Nuk është çështje çka kërkojnë përfaqësuesit e shtetit turk sot, çështje është çfarë niveli të dijes duam t’ua transmetojmë pasardhësve tonë, me çfarë vlerash e parimesh humane duam t’i edukojmë
Nga Arben Idrizi
Më pëlqeu Ministri i Jashtëm turk, Davutoglu. Edhe Historia është interpretim. Filozofët dhe poetët, prej kohësh ta largëta, na kanë mësuar tashmë se gjithçka është interpretim. Bile interpretim i interpretimit.
Historia është interpretim. Ky “përkufizim” i dhënë kaq thjesht, është (ose mund të jetë) fondamental. Po kjo nuk do të thotë se ai tipi nuk mund të jetë po aq budalla e idiot sa politikanët kosovarë, që ai i quan vëllezër. Kini mendjen: përveç që është politikisht jo korrekte, abuzim me lirinë e shprehjes etj., ky “guxim” imi, kjo “liri” imja për t’i quajtur budallenj e idiotë politikanët, është sall një interpretim, i cili mund ta ketë pëlqyeshmërinë ose jo të lexuesve, masës, ndonjë instance të caktuar, si dhe pasojat përkatëse.
Me fjalë të tjera: nuk ka një të vërtetë të vetme, nuk ka një të vërtetë të mbrame. As “fakti” se nuk ka të vërtetë të mbrame, nuk është e vërteta e mbrame.
Pavarësisht kësaj, veprimet dhe fjalët bartin me vete përgjegjësitë përkatëse. Kur dikush bën një veprim, është përgjegjës për atë veprim. Kur dikush bën një interpretim të atij veprimi, është përgjegjës për atë interpretim të atij veprimi. Tani, termi ‘përgjegjësi’, i dhënë këtu dhe kështu, është i hapur. Pa harruar se ka e mund të ketë të tillë që e, dhe mund ta, kundërshtojnë pretendimin se ekziston përgjegjësia për çka do qoftë.
Lexuesit dhe adhuruesit (nuk dua me këtë t’i fyej fanatikët religjiozë të cilët nuk arrijnë ta pranojnë se adhurimi mund t’i atribuohet qenies njerëzore si të tillë) e Izajah Berlinit, besoj, e kanë në kujtesë polemikën e njohur të tij me disa autorë të kohës rreth shkrimit (interpretimit) të Historisë, polemikë që e kishte nxitur eseja e tij ‘Mbi domosdoshmërinë historike’.
Në mënyrë të përmbledhur, interpretuese: ka, ndër të tjera, dy mënyra në procesin e shkrimit (interpretimit) të Historisë. E para (renditja është rastësore): shkrimi i Historisë i nënshtrohet një gjykimi moral. E dyta: shkrimi i Historisë duhet të jetë përshkrim (transkriptim) i thjeshtë i fakteve (ngjarjeve).
Ky transkriptim i thjeshtë, i zhveshur, i fakteve është sa i thjeshtë po aq edhe i komplikuar. Sipas tij, në mënyrë të përmbledhur, supozojmë, do të duhej të themi se, ta zëmë, Perandoria Otomane erdhi në trevat e sotme shqiptare më një ushtri të caktuar, vendosi rendin dhe ligjin e saj, i pranoi në fenë e saj zyrtare banorët lokalë, sundoi aty rreth 500 vite dhe në fund u shpërbë.
Por duke përdorur gjykimin moral?
Atëherë, supozojmë, do të duhej të themi, ta zëmë, se Perandoria Otomane i pushtoi trevat e sotme shqiptare, vendosi me dhunë rendin dhe ligjin e saj, e shoi me gjak rezistencën, i konvertoi me dhunë ose dredhi të tjera në fenë e saj banorët lokalë, nuk e lejoi popullin e sunduar të arsimohej në gjuhën e vet, nuk ia lejoi popullit shqiptar ta krijonte shtetin-komb (siç ndodhte me vendet tjera përreth), i privoi shqiptarët nga të drejtat elementare njerëzore, nuk i la të bëjnë një jetë të dinjitetshme në vendin e tyre, etj.
Përmes këtij gjykimi moral, shkruesi (interpretuesi) i Historisë po ashtu do të përpiqej të reflektonte, supozojmë, edhe mbi atë se si do të mund të dukej sot populli shqiptar po të mos e kishte pushtuar ajo perandori; çka do të kishte ndodhur sikur Gjergj Kastrioti, ta zëmë, ta kishte pranuar religjionin e imponuar dhe të mos i ishte kundërvënë Perandorisë – cili do të kishte me qenë, për pasojë, sot identiteti ynë kombëtar; etj. Dhe nëse vjen në përfundimin se pushtimi i Perandorisë i ka sjellë dëme të pashlyeshme, ai doemos vetëdetyrohet ta mbajë atë qëndrim moral dhe t’ia transmetojë lexuesit, ta edukojë lexuesin në disa parime dhe vlera universale humane. E një nga ato parime universale humane është ai se nuk mund e nuk duhet të pushtohet një vend kurrë dhe për asnjë arsye.
Edhe neutraliteti përmban moralitet, mendon I. Berlini. Ngase, qysh e pamë, duke rrëfyer një të bëmë, ne vetvetiu mbajmë një qëndrim moral. Përndryshe, rrezikojmë ta përligjim krimin, të keqen e kryer.
Ndërkohë, që të mos kemi keqkuptime, sigurisht unë do të bëja një dallim mes gjykimit moral siç e kupton Berlini dhe atij gjykimi moral nacionalist e folkloristik siç e gjejmë rëndom te historianët shqiptarë. Prandaj, nuk është çështje çka kërkojnë përfaqësuesit e shtetit turk sot, çështje është çfarë niveli të dijes duam t’ua transmetojmë pasardhësve tonë, me çfarë vlerash e parimesh humane duam t’i edukojmë. Edhe poetët, në mënyrën e tyre, e “shkruajnë” historinë. Nuk dua prandaj t’i citoj këtu poetët me moral nacionalist folkloristik, moral që është krim në vete. Poeti që dua ta përflas është Xhevdet Bajraj, i cili një nga poezitë e tij më të bukura e titullon ‘Një ditë nën okupim’. Të përpiqemi t’i bëjmë këtij titulli një interpretim moral, meqë vetë titulli përmban një gjykim moral. Sikur poeti të përpiqej t’i bënte asaj dite një përshkrim (transkriptim) të thjeshtë, të zhveshur të ngjarjeve, do ta kishte titulluar poezinë, supozojmë: ‘Një ditë në vitet ‘90’. Lexuesi do ta kishte kështu të vështirë, ose tamam të pamundur, të nxirrte nga ai titull një qëndrim të autorit ndaj ngjarjeve. Nuk do ta dinte nëse poeti është duke e përligjur apo dënuar të keqen. Sikur poeti ta kishte titulluar poezinë ‘Një ditë nën sundimin barbar të bishave serbo-sllavo-maqedone...’ (frazë e shpeshtë familjare e historianëve dhe poetëve nacionalist e folkloristik), lexuesi me një vetëdije të ngritur do të irritohej dhe do ta hidhte tutje, ai me prirje nacionaliste e folkloristike do të ekzaltohej dhe, kushedi, do të nxitej për veprime që implikon qëndrimi i atillë nacionalist. Prandaj, besoj, titulli ‘Një ditë nën okupim’ është titulli respektiv më i qëndrueshëm moralisht. Bën me dije se okupatori nuk mund të quhet ndryshe veçse okupator; se qëndrimet e tij janë jonjerëzore; se veprimet e tij nuk mund të arsyetohen, etj.