Nga Mero Baze
Dje në mesnatë Wikileaks filloi të shkarkoj disa kabllograme rreth korepodencës së ambasadës amerikane në Tiranë me Departamentin Amerikan të Shtetit. Për shumë gazetarë shqiptarë, por dhe opinionin publik, në ato kabllograme nuk ka informacion të ri për zvillimet në vend, dhe as fakte të reja që nuk i dijmë.
Por, ato kanë një vlerë të madhe dhe të pazëvendësueshme lidhur me hipokrizinë e politikës zyrtare për politikën perëndimore të Shqipërisë.
Kabllogramet e ambasadorit Uithers dhe ndihmësve të tij, janë një skaner i qartë i mospërputhjes së qëndrimeve amerikane me politikën shqiptare, duke filluar që nga çështje të politikave qeverisëse apo investimeve publike siç është rruga e Kombit e deri tek çështje të tilla delikate si liria e shtypit, korrupsioni në politikë apo ripërdorimi i figurave të vjetra, historia e Gërdecit etj.
Në gjithë këtë korrenspodencë të panjohur mos prisni të gjeni diçka që nuk e keni përjetuar, por do të gjeni diçka që natyrisht nuk e dinim, pikëpamjen amerikane për mënyrën se si na qeverisin.
Një vlerë tjetër e madhe e këtyre botimeve ka të bëjë me faktin se si përpunohen pikëpamjet e diplomatëve për zhvillimet në Shqipëri. Siç shihet qartë, amabsadori Uithers ka qenë dyshues se hetimet në Gërdec do ishin serioze apo që Fatos Nano do ritkhehej në politikë, ishte i qartë dhe shpjegues për historinë e gazetës Tema dhe i ndershëm në pasqyrimin e pikpamjeve të kolegëve të tjerë për atë histori të shëmtuar të lirisë së shtypit në Shqipëri.
Dhe në këtë pikë, këto botime vlejnë për të kuptuar dhe se si Berisha arrin të përdorë individë apo opinionistë për të zbutur efektet e veprimeve të tij të qarta kundër lirisë në këtë vend.
Në këtë pikë do të desha të ndalesha tek citimi korrekt që ambasadori i ka bërë Fatos Lubonjës, ose ndonjë gazetari tjetër të medies proqeveritare për shkakun pse u mbyll gazeta Tema në vitin 2010. Arsyet kanë qenë publike, pasi pamundësia e mbijetesës së saj u prodhua nga gjoba që shkuan deri në 400 miljonë lekë të vjetra, nga bllokimi i shtypshkronjës së saj, që ishte rreth 450 mijë euro dhe që po kalbet nën bajonetat e policëve të Sali Berishës, si dhe pas një sërë shantazhesh fizike dhe politike ndaj redaksisë së gazetës.
Vetëm Fatos Lubonja, një njeri i paguar nga media më e korruptuar në vend, nga modeli më i shëmtuar i medias që bën trafik financiar përmes lidhjeve me kryeminstrin, pra, vetëm ky njeri ka mundur të zbulojë se ne nuk po mbylleshim se na mungonte liria dhe mundësia për t’u botuar, por se kishim afera financiare. Biles, kabllogrami citon nga këto “burime” dhe një hamendje të shëmtuar se konflikti ynë me Sali Berishën kishte nisur për një licencë kazionoje të restorant Tajvanit.
Licenca e kazinosë së Tajvanit është dhënë nga Fatos Nano në vitin 2004 dhe gazeta Tema ka pasur qëndrime të ashpra kritike me Berishën në vitin 2007 e më pas. Se ku lidhen këto dy histori, e di vetëm Fatos Lubonja.
Por, nuk jemi të shqetësuar prej tij, as prej ligësisë së tij, as prej helmit që shpesh e prodhon impotenca intelektuale dhe mungesa e fuqisë krijuese të tij si gazetar i tredhur. Të shqetësuar jemi nga fakti se njerëz që punojnë në media të korruptuara, njerëz që nuk paguajnë taksa në këtë vend, që sillen si individë të korruptuar në raport me shoqërinë, kur gjejnë rastin të flasin fshehurazi në dreka dhe darka me diplomatë, i shërbejnë sërish Sali Berishës, më shumë se sa pronarët e tyre që marrin milarda.
Është interesante se si pronari i Lubojnës, mburret si e ka mbyllur dhe ka shkatërruar gazetën Tema dhe shtypshkronjën e saj dhe i punësuari i tij Lubonja, do ta shfajësojë Berishën e madh dhe të vogël nga ky pisllëk ndaj lirisë së shtypit në Shqipëri.
Për këtë arsye, ka shumë vlerë botimi i këtyre dokumenteve, të cilat përveçse na bëjnë të kuptojmë sa larg qëndrimeve amerikane ka qenë qeveria shqiptare, na mundësojnë të kuptojmë dhe sa afër Berishës dhe sa kundër lirisë janë ata që digjen e përdëllohen për lirinë dhe luftën kundër korrupsionit në Shqipëri.
Për fat të mirë ne po vazhdojmë të mbijetojmë dhe jemi sot gazeta më e lexuar online në Shqipëri. Për fat të mirë, Fatos Lubonja dhe shpifës të tjerë vazhdojnë të paguhen ende si shërbëtorë ilegalë të Berishës.
Ndjej keqardhje për të dhe të tjerët, pasi Berisha nuk ua di për nder. Meritat ua merr sërish pronari dhe grupi i pronarëve që po bëhen miliarderë duke shitur këto pisllëqe gati spiunash të tyre nëpër ambasada. Ndjehem mirë mbi të gjitha për korrektesën dhe skanerin real që diplomatët i bëjnë historisë së gazetës dhe përplasjeve të saj me qeverinë.
Historia jonë është histori e përplasjes së gazetarëve me pushtetin dhe jo histori biznesmenësh. Po të ishte histori biznesmenësh, ne do ishim në anën e pushtetit, atje ku ushqehen biznesmenët, atje ku marrin miliardat, aty ku privatizojnë Shqipërinë, aty ku të quajnë budalla po të bësh betejë me kryeminstrin pa para, siç e bëjmë ne.