Prishtinë, 28 gusht 2011, NOA- Kryetari i komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka thënë gjatë një takimi të dielën me shefin e diplomacisë së Turqisë, Ahmet Davutogllu, se
komuna e Prishtinës është duke punuar në ofrimin e kushteve sa më të mira për komunitetin turk që jeton në kryeqytet.
Zyra e informacionit të Komunës së Prishtinës përmes një komunikate bën të ditur se në këtë takim, është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Prishtinës dhe Ankarasë si dy kryeqytete, si dhe për zhvillimin ekonomik në mes të dy shteteve.
Pasi i dëshiroi mirëseardhje ministrit Davutogllu, kryetari Mustafa ka shprehur falënderimet më të sinqerta për përkrahjen e plotë të shtetit turk dhënë Kosovës.
“Qytetarët e Kosovës janë të ndërgjegjshëm dhe mirënjohës për ndihmën që Republika e Turqisë i ka dhënë Kosovës, dhe vazhdojmë ta kemi edhe më tej përkrahjen e shtetit tuaj”, u shpreh Mustafa.
Ministri Davutogllu ndërkaq tha se është mirënjohës për ruajtjen e vlerave historike në kryeqytet si dhe në qytetet tjera të Kosovës.
“U jemi mirënjohës për angazhimin e juaj në ruajtjen e vlerave historike dhe trashëgimisë kulturore në kryeqytet, pavarësisht regjimeve. Është e vërtetë që kryeqyteti po zhvillohet, gjithnjë duke i ruajtur vlerat e saj historike për të cilën Turqia gjithmonë është e gatshme të ndihmojë”, ka thënë Davutogllu.
Kurse zëvendës kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës Engin Bejoglu, e informoi ministrin Davutogllu për zhvillimin e arsimit në gjuhën turke në kryeqytet, si dhe angazhimin e drejtorive përkatëse të komunës në integrimin e komunitetit turk edhe në fushat tjera.
Kryetari Mustafa gjithashtu e njoftoi shefin e diplomacisë turke se komuna e Prishtinës është angazhuar në gjetjen e një lokacioni të përshtatshëm, për ndërtimin e ambasadës së Turqisë në Prishtinë.
Ndryshe, pas takimit kryetari Mustafa dhe ministri Davotgllu nuk kanë dhënë prononcime për media.
Ministri Davotgllu sot përfundon vizitën treditore në Kosovë gjatë së cilës ka pasur takime me zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, si dhe ka vizituar Tyrben e Sulltan Muratit, Mamushën dhe Prizrenin.
B.Sot/NOA