English

Kremtimi i Bajramit në krahinat shqiptare

Nga Gazmend Aga

GJITHCKA PER FESTEN E BAJRAMIT

Në krahinat tona bajramet janë festuar gjithmonë solemnisht. Bajrami ka lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme tek besimtarët shqiptarë edhe në çastet më kritike. Ai është freski për familjen, madje edhe besimtarët më të dobët bajramit i kushtojnë kujdes e rëndësi të veçantë.

Ditën e bajramit e gjithë familja ngrihet herët, marrin abdes, veshin rrobat më të bukura, lyhen me erëra të mira dhe shkojnë në xhami. Xhamitë mbahen të pastra, të aromatizuara dhe zbukurohen e ndriçohen si asnjëherë tjetër. Ndërkohë rrugët kryesore të japin përshtypjen e një ditë festive duke qenë të mbushura me tullumbace, postera, banderola dhe banera që shprehin urimin e ditës së Bajramit. Pas namazit të bajramit, kudo, në qytete e fshatra, në lagje e në rrugë, të njohur dhe të panjohur takohen, përqafohen dhe urojnë bajramin me gjithë zemër njëri-tjetrit. Urimi i bajramit nuk harrohet edhe për ata që janë larg. Atyre u telefonohet ose u dërgohen telegrame, letra, kartolina apo edhe mesazhe telefonike. Është traditë e bukur që fëmijëve që trokasin në dyert e shtëpive për të uruar bajramin, i gëzojmë duke iu dhënë sheqerka. Pasi shtrohet në shtëpi tryeza me ushqimet më të mira, hahet dhe festohet duke e falënderuar në fund Allahun për begatitë e Tija të panumërta. Mbasdite ose të nesërmen nisin vizitat nëpër shtëpi, të afërm, fqinj, shokë e miq.

Në këtë ditë ndërmjetësohet për të pajtuar të zemëruarit, mëritë dhe armiqësitë marrin fund, miqësitë forcohen, të vegjëlve u jepen dhurata, vizitohen të sëmurët; sepse kjo është dita e gëzimit dhe e lumturisë së përbashkët. Kremtimi i kësaj feste u jep myslimanëve një emocion të veçantë, një frymë të re, një zell të ri në punët e tyre fetare dhe të kësaj bote. Gjatë kësaj feste myslimanët japin shembullin më të bukur të bashkimit dhe unitetit Islam. Në këtë festë nuk mungojnë gjithashtu argëtimet, programet artistike dhe aktivitetet e ndryshme kulturore.

Sigurisht, feja islame nuk është fe vetëm e trajtave dhe e ceremonive. Ajo mes trajtave praktike të caktuara, kërkon kuptime të thella e të larta dhe formon një shpirt fisnik. Në këtë mënyrë, bajrami i jep indikacion të qartë myslimanit se me besim të fortë dhe qëndrueshmëri permanente, mund të arrijë kontroll të përkryer mbi veten dhe të vendosë barazpeshë ideale midis materiales dhe shpirtërores.

Namazi i Bajramit

Namazet e dy bajrameve janë urdhëruar në vitin e parë pas emigrimit të Pejgamberit (a.s.). Falja e tyre është vaxhib, pasi Profeti (a.s.) gjithmonë i falte këto namaze dhe i urdhëronte njerëzit të dilnin jashtë dhe të merrnin pjesë në to.

Për myslimanët që i besojnë Allahut si një Zot i vetëm dhe që kanë të njëjtin synim e qëllim të përbashkët, grumbullimi në një vend si një trup i vetëm, ka një kuptim të madh. Me të vërtetë, në një hadith të shenjtë (kudsi) thuhet: “Për Mua agjëruat në muajin e ramazanit dhe, sipas urdhrit Tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga mëkatet e të falur” (Et-Tergib, XI, 101). Duhet të jemi të kujdesshëm që atyre që vinë për herë të parë në namaze të tilla, të mos i shohim me një sy qortues, por përkundrazi, t’i afrohemi me dashamirësi, mirësjellje dhe buzagaz. Shpresohet që me këtë sjellje të bëhemi faktor për afrimin e tyre drejt jetës fetare.

Namazi i bajramit është një namaz me dy rekate që falet dy herë në vit, në bajramin e ramazanit dhe në bajramin e kurbanit.

Kushtet e vlefshmërisë së namazit të bajramit, sipas hanefitëve, janë të njëjta me kushtet e vlefshmërisë së namazit të xhumasë duke përjashtuar hutben, sepse mes këtyre dy namazeve ka ndryshim vetëm për sa i përket konkluzionit mbi hutben. Ndërsa në namazin e xhumasë, hutbeja është kusht vlefshmërie, në namazin e bajramit është sunet. Gjithashtu, ndërsa në namazin e xhumasë, hutbeja mbahet para namazit, në namazin e bajramit mbahet pas namazit.

Ndryshimi i namazit të bajramit nga namazet e tjera janë tre tekbiret shtesë në çdo rekat. Tekbiret shtesë që janë vaxhib, në rekatin e parë bëhen para kiratit (këndimit të Kur’anit), kurse në rekatin e dytë, pas kiratit. Në thënien e tekbirit, duart ngrihen lart, pastaj ulen poshtë duke i lënë të lira anash. Në rekatin e parë, pas tekbirit të fillimit (iftitah), duart lidhen dhe këndohet Subhaneke-ja. Pas kësaj, bashkë me imamin, bëhen tekbiret shtesë. Si në tekbiret e tjera, tekbiri i imamit bëhet me zë të lartë, kurse tekbiret e xhematit, me zë të ulët. Duke thënë “Allahu Ekber”, duart ngrihen lart dhe lëshohen anash të lira. Pastaj bëhet tekbiri i dytë si i pari, sërish pritet pak. Pastaj bëhet tekbiri i tretë (i fundit) dhe duart lidhen. Xhemati qëndron në heshtje, ndërsa imami, pas Eudhubesmeles, kalon në këndimin e Kur’anit me zë duke kënduar Fatihanë dhe një sure tjetër. Pasi bëhet rukuja dhe dy sexhdet, imami ngrihet për në rekatin e dytë. Në reqatin e dytë, pasi imami të këndojë Fatihanë dhe një sure tjetër, bëhen tre tekbire duke i lëshuar duart anash. Në tekbirin e katërt bëhet kalimi në ruku, pastaj bëhen edhe dy sexhdet dhe namazi plotësohet.

Seid b. As pyeti Ebu Musa el-Esharinë dhe Hudhejfe b. Jeman: Si i merrte Profeti tekbiret në bajramin e madh dhe të kurbanit? Ebu Musa tha: “Merrte katër tekbire sikurse tekbiret e xhenazes” (Ebu Daud). Në rekatën e parë përveç tri tekbireve është llogaritur edhe tekbiri fillestar, ndërsa në rekatën e dytë është llogaritur edhe tekbiri për rënien në ruku. Kjo është sipas medh’hebit Hanefi.

Pas namazit, imami ngjitet në minber dhe pa u ulur fare, mban hutben. Në vend të lavdërimit të Allahut që bëhet në namazin e xhumasë, këtu imami thotë: “Allahu Ekber, Allahu Ekber, la ilahe il’lallahu u’Allahu Ekber. Allahu Ekber ue lil’lahilhamd”, kurse xhemati e shoqëron. Si në namazin e xhumasë, imami e ndan hutben në dy pjesë dhe në mes të pjesëve ulet pak.

Në namazin e bajramit shkohet në rrugë me tekbir. Këto tekbire, në bajramin e ramazanit bëhen pa zë, kurse në bajramin e kurbanit, me zë. Pas arritjes në xhami, në të dy bajramet bëhen tekbire të përbashkëta gjer në kohën e namazit. Por, nëse në xhami mbahet vazë (predikim), ulemi e dëgjojmë në heshtje. Koha e namazit të bajramit është pas daljes së kohës kerahet të lindjes së diellit. Kjo kohë hyn kur dielli ngrihet një ose dy shtiza pasi të ketë lindur, që i bie rreth 30 apo 45 minuta pas lindjes së diellit.

* Nënkryetar i KMSH-së

KOMENTE