Tiranë, 27 gusht 2011, NOA- Aksioni i Policisë Bashkiake për prishjen e ndërtesave pa leje vijon sërish, ku sot u përqendrua në zonën e Saukut.
Ky fakt u komunikua nga Drejtori i Policisë Bashkiake Florenc Hoxha i cili tha se, Policia Bashkiake, në bashkëpunim me Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik të Tiranës, nisi sot prishjen e disa shtesave pa leje, në zonën e Saukut.
Sipas tij, më herët Policia Bashkiake pasi ka konstatuar ndërtimet pa leje, ka bërë bllokimin e tyre, ka dorëzuar akt-kontrollin dhe ka njoftuar subjektin përkatës.
Ndërkaq Hoxha tha se, aksionet po vijojnë me ritëm të shtuar në të gjithë territorin e kryeqytetit.
“Policia Bashkiake dhe Inspektorati Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës ka nisur aksionet për prishjen e disa objekteve pa leje në zonën e Saukut, e njohur për këtë problematikë. Ne po vijojmë me kohë të plotë duke punuar edhe gjatë fundjavave”, u shpreh për mediat Drejtori i Policisë Bashkiake.
Në përfundim Hoxha tha se janë evidentuar mbi 200 ndërtime pa leje në kryeqytet, për të cilat është kërkuar bllokimi i tyre, ndërsa deri më sot janë ndërmarrë aksione për prishjen të mbi 20 ndërtimeve të jashtëligjshme.
Prej disa javësh Policia Bashkiake ka nisur aksionin për evidentimin dhe prishjen e ndërtimeve pa leje, me synim çlirimin e kryeqytetit nga betonizimi pa kriter dhe ndërtimin e tyre pa respektuar ligjin.
a.y/NOA