English

Në shtator ndryshime në Qeverinë Thaçi

Prishtinë, 28 gusht 2011, NOA- Brenda një muaji kryeministri Hashim Thaçi ka në plan të zëvendësojë disa ministra dhe zëvendësministra, si dhe të bëjë rokada përbrenda kabinetit qeveritar, shkruan sot gazeta Koha Ditore.

Sipas gazetës, procesin e riformatimit të Qeverisë do ta bëjë në kohën kur i duhet ta zëvendësojë një ministër të partisë së tij, PDK-së, me një të partnerit kryesor në koalicion, AKR-së, në mënyrë që ta përmbyllë marrëveshjen e bashkëqeverisjes, ka thënë të shtunën një burim i gazetës i afërt me kreun e ekzekutivit.

Deri atëherë i duhet të bëjë zëvendësministra edhe dy njerëz që do t’i propozojë AKR-ja.

“Kryeministri tashmë ka një pasqyrë vlerësimi të punës së secilit ministër. Do t’i marrë edhe pak kohë për të vendosur. Besoj se nga fundi i shtatorit do të dihet rezultati i vlerësimit të punës së secilit anëtar të Kabinetit qeveritar”, ka thënë ky burim.

Sipas këtij burimi, janë duke qarkulluar emrat e tre-katër ministrave aktualë që do t’i nënshtrohen procesit të riformatimit, por ai nuk ka përmendur emrat e tyre. Po kështu, ai ka theksuar se gjatë këtij procesi nuk do të ndërrojnë partnerët e koalicionit.

Një burim tjetër ka treguar se kryeministri Thaçi, që është edhe kryetar i PDK-së, ka pasur një takim të gjatë të premten me zëvendësin e parë të tij në Qeveri, Behgjet Pacollin, me të cilin ka nënshkruar marrëveshjen e koalicionit në emër të AKR-së.

Sipas këtij burimi, një nga çështjet e diskutuara midis tyre ka qenë edhe implementimi i marrëveshjes së partneritetit qeverisës, por ky është shprehur skeptik se riformatimi mund të ndodhë shumë shpejt.

(INA)/NOA

KOMENTE