Tiranë, 27 gusht 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Termi “xhaketat e vjetra”, i cili e kristalizoi Ramën në krye të PS-së, nuk i ka shpëtuar diplomacisë amerikane.
Është sërish Wikiliks, i cili, në dokumentat e publikuara për Shqipërinë ka zbardhur edhe raportimin e ambasadorit të atëhershëm Uidhërs, lidhur me “spastrimet” që Rama kish nisur prej kohësh në PS.
Bëhet fjalë për festimin e 16 vjetorit të krijimit të FRESH (15 janar 2008), ku ambasada amerikane në Tiranë i raporton Uashingtonit performancën e Ramës, në takimin e posaçëm me të rinjtë. Raporti mban titullin: Ku janë fytyrat e reja?
Në raportim, ambasadori Uidhërs, i cili nuk ka bërë komente, nënvizon si populist dhe poetik fjalimin e Ramës: "Unë nuk jam politikan! Unë dua të them këtë me zë të lartë dhe të drejtpërdrejtë. Unë jam një qytetar”.
“Pavarësisht nga ky fjalim i punuar mirë, Rama fillimisht u përlesh me FRESH, duke “spastruar” kryetarin e dikurshëm dhe duke e zëvendësuar atë me një të panjohur të afërm”, shkruan Uidhërs në raportimin e tij.
Ambasadori i atëhershëm bën edhe një përmbledhje të marrëdhënieve brenda PS lidhur më këtë çështje duke nënvizuar se, shumë brenda PS-së e akuzojnë Ramën se e ka shndërruar FRESH-in në një OJQ pa rëndësi.
“Për shkak ndryshimeve të tij, kjo strukturë ka humbur aftësinë për të ushqyer partinë me lider të ardhshëm”, përfundon raportimi i diplomacisë amerikane në Tiranë në janar të vitit 2008.
a.q/NOA