English

SHBA, 65 milionë njerëz në pritje të uraganit Irene

SHBA, 27 gusht, NOA - Në Nju Jork është bërë paralajmërimi për stuhinë, ndërkohë që zona verilindore e Shteteve të Bashkuara përgatitet për atë që Presidenti Obama e ka quajtur “jashtëzakonisht të rrezikshme dhe të kushtueshme”.

Parashikuesit e motit thonë se stuhia që pritet të godasë brigjet e Shteteve të Bashkuara sot, mund të shkaktojë përmbytje të mëdha, ndërprerjen e energjisë elektrike dhe miliarda dollarë dëme.

Rreth 65 milionë amerikanë banojnë në zonën që pritet të preket nga uragani Irene, por shumë prej tyre janë evakuar.

Nju Jork, kryetari i Bashkisë, Majkëll Blumberg ka dhënë urdhër për evakuimin e parë të detyruar të qytetit. Rreth 250 mijë banorë janë urdhëruar të largohen nga shtëpitë e tyre në zonat e ulta, përfshirë distriktin financiar, Uoll Stritin. Po ashtu për herë të parë, i gjithë sistemi publik i transportit të qytetit, përfshirë metronë dhe linjat e abutobuzëve do të jenë sot jashtë funksionimit.

Presidenti Obama tha dje se sipas të gjithë treguesve, uragani Irene mund të jetë një stuhi “historike”. Ai tha se vendi duhet të përgatitet për “më të keqen” dhe u bëri thirrje të gjithë banorëve në zonat ku është dhënë urdhri për evakuim, të zbatojnë urdhrin. Uragani e detyroi presidentin të kthehet nga pushimet Masaçusets një ditë më parë.

Guvernatorët e shteteve nga Karolina e Veriut deri në Mein kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për të përballuar të gjitha nevojat e mundshme para goditjes së këtyre shteteve nga uragani, i cili pritet të godasë sot brigjet e Kartolinës së Veriut.

Qendra Kombëtare e Uraganeve thotë se shpejtësia e erërave të stuhisë është tani 160 kilometra në orë, por pritet të bjerë ndërkohë që shkon drejt veriut.

A.k/NOA

KOMENTE