GJITHCKA PER RAMAZNIN DHE FESTEN E BAJRAMIT
“Me syrin e zemrës” ka trajtuar edhe këtë javë tema të larmishme duke shpërblyer interesin e teleshikuesve të shumtë dhe gjallëruar jetën e besimtarëve në Ramazan.
Tema “Kurani si sistem i jetës” ka çelur javën e tretë të emisioneve. Ajo ka sjellë në studio Myftiun e Tiranës, Hafiz Shaban Saliaj dhe studiuesin Xhemal Balla.
Duke u fokusuar në rëndësinë dhe vlerën e Kur’anit për njeriun, dy të ftuarit kanë vlerësuar se “të jetuarit është një proces njohës. Njeriu ka mundësi ta ristrukturojë jetën vazhdimisht sa herë që gabon, ka të drejtë t’i kthehet të vërtetës për të mos humbur pjesën e jetës së mbetur, të garantojë qëndrueshmëri, në shkëmbimin dhe administrimin e sendeve që i sigurojnë qetësi e lumturi trupore e shpirtërore. Këtë do ta gjejë në Kur’an, sepse cilësia e parë e tij tregon se ai është shpallje, fjalë e Zotit.
Sipas tyre, njeriu, duke iu kthyer të vërtetës- Kur’anit fisnik, bën një sintezë të asaj që ka kaluar, të tashmes dhe të ardhmes së tij në perspektivë nëpërmjet një procesi të menduari e të reflektuari. Në vazhdim, studiuesi Balla përmes shpjegimeve të tij ka sqaruar se Kur’ani bëhet faktor kryesor i edukimit të mendimit për njohjen e realitetit. Ky është një proces që e integron njeriun në shoqëri, duke nxitur te ai nevojën për të kuptuar e reflektuar me proceset e veta njohëse në realitetin e përditshëm.
Ndërsa në pikëpamjen e z. Saliaj, njeriu i orientuar sipas parimeve të Kur’anit është i aftë t’i përgjigjet nevojave materiale e shpirtërore të jetës dhe në të njëjtën kohë të përballet në çdo moment me realitetin social. Kjo do të thotë që Kur’ani hap horizonte të sigurta e që shërbejnë si bazë për kapërcimin e vështirësive, në saje të një ndërgjegjësimi të thellë shpirtëror të besimit tek Zoti.
Një tjetër temë e trajtuar në emisionin “Me syrin e zemrës” ka qenë ajo me titull “Gruaja në shoqëri dhe në fe”. Të ftuarat e radhës, znj. Anjeza Xhaferraj dhe znj. Jolanda Lila, përmes komenteve të tyre, kanë bërë të qartë pozitën dhe rolin që gruaja gëzon në fenë dhe shoqërinë islame.
Në përgjigjet e dhëna, të ftuarat kanë pohuar se Islami shpërndau qysh në fillim shkëndijat e para përmirësuese individuale dhe sociale, duke i dhënë të drejtat absolute secilit individ, pa marrë parasysh gjininë, racën, ngjyrën dhe kombin.
Sipas tyre, Islami ngriti lart pozitën e femrës dhe i dha të gjitha të drejtat që i takojnë, duke mos bërë në esencë ndonjë dallim ndërmjet gruas dhe burrit.
Për temën “Dialogu Ndërfetar” ditën vijuese janë ftuar pedagogu i Sociologjisë, Prof. Dr. Zyhdi Dervishi dhe sociologu Genti Kruja, aktualisht Drejtor i Kulturës dhe Dialogut Ndërfetar në KMSH.
Gjatë bisedës së tyre, të ftuarit kanë dhënë shpjegime të mjaftueshme sa i përket rëndësisë dhe dobisë së dialogut ndërfetar.
Z. Dervishi ka vlerësuar frymën e respektit dhe mirëkuptimit që ekziston midis besimeve tradicionale në Shqipëri. “Shqipëria – ka pohuar z. Dervishi- përbën një shembull unik në këtë drejtim. Jo vetëm në këtë kohë por edhe më herët, shqiptarët, pavarësisht besimit të tyre, kanë ruajtur dhe kultivuar vlerat më të mira fetare, morale e njerëzore”.
Në këtë kontekst, z. Dervishi ka kujtuar se diversiteti fetar në Shqipëri asnjëherë nuk ka qenë pengesë, por një pasuri e madhe të cilën shqiptarët e kanë ruajtur dhe e kanë kultivuar brez pas brezi.
Ndërsa z. Kruja, si njohës i mirë i fushës, ka sqaruar se nevoja e dialogut është e një rëndësie të veçantë. Sipas tij, dialogu është mjeti i vetëm përbashkues përmes të cilit individët dhe shoqëria njerëzore mund të njohin më mirë njëri-tjetrin dhe të kontribuojnë për paqen dhe të mirën e përgjithshme.
Një nga temat e larmishme që është trajtuar në emisionin “Me syrin e zemrës” ka qenë ajo me titull “Prindërit”. Për të folur mbi këtë temë moderatori Ramadan Çipuri kishte ftuar artisten e njohur Myfarete Laze dhe teologun Dorian Demetja.
Në vija të përgjithshme, dy të ftuarit kanë theksuar se sot, në kohën kur bota ka ecur dhe ka njohur zhvillime marramendëse, ka një zbehje të normave të moralit dhe mungesë transparence në raportet prindër-fëmijë.
Sipas tyre, sot vihet re se prindërit janë njerëz të largët për fëmijët e tyre. Ata jo vetëm që nuk respektohen, por bëhen shpesh viktima të dhunës verbale dhe fizike të fëmijëve të tyre.
Znj. Laze ka ardhur me idenë se kjo bjerrje e kujdesit ndaj prindërve vjen edhe për faj të vetë prindërve. Sipas saj, prindërit duhet të jenë më të ndjeshëm dhe të tregojnë më tepër interes ndaj fëmijëve të tyre. Ata duhet të njohin mirë jo vetëm qëllimet e edukimit të fëmijëve, por edhe ndryshimet individuale dhe jetën e tyre shpirtërore.
Kusht tjetër themelor, sipas znj. Laze, është që edhe prindërit vetë të dinë të sillen mirë, të jenë të sinqertë, të drejtë e parimorë ndaj fëmijëve të tyre, në mënyrë që edhe fëmijët të kenë çka të shohin e të marrin shembull tek ata. Vetëm në këtë mënyrë prindërit mund të gëzojnë dashurinë e respektin e fëmijëve të tyre.
Ndërsa teologu Demetja duke u fokusuar në pozitën e lartë që prindërit gëzojnë në pikëpamje islame, ka përmendur se Islami e sheh respektin ndaj prindërve në listën e prioriteteve të tij. Në këtë kontekst, z. Demetja ka sjellë në vëmendje versetin e Kur’anit “Ne e kemi porositur njeriun që të sillet mirë ndaj prindërve të vet!” dhe sentencën profetike: “I përbuzur është, i përbuzur është, i përbuzur është ai që e arrin pleqërinë e njërit apo të dy prindërve të tij dhe (për shkak të mospërkujdesjes së tij ndaj tyre) nuk hyn në Xhennet!”, përmes të cilave ka bërë të qartë se kënaqësia e Zotit është në respektin dhe bindjen ndaj prindërve.
“Çdo person duhet t’i dojë, t’i nderojë dhe t’i ndihmojë, të tregojë butësi, dëgjueshmëri dhe falënderim. Mos t’i rëndojë me fjalë fyese dhe sjellje të pahijshme. Vetëm me sjelljen tonë të mirë ndaj prindërve, do të meritojmë që edhe fëmijët tanë të sillen mirë ndaj nesh”, ka qenë ky mesazhi i z. Demetja për teleshikuesit.
“Nata e Kadrit” ishte një tjetër temë e trajtuar në studio me të ftuarit e radhës, nënkryetarin e KMSH, z. Bujar Spahiu dhe Kryetarin e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH-së, z. Ylli Gurra.
Në lidhje me rëndësinë që kjo natë ka te Zoti, z. Spahiu ka sqaruar se “në këtë muaj Zoti ka dalluar në veçanti natën e Kadrit, të cilën e ka zgjedhur për të zbritur mesazhin e tij të fundit për njerëzimin. Ajo është koha kur Muhamedit (a.s.) i zbriti engjëlli Xhebrail dhe i kumtoi urdhrin: “Lexo, në emrin e Zotit që të krijoi…”
Ndërsa z. Gurra lidhur me veçoritë e kësaj nate ka thënë: “Kur’ani i shenjtë pra, filloi t’i zbriste Pejgamberit (a.s.) natën e Kadrit, në këtë natë të bekuar që Zoti e quajti më të mirë dhe të vlefshme sa një mijë (1000) muaj dhe pastaj kohë pas kohe vazhdoi t’i zbriste pjesë për afro 23 vjet gjersa u plotësua sikur e kemi sot ndër duart tona.
Në fund të fjalëve të tyre, dy teologët e nderuar kanë kujtuar se kur Zoti me Madhërinë e Tij i ka dhënë një rëndësi kaq të madhe kësaj nate, ne, si besimtarë, duhet të përgatitemi ta presim me nderimet që i meriton, duke shtuar lutjet tona të sinqerta për pendim, mëshirë e falje.
Në këtë kontekst, të gjitha shpjegimet e tyre kanë qenë trupëzim i fjalës profetike: “Kush e kalon natën e Kadrit duke u lutur i penduar, i falen të gjitha mëkatet e kaluara”.
Emisioni është mbyllur me lutje të ngrohta dhe të sinqerta nga të ftuarit.
Cikli i emisioneve “Me syrin e zemrës” do të vijojë transmetimin e tij me të tjera tema për të ulur siparin me dt. 30 gusht. Nëpërmjet këtij programi të përnatshëm Komuniteti Mysliman është munduar të jetë sa më afër besimtarëve në muajin e madh të vlerave morale, sociale e njerëzore. Këshillat dhe porositë fetare të përcjella me ëmbëlsinë e shpirtit kanë bërë vend në zemrat e teleshikuesve shqiptarë, të cilët janë bërë pjesë e pandarë e rrugëtimit të tij njëmujor.
GJITHCKA PER RAMAZNIN DHE FESTEN E BAJRAMIT