INTERVISTË e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, flet për gjendjen e sotme të demokracisë në vend dhe e përcakton si llumokraci. Rama përcakton si dilemë publike jo çështjen: “.. kush vjen nesër në qeveri, por kush duhet të largohet nga qeveria”. “Kjo nuk është një demokraci që lejon rrotacionin përmes votës, po një llumokraci ... Kjo s’është beteja e një partie me një tjetër, po e një populli të marrë peng...”, - vlerëson z.Rama.
Ndërsa i sugjeron një qëndrim të ri politik Presidentit Bamir Topi, shprehet për zgjedhjet e reja presidenciale në vend si dhe për kërkesën e opozitës për ndryshimet kushtetuese. Për kreun e PS, kundërshtari politik i tij, kryeministri Berisha “...po e kërkon damkën e historisë siç kërkon një kumarxhi shkatërrimin në derën e kazinosë duke futur në dorën e fundit shtëpinë megjithë familjen”.
Lexoni më poshtë të plotë, intervistën që z.Rama i dha gazetës “Shqip”:
Pyetja e parë dhe e shpeshpërmendur këtyre ditëve, në mjedisin publik shqiptar, është: Çdo të bëjë opozita dhe cili do të jetë kursi i kreut të saj Edi Rama?
Ndjesë po pyetja e parë sot, mot, gjithnjë, në një vend që pretendon të mirëqeveriset, nuk është ç’do bëjë opozita, po ç’bën qeveria dhe ç’duhet bërë me qeverinë që s’bën(?). Më pas vjen opozita e padyshim edhe opozita e shtron këtë pyetje dhe bën e do bëjë sa mundet. Mirëpo në thelb, sipas meje, kriza që po bren gjithnjë e më shumë Shqipërinë, s’ka gjasë të zgjidhet nëse s’kuptohet nga të gjithë ata që shqetësohen prej kursit antidemokratik të qeverisë se sot s’ka më asnjë vend mënjanë, asnjë boshllëk për të luajtur rolin e të tretit të vërtetit duke mos u përzier drejtëpërdrejt në betejë, asnjë mundësi që teksa Saliu gllabëron copa Shqipërie, duke shkelur pa gajle liri e të drejta kudo ku shkel, kushdoqoftë që s’e pëlqen opozitën, për çfarëdo arsyeje pastë e sado të drejtë e pastë, të ngushëllohet në këndin e paanshmërisë së tij duke i’a lënë fajin opozitës për frymën që i merret në atë kënd. Sa për kursin e ri të opozitës është i shpallur, ne i fituam zgjedhjet e 8 majit si rezistencë opozitare, zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojmë si alternativë qeverisëse, me gjithshka kemi në zemër, në mend e në dorë. Kujt nga ata, që ju i përmblidhni në termin mjedis publik shqiptar e që me të drejtën e vet legjitime, s’i pëlqen qasja e opozitës, fjalët e aksionet e saj, le ta bëjë opozitën sipas mënyrës së vet, pa harruar për asnjë çast që sot problemi i Shqipërisë s’është opozita po qeveria. Kështu pasurohet, në mendimin tim modest, edhe opozitarizmi, që është shumë më i gjerë sesa opozita zyrtare, ajo e partive, e cila s’mund të ezaurojë dot jo këtu, në errësirën e këtij vendi me demokraci të stërkufizuar, po askund, as nën dritën e demokracive më të mëdha, të gjitha ekzigjencat e kundërshtisë qytetare ndaj qeverisë. Ndërsa bërja me vend e pa vend e opozitës së opozitës, nga ca lartësira superioriteti moral mbi palët, që disa i’a japin vetes për të fjetur të qetë pasi bëjnë gjykatësin e paanshëm në kushtet kur në Shqipëri pala në pushtet vret, vjedh, gënjen përditë zi e më zi, është si ajo puna pa dobi e priftërinjve që merreshin me seksin e ëngjëjve teksa po binin muret e Konstandinopojës.
Në gati tre vjet opozitarizëm ju keni preferuar mjetin e bojkotit dhe gjysëm-bojkotin parlamentar. Sa ekziston mundësia që në sesionin e ri parlamentar të kemi sërish një marrëdhënie të tillë të opozitës më parlamentin?
Jo, s’janë tre po dy vitet e këtij parlamenti dhe bojkoti ka zgjatur vetëm gjashtë muaj, për një qëllim të arritur në fund të bojkotit, që ishte vendosja e çështjes së krizës së zgjedhjeve në tryezën e punëve të Shqipërisë këtu e kudo në botë ku ka një zyrë që merret me vendin tonë. Ndërsa gjysëm-bojkoti s’e di se ç’është, po nëse i referoni faktit që ne kemi refuzuar të votojmë duke qenë të pranishëm në Kuvend, kjo lidhet me burimin e pistë të mandatit të shumicës së sotme për të qeverisur Shqipërinë, qasje që përsëri ka dhënë rezultatin e vet në drejtim të rritjes së ndjeshmërisë së përgjithshme për çështjen madhore të zgjedhjeve. Të gjithë sot e dinë, në Shqipëri e në botë, se ky vend s’ka zgjedhje normale, po zgjedhje të cungëta që s’i përmbushin standartet ndërkombëtare. Dhe s’ka dyshim se kapakun kësaj historie të shëmtuar, që ne e bëmë publike me sakrifica e kosto jo të vogla për ne vetë në dy vjet, e vuri farsa e madhe e Tiranës në KQZ e Kolegjin Zgjedhor. E cila është raportuar besnikërisht nga arbitri ndërkombëtar, misioni i ODHIR-it me shefin e tij të admirueshëm Jonathan Stonestreet. Sot vetëm kush s’do të shohë e të dëgjojë, nuk pranon t’i drejtojë Saliut gishtin që tregon fajtorin.
Në një lloj këndvështrimi,kundërshtarët dhe skeptikët tuaj njëkohësisht, ju cilësojnë si kryeopozitar i betejave të forta, por i rezultateve të pasuksesshme. Si shembull marrin bilancin e zgjedhjeve të fundit nga 2009 deri në ato të 8 majit. A mund t’u shtohet këtyre bilanceve edhe zgjedhja e presidentit në 2012?
Unë nuk jam në krye të një lëvizjeje të armatosur, po kam nderin e madh të udhëheq një parti politike që pas vitit 2005 ka rimarrë kuotën më të lartë në spektrin politik shqiptar dhe vetëm është ngjitur, duke u afirmuar dy herë si partia më e madhe e shqiptare dhe fituar të dyja herët zgjedhjet, edhe në vitin 2009 edhe në vitin 2011. Në 2009-ën ne fituam me votë, po mbetëm në opozitë për shkak të vjedhjes së votës dhe për dy vjet bëmë gjithçka mundëm, deri në kufijtë e lejueshëm për ne, pra deri në kufijtë e veprimit të një force politike demokratike që përjashton aksionin e dhunshëm, për të vendosur në themelin e bashkëjetesës politike në Shqipëri zgjedhjet e lira. Në këndvështrimin tim është evidente që dy vjetët e shkuara na shpërblyen me një fitore të madhe në 8 maj, ku e gjithë Shqipëria që paguan taksa e kërkon demokraci funksionale votoi për ne, ndërkohë që ajo që ndodhi në Tiranë pas fitores së 8 majit nuk është një llogari që duhet të na kërkohet ne, po një llogari e hapur mes popullit dhe Saliut. Sepse, e pamohueshme, megjithë manipulimin industrial në kryeqytet, humbësit që sot kanë pushtuar Tiranën, nuk i çoi në bashki rezultati i numërimit të votave, po grabitja e pacipë e mandatit pas numërimit. Ndërsa ushtrimi i dhunës, që ishte e vetmja gjë që s’u përdor prej nesh pas grabitjes ditën për diell, nuk është e s’ka si të jetë në asnjë rast pjesë e vizionit, misionit dhe funksionit tonë. Atë llogari të hapur u takon qytetarëve të mos e harrojnë dhe t’ia kërkojnë deri në një Saliut në zgjedhjet e ardhshme, duke u bërë pjesë aktive e një lëvizjeje popullore për largimin e tij, që do të thotë, më e pakta fare, jo vetëm duhet të votojnë vetë për shporrjen e këtij pushteti anadollak hajdutësh e të paaftësh, po edhe të rrisin akoma më shumë pjesëmarrjen në zgjedhje duke e nxjerrë votën nga çdo derë ku mund të trokasin për ta bërë nul çdo orvatje grabitqare. Sot sipas meje s’është më hiç në pyetje kush vjen nesër në qeveri, po kush duhet të largohet nga qeveria dhe, besoj, këtu për shumicën dërrmuese të shqiptarëve s’ka asnjë ekuivok a dilemë. E nëse ata që vijnë më pas s’janë në lartësinë e pritshmërisë së popullit udha e mbarë u qoftë në shtëpi edhe atyre me një shqelm me votë, ky është ilaçi i demokracisë për të kuruar plagët e keqqeverisjes, të ndryshosh qeverinë pa “por”, pa “prit”, pa “megjithatë”. Kush thotë po prit, se vërtet hajduti që na vodhi dhe na vjedh përditë sy më sy duhet gozhduar, po nesër mund të na dalë një hajdut tjetër prandaj dale të mendohemi njëherë, nuk meriton asgjë më shumë sesa të vidhet e të humbasë gjithshka për shkak të hajdutit që mban në kurriz prej frikërash skllavëruese e ngurrimesh qesharake!
Dy ambasadorë të njohur perëndimorë në Tiranë kanë mbështetur idenë e një Presidenti konsensual, pra që nuk do të zgjidhet me shumicë të thjeshtë. A ka PS-ja një strategji të qartë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit në vitin 2011?
Ne jemi shprehur për nevojën e korrigjimeve kushtetuese. Kemi pranuar se koha tregoi që ndryshimi i bërë në Kushtetutë për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit u dha të drejtë atyre që asokohe na kritikuan për këtë ndryshim. Ashtu sikundër kemi treguar gatishmërinë për të riparë Kushtetutën jo vetëm në sensin e korrigjimeve po edhe të përmirësimeve të saj lidhur me pavarësinë e pushteteve kushtetues e madje më gjerë. Kushtetuta s’është tabu, aq më tepër s’mund të trajtohet si tabu nga ata që dje u futën për të në grevë urie, duke u betuar para popullit se s’do dilnin gjallë po të bëheshin ndryshimet në fjalë, ndërsa sot bëhen mburojë e atyre ndryshimeve duke nxjerrë në barrikadë barkun e fryrë nga të ngrënat e rënda me paratë e popullit. Nga ana tjetër fjala vjen, sot Bashkimi Europian ka hyrë në një debat të ethshëm për vendosjen në kushtetutë të vendeve anëtare të kufirit të borxhit publik, problem ky shumë i mprehtë, madje në rrezik shpërthimi aktualisht për financat e Shqipërisë, po ne ç’duhet të bëjmë në këtë drejtim, të rrimë duke thënë, “Bëje Zot ëndërr këtë kular që po na mblidhet rreth fytit!” apo të veprojmë me largpamësi edhe në perspektivën e integrimit europian?! Thënë këto, në kushtet kur pala tjetër, Saliu, s’do të dëgjojë nga ai vesh, ne jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e çdo debati publik e qytetar, e çdo koalicioni me çdo forcë qytetare ose parti të interesuar për korrigjimet e domosdoshme a përmirësimet e mëtejshme të Kushtetutës. Por pa ia lidhur aspak duart vetes në këtë pikë. Kushtetuta do dy palë dhe palët janë këto që janë, ne s’mund ta ndryshojmë Kushtetutën me pahir nëse pala tjetër kapet pas ndryshimeve të djeshme për të dëmtuar edhe më shumë të ardhmen, qytetarët le të gjykojnë edhe për këtë çështje duke bërë dallimin mes palëve kur të vijë dita të shprehen me votë. Sa për zgjedhjen e Presidentit vitin e ardhshëm ne e presim atë qetësisht në pikëpamje të interesave tona si palë, shqetësimi ynë për mundësinë që Sashenka apo Toma të bëhen presidentë me votat e shumicës së thjeshtë e për më tepër të vjedhur të Saliut, s’lidhet gjëkundi me ndonjë synim a interes ngushtësisht tonin, luftë për pushtet a për bllokim të zgjedhjes së presidentit që të bëjmë zgjedhje të parakohshme siç akuzohemi rëndom, po me interesin mirëfilli kombëtar. Sepse tashmë është e qartë që një president i nxjerrë nga xhepi i Saliut është futja në xhepin e tij e gjithë shtetit, rënia jo vetëm de facto si sot, po edhe de jure, e të gjithë kufijve ndarës mes pushteteve kushtetues dhe mbytja në llumin e oborrit të pushtetit të sotëm e gjithë sistemit kushtetues në Shqipëri. E sistemit të drejtësisë po se po, po pa harruar edhe shërbimin sekret, që Saliu ka treguar më shumë se një herë në këto vite se e ka përvëlim në shpirtin e tij prej bajraktari stalinian. Ndërkohë që shqiptarët s’besoj ta kenë harruar se ç’bëri me atë shërbim kur e drejtonte nga pallati presidencial për të përgjuar e përndjekur këdo, nga bashkëpunëtorët e vet tek kundërshtarët e gazetarët e pabindur.
Aktualisht në PS ka një situatë pritmërie. Shumica e deputetëve kur i pyesim se cili do të jetë qëndrimi i opozitës për sesionin e ri parlamentar, përgjigjen këtë e di kryetari. Çfarë përgjigje mund të na japë kryetari Rama për aksionin, programin dhe sidomos strategjinë e re opozitare në këtë shtator?
Me siguri ju bëni shaka ose s’kuptoni shakanë që ndonjë deputet që keni pyetur ka bërë me ju, sepse strategjinë tonë ne e kemi shpallur publikisht dhe nëse s’e mbani mend e gjeni kollaj në arkivat e gazetës suaj, ndërsa hapat konkretë të jetësimit të strategjisë së shpallur i takojnë kalendarit të punës së çdo muaji. Mos prisni gjithsesi që opozita të nxjerrë ndonjë çelës magjik për të hapur derën e shpëtimit nga qorrsokaku ku po e asfikson përditë Shqipërinë Saliu. Ky çelës nuk ekziston. Ajo derë mund të hapet vetëm me përpjekje të përditshme, bashkim forcash, vullnet të hekurt, pasion të pakushtëzuar e durim të fortë, të të gjithëve pa dallim, qoftë opozita e arenës politike e qoftë opozitarët nën çatinë e shtëpisë së tyre. Parti, organizata, grupe interesi, media, individë që hasin me murin e padrejtësisë qeveritare, duhet të mësyjnë drejt asaj rrugëdaljes. Të gjithë ata që nuk e kuptojnë se s’kanë ç’presin dhe se duke qarë si fëmijët në djep pse opozita s’po u jep qumështin që u mohon qeveria, s’kanë asnjë shans të fitojnë atë që me të drejtë kërkojnë. Sepse kjo nuk është një demokraci që lejon rrotacionin përmes votës, po një llumokraci ku çdo liri dhe e drejtë duhet fituar çdo ditë me përballje në front të gjerë, secili në llogoren e tij, të madhe sa Partia Socialiste apo të vogël sa dera e shtëpisë së vet. Kjo s’është beteja e një partie me një tjetër, po e një populli të marrë peng që duhet ta meritojë atë që padrejtësisht i mohohet në shkelje të Kushtetutës, ligjeve e çdo norme të bashkëjetesës demokratike.
I keni shtuar së fundi komunikimit me publikun edhe atë nëpërmjet publicistikës, ç’ka solli dhe një reagim ironik nga Kryeministri. Është pjesë e kursit të ri opozitar edhe kjo mënyrë komunikimi, apo një preferencë e marrë prej praktikës së ndjekur nga liderë të ndryshëm politikë në Europë?
As njëra as tjetra, thjesht dëshira ime për të shkruar atë që mendoj dhe më falni po, edhe pse më bëhet qejfi që merreni me çdo gjë që bën opozita, deri me çdo thashethem të pakonfirmuar që del nga mbledhjet e kryesisë a grupit tonë parlamentar apo status në Facebook të çdo deputeti, a nuk ju duket se ka diçka që s’shkon në të qëmtuarit, shpesh cinik, të çdo fijeje të flokut të opozitës ndërkohë që qeveria po ia hedh e paqëmtuar lumenjve të skandaleve të përditshme? Pastaj edhe diçka, pse kur merreni me opozitën kërkoni patjetër të gjeni me kë ngjajmë ne në Europë e në botën e lirë, kurse ngjashmërinë fatale, në thuajse çdo gjë, të Saliut e të pushtetit të tij me vende jashtë Europës e kufijve të botës së lirë, e kaloni rëndom si pjesë të rutinës që s’bën lajm? Ja, për shembull, ju thoni, dhe s’jeni i pari, që kjo e editorialeve mund të jetë një preferencë e marrë nga liderë të ndryshëm politikë në Europë, ndërkohë që kur merreni me qeverinë e merrni të mirëqenë, pjesë të rubrikës së pashkruar No Comment, që kryeministri i Shqipërisë mund të gënjejë për çdo gjë, fjala vjen për çdo shifër, për çdo të dhënë a fakt të ekonomisë e të menaxhimit publik. Pa llogaritur këtu akuzat, shpifjet e sharjet e përditshme për opozitën që shumë nga ju, ashtu si shumë shqiptarë të dëshpëruar po të paangazhuar, kujtojnë se nuk u takojnë edhe atyre. E nëse nuk ngrihet si fare rastësisht ndonjë ndër ju të merret me rrenat një herë në shumë herë, - fatkeqësisht gënjeshtrat mbi ekonominë, taksat, borxhin, deficitin, shpenzimet, investimet, konçesionet, turizmin, hyjnë me pikatore në diagnozat e analistëve opozitarë -, të gjitha mbeten pa oponencë tjetër veç asaj që bën opozita si palë jo e pavarur dhe përherë e paragjykuar. Kurse sa për reagimin ironik të Saliut ndaj shkrimit tim mbi sëkëlldinë e tij të dukshme për rënien e gomarit të Tripolit ngaqë ngjajnë si t’i kishte pjellë të dy mushka e Partisë së Punës, do ta bëja me qejf një editorial tjetër, s’është ide e keqe, me bashkëautorësinë e mikut tim Arshi Pipa. Ruaj prej tij përveç veprës edhe disa këmbime të bukura intelektuale e miqësore në periudhën pas shembjes së diktaturës së partisë mëmë të Saliut. Ndjesë pastë gjithmonë i gjori Arshi, opozitar i palodhur i regjimit komunist, do rrotullohej në varr po të dëgjonte dot se shërbëtori besnik i Enverit këshillon sot nga tryeza e qeverisë leximin e vargjeve të tij duke i përmjerrë veprën për t’i ndryshuar kuptimin.
Në editorialin e parë të këtyre ditëve verore, ju flisnit për protesta popullore që duhet të nisen nga shtresa të ndryshme të popullsisë, pasi nuk i bën vetëm opozita. Nga disa kolegë tuaj në parti pati edhe reagime...Kursi i ri i paralajmëruar nga ju në çmasë do t’i përmbajë protestat që ndaluan pas tubimeve para KQZ-së?
Nuk i di reagimet e kolegëve në fjalë për editorialin që përmendni, jam marrë me lexime librash të mbledhur kapicë që prisnin ca kohë të lirë prej meje dhe kam shkruar në kohën mes leximeve duke shijuar lirinë e rigjetur përballë vetes. Por duke ju dëgjuar të riktheheni në çdo pyetje tek kursi i ri, e shoh të udhës të nënvizoj edhe njëherë, shumë thjeshtë, se ne do të jemi në krye të detyrës sonë duke u munduar të bëjmë më të mirën për t’u dhënë shqiptarëve alternativën qeverisëse që u duhet. Shqiptarët le të zgjedhin pastaj mes zhytjes në llumokraci symbyllur prej frikërave të kota dhe ngritjes krye për të dalë me sakrificat e domosdoshme nga llumi.
Keni propozuar ndryshimet kushtetuese si kusht për dialogun me mazhorancën. Berisha e ka refuzuar kategorikisht këtë mundësi, ndërkohë që nga e majta aleatët tuaj kërkojnë ndërprerjen e komunikimit. Cila do të jetë rruga politike për të arritur në reformat e kërkuara institucionale?
S’kemi vënë ne ndonjë kusht për dialog, kemi thënë vetëm që s’ka kushte për të bërë të mundur dialogun e shumëkërkuar po edhe të shumënevojshëm për vendin. Nga ana jonë jemi gati të punojmë me gjithë sa mundemi për t’i krijuar këto kushte, ndërsa kërkesën për ndërprerje komunikimi s’e kuptoj përderisa s’ka asnjë komunikim.
Raporti i OSBE-ODIHR u dha dorë akuzave të opozitës për zgjedhjet në Tiranë. Cili do të jetë aksioni i opozitës dhe cili do të jetë pikërisht me bashkinë e Tiranës?
Bashkia e Tiranës ka rënë sot në dorën e pushtetit të grabitësve të votës, është një institucion i kapur pa asnjë legjitimitet, u takon qytetarëve të Tiranës ta gjykojnë në rrugëtimin e nisur së prapthi. Ndërsa ne do bëjmë gjithçka që ajo që ndodhi të mos përsëritet më kurrë, duke bërë një më një detyrat tona. Njëra ndër to është padyshim edhe detyra që ta projektojmë betejën e ardhshme duke e vlerësuar raportin e ODHIR-it si një nga pikat e palëvizshme të referimit për gjithë rrugëtimin tonë drejt fitores së zgjedhjeve që vijnë.
Një plotësim këtu zoti Rama, në Bashkinë e Tiranës ka filluar në masë fshesa ndaj pastrueseve, shoferëve, nëpunësve civilë të administratës suaj. Cfarë do të bëni ju për t’i marrë në mbrojtje këta njerëz?
Ajo e Bashkisë së Tiranës s’ishte administrata ime, po administratë e shtetit shqiptar, modeli i vetëm sot për sot i funksionimit të administratës në këtë vend ku shteti është bërë lesh e li edhe për shkak të rekrutimeve pa asnjë kriter e moral tjetër përveç kriterit partiak e moralit tribal. As që e dyshoja këtë që po ndodh, siç nuk dyshoj në shumëçka tjetër do të ndodhë më tutje në dëm të Tiranës e të qytetarëve të saj, por s’kam asgjë më shumë për të thënë për këtë fabul të njohur tash gjashtë vjet me flakje njerëzish në rrugë për hakmarrje politike dhe rekrutime mizerabël nga rruga për orekse politike, përveçse t’u them edhe publikisht të papunëve më të rinj të qytetit atë që u kam thënë para se të largohesha nga zyra në bashki: Dilini zot vetes, bëni luftën tuaj qytetare kundër barbarisë në pushtet, nëse ju duhem për ta bërë këtë e dini ku më gjeni! S’i kërkoj askujt, asnjë shqiptari që s’e do këtë qeveri, të ndjekë medoemos rrugën e Partisë Socialiste, por mes qëndrimit në gjunjë a duarkryq me sytë nga qielli dhe rrugës sonë për të ringritur Shqipërinë e për të ndërtuar shtetin modern shqiptar, mbi të tjera kritere e norma nga këto që ka imponuar pushteti anadollak i Saliut, askush që dëshiron të luftojë dhe s’e gjen dot një rrugë që t’i pëlqejë më shumë, s’ka pse ngurron për asnjë çast që të na bashkohet në familjen më të madhe politike të vendit.
Nga disa kolegë tuaj në parti është hedhur ideja që zgjedhjet e ardhshme të administrohen nga ndërkombëtarët. Si e gjykoni këtë ide dhe cili është mendimi juaj për variantin alternativ?
KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor janë mbytur bashkë me zgjedhjet në Tiranë. Shkrirja e tyre është A-ja e një projekti realist për një reformë zgjedhore që të krijojë themele të paprekshme nga dora grabitqare e pushtetit të votave të vjedhura. Variantet e mundshme për rindërtimin e administratës zgjedhore janë më shumë se një, jemi të hapur, ndërsa pavarësia nga qeveria e vendimmarrjes gjatë administrimit të zgjedhjeve nuk është variant, po një kusht themelor i patjetërsueshëm.
Është folur për nisma ligjore të opozitës në luftën parlamentare. Kemi parë në të kaluarën se këto janë rrëzuar me lehtësi nga mazhoranca. Beteja juaj parlamentare ku do të mbështetet, apo do të kemi një panoramë të ngjashme me sezonin e kaluar?
Cdo maxhorancë numerike rrëzon me lehtësi falë peshës së numrave çdo nisëm ligjore të opozitës, kudo në botë e jo më në Kuvendin e Sashenkës, ku edhe pa numrat e nevojshëm në sallë, në sytë e gjithë Shqipërisë miratohen ligje, si në rastin flagrant të ligjit për regjistrimin e popullsisë, apo kërkohen heqje mandatesh parlamentare si në rastin skandaloz të deputetit të opozitës Ilir Beqja. Në një parlament demokratik, kudo, nismat ligjore të opozitës nuk lindin për të pasur medoemos miratimin e maxhorancës, po për të shpalosur një këndvështrim alternativ mbi çka ligjërohet. Që do të thotë se i jepet sigurisht mundësia qeverisë të reflektojë, bëhet çdo përpjekje që kjo të ndodhë duke dhënë të gjithë argumentet, punohet deri në fund për zgjidhje kompromisi aty ku të parët e qeverisë janë shtetarë jo karagjozë zullumqarë, por njëkohësisht, e ky është thelbi i parlamentarizmit, i jepet zgjedhësve të përfaqësuar tërësisht mundësia të shohin, dëgjojnë, gjykojnë. Parlamenti demokratik është e vetmja shfaqje mendimesh e fjalësh në botën e lirë që nuk vihet në skenë nga një regji a një kompani prodhuese spektaklesh, po nga populli, i cili me votën e vet të lirë përcakton rolet, shumicë-pakicë, dhe gjatë katër vjetëve ndjek shfaqjen e alternativave për të gjykuar kur i vjen dita të rizgjedhë nëse duhet t’i ruajë apo t’i ndërrojë rolet e atyre që voton. Problemi ynë është se në Shqipëri nuk ndodh kështu, grabitja e votës e ka kthyer parlamentin në një teatër ku vendos regjia politike, pushteti që vjedh zgjedhjet, prandaj edhe çdo gjë që ndodh në parlament shpeshherë nuk konceptohet nga njerëzit, as nga ju, komentatorët, si proçes gjykimi mbi rolet e aktorëve në skenë që do të ndikojë vendimin me votë kur të vijë dita, po si një betejë finale, aty, atë ditë, për atë çështje. Dhe pastaj natyrisht thuhet ja, u rrëzua lehtësisht nisma që opozita na foli një muaj rresht, s’dëgjon Ai, s’jepet Ai, s’rrëzohet kështu Ai, duhet forcë, duhet përplasje, duhet luftë, ndërkohë që askush s’di ta thotë për çfarë përplasje, force, lufte, e ka fjalën. E s’ka si ta thotë se s’ka ku ta gjejë, sepse zëri i arsyes nuk e pranon dhunën si mjetin për ta marrë atë që shumëkush e kërkon aty për aty prej dëshpërimit të justifikuar plotësisht nga koha që ikën, hallet që shtohen, plagët që zmadhohen! Le ta rrotullojmë nga të duam analizën e le të fluturojmë sa të duam me krahët e dëshirave dhe hamendjeve për ta gjetur themelin e problemit gjetkë, ai është tek zgjedhjet, tek kriza e votës, tek dhunimi i sovranitetit të popullit për t’u qeverisur nga ata që zgjedh, jo për t’u sunduar nga ata që nuk e lënë të zgjedhë. Kriza e zgjedhjeve është gjeneratori i të gjitha krizave të sotme të Shqipërisë, në një pjesë të mirë kjo u kuptua nga njerëzit që u derdhën masivisht drejt kutive të votimit në 8 maj. Por ka ende shumë për të bërë në këtë drejtim, që edhe ata që e shesin votën për një thes miell a ca lekë për të shtyrë muajin ta kuptojnë se, në fakt, vota që shesin është arsyeja pse katër vjet s’i pyet askush dhe mbeten çdo muaj pa miell e as lekë që të kapin muajin e rradhës. Po jo vetëm ata, edhe të tjerë, më të ngritur, duhet ta kuptojnë se beteja e opozitës për votën s’ka qenë asnjë ditë luftë për pushtet mes dy palësh, as braktisje e detyrës opozitare për problemet ekonomike e sociale, po vetë thelbi i përpjekjes për ta çliruar shoqërinë, demokracinë, drejtësinë, vetë ekonominë, duke çliruar votën. Kush ta merr votën pa i’a dhënë të merr shpirtin, dinjitetin, punën, lekët, të ardhmen, të merr edhe jetën, duke të qëlluar me pushkë si në 21 janar, sepse s’ka frikë nga gjykimi yt, s’do të të vijë rradha të gjykosh, armën që ke për të marrë hakun që të takon, votën, ta ka marrë, të ka neutralizuar, bën ç’të dojë me ty. Madje të thotë përditë ji i lumtur që më ke mua, Shqipëria po ndryshon!
Me largimin e deputetëve Islami e Harasani, grupi socialist sa vjen e zvogëlohet në numër duke ulur peshën specifike të numrave në Kuvend. Besoni se mazhoranca do ta ketë më të lehtë qeverisjen në kushtet e kësaj “rrjedhjeje parlamentare” opozitare?
Pesha specifike e opozitës, kudo, në çdo demokraci të botës, nuk përcaktohet nga numrat, sepse numrat natyrisht e mbajnë gjithnjë peshoren nga shumica, po nga drejtësia e qëndrimeve të saj, forca morale dhe argumentuese që shfaq. E përsëris, opozita nuk ekziston për të peshuar numerikisht më shumë në parlament, po për të anuar peshoren nga ana e vet kur populli zgjedh, me votë, dhe fokusi ynë do të jetë i tëri tek thithja e një konsensusi sa më të madh popullor, duke i dhënë popullit përditë arsyet e shembujt që në zgjedhjet që vijnë ai të bëjë shumicën më të madhe ndonjëherë në frontin e Aleancës sonë për të Ardhmen.
Dy institucionet kushtetuese që kërkojnë menjëherë zgjedhjen e krerëve të rinj të tyre janë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë dhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit. A do të propozojë PS kandidatë për këto poste?
Këto propozime janë tagër i Presidentit të Republikës. Uroj që Presidenti të mos kompleksohet më gjatë nga sulmet e diversionet e shpifura të Saliut, të Sashenkës së Kuvendit a të Tomës së Punëve Publike. Të mos propozojë kandidatura me shaminë e Saliut në xhepin e xhaketës ose me këllqe të dobëta nga ata që bien ndenjun sapo dëgjojnë zërin e ish-kryetarit të partisë së tij, siç ka bërë fatkeqësisht në jo një rast deri sot zoti President. Dhe, padyshim, të mos mjaftohet me ca predikime të koduara si ato që ka bërë kur kandidatë seriozë për gjykatat e vendit janë rrëzuar nga tomashenkët e Komisionit të Ligjeve pasi janë keqtrajtuar rrugaçërisht në dëgjesa të turpshme publike, si të ishin të pandehur të hetuesisë komuniste. Bamir Topi s’duhet të merakoset shumë as nga sikleti se do t’u duket shqiptarëve si aleat i imi nëse i kundërvihet përdhunimit të vijueshëm që po i bëjnë ata që e zgjodhën president. Sepse shqiptarët ka më shumë gjasë t’i turbullojë steriliteti i qëndrimeve të tij sesa propaganda e shthurur që bëhet kundër tij për ta kompleksuar deri në paralizë. S’ka shqiptar që nuk e di se Bamir Topi mund të jetë socialist aq sa ç’mund të jetë Saliu suedez dhe s’ka qytetar të këtij vendi që s’e kupton pse ai sulmohet kaq poshtërsisht nga kryetari i PD-së, ndërkohë që më rezulton se janë gjithnjë e më të shumtë qytetarët që s’kuptojnë pse Presidenti i Republikës flet me vete e jo me popullin kur goditet paudhësisht jo personi, po institucioni i tij. Kjo s’është një yshtje në konflikt për zotin Topi, po një thirrje që Presidenti i Republikës të dalë nga cepi ku e ka futur konflikti i imponuar djallëzisht prej Saliut, duke kuptuar se të qenit mbi palët s’është të qëndruarit jashtë çdo debati ku palët janë të përfshira, po të qenit me zë të lartë mbi interesat e palëve kur njëra a tjetra palë rrëshqet dhe prek themelet kushtetuese, ligjore e morale të bashkëjetesës në atdheun e përbashkët. Lënia pa zë e institucionit të Presidentit kur cënohet interesi kombëtar, kushtetuta, parlamentarizmi, drejtësia, publiku, nuk e bën Bamir Topin më të paanshëm, po bën Shqipërinë e popullin e vet më të pambrojtur.
Po ju s’mund të mohoni se në horizont po ravijëzohet një parti e Bamir Topit pas largimit të tij nga zyra e Presidentit vitin tjetër dhe kjo natyrshëm e bën kryeministrin të interesuar për ta vënë atë në cep përmes një konflikti ku e paragjykon vazhdimisht si aleatin tuaj. A nuk jeni dakord që zoti Berisha ka filluar betejën për të minimizuar maksimalisht efektin elektoral të partisë së ardhshme të zotit Topi duke e futur që tani në një thes me të majtën?
S’e di fare sa e bazuar është hamendja se Presidenti i Republikës do të zbresë në fushën e betejës politike me një parti të tijën pas refuzimit të hapur të partisë së tij të deridjeshme për ta rimandatuar si kryetar të shtetit. Është e gjitha për t’u parë çfarë do bëjë ai nesër dhe çfarëdo të bëjë as nuk shoh ndonjë mundësi që ta bëjë në funksion a në favorin e Partisë Socialiste, as dua të humbas kohën me hamendje të tilla. Di vetëm që për sa kohë do të jetë në atë zyrë, Presidentit të vendit, garantit të unitetit kombëtar e të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, i takon t’i bëjë gjërat në funksion e në favor të popullit shqiptar si një i tërë. Pa iu shmangur asnjëherë këtij detyrimi të madh, sigurisht mbi palët po assesi jashtë debatit për çdo temë të nxehtë që i djeg atdheut tonë. Jo me fraza të rrumbullakuara deri në humbje të kuptimit a me deklarata shtypi në stilin stërlakonik të poezive Haiku, po me zë e me figurë përpara shqiptarëve, edhe sikur Saliu ta akuzojë si agjent të Ramiz Alisë a të Gramoz Ruçit apo Sashenka e Kuvendit t’i qepet pas me të gjithë gurët e torbës së pistë të vulgaritetit të saj. Më shumë se i thanë për turp të tyre në janar, “Horr bulevardi!”, s’kanë ç’i thonë sidoqoftë.
Ndërsa ju si opozitë kërkoni largimin e qeverisë,kryeministri përgatit ndryshime në kabinetin e tij. Për kreun e opozitës është kjo një shenjë sigurie dhe jetëgjatësie për qeverisje të mëtejshme nga politikani jetëgjatë Berisha apo...?
Jetëgjatë në politikë mund të jesh në shumë mënyra, Kadafi ishte dy herë më jetëgjatë sesa Saliu, rëndësi ka çfarë sjell jetëgjatësia e qenies politike në mënyrën e të qenit të njerëzve që përfaqëson dhe në punët e historinë e vendit tënd. Fatkeqësisht për të, Saliu nuk do që nuk do që të mbahet mend për mirë nga ky popull. Dhe kur mendon që mundësia iu dha dy herë jo një, kjo të shtyn të parafytyrosh se po e kërkon damkën e historisë siç kërkon një kumarxhi shkatërrimin në derën e kazinosë duke futur në dorën e fundit shtëpinë megjithë familjen. Zgjedhja e tij dhe taksirati i Shqipërisë. Sa për ndryshimet në kabinet le të bëjë ç’ndryshime të dojë në rradhët e dëgjuesve të zellshëm të fjalimeve të tij të çartura në tryezën e qeverisë, ikën Sashenka e vjen Toma ose anasjelltas, problemi mbetet po ai, gjithnjë e më i madh, po edhe gjithnjë e më i qartë për të gjithë.
Cilat janë gjasat që opozita të përshpejtojë zgjedhjet e reja në Shqipëri?
Përgjigjen e kësaj pyetjeje mund ta japë vetëm populli, askush veç tij s’ka fuqinë të ndryshojë kalendarin e zgjedhjeve në një vend ku qeveriset me vota të vjedhura. Partia Socialiste ka nisur punën për zgjedhjet e vitit 2013. Nëse populli s’do të durojë dot deri atëherë, ne do të jemi pa asnjë ngurrim në krahun e të drejtës sovrane të tij për të vendosur me votë se kush do të jetë shumica e kush pakica në Kuvendin e ardhshëm.
Fund