila do të marrë sasi të mëdha reshjesh. Ndërsa me mot të kthjellët do të jetë e gjithë Europa jugore.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Franca dhe Gjermania rrezikohen nga stuhi të forta ere dhe shira
- Suedia do të mbetet me shira të dendur dhe stuhi ere
- Mesdheu alarmon temperatura ekstremisht të larta
a.y/NOA