English

Neo-otomanizmi ose batica e soft power-it turk

Nga Alfred Lela

Brigjeve gjarpëruese të identitetit shqiptar u ofrohet një baticë e re neo-otomanizmi. Sa për kthjellim, pararendësi i tij, otomanizmi nuk na ka lënë, në fakt, për asnjë ditë. Ajo që ka formuar ngjarjet, fenomenet dhe individët në këtë cep të Ballkanit që nga 1912-a, kur u pavarësuam e më parë që nga otomanët e këtej, kanë qenë, kryesisht, forma të ndryshme të lindores, lexo otomanizmit. Shumë e mohojnë këtë, disa e pranojnë zemërlëshuar e disa e shenjojnë si kryeproblemin e identitetit shqiptar. Sigurisht ka nga ata që mendojnë kryekëput të kundërtën: të gjithë anti-osmanët, thonë ata, janë anti-shqiptarë. Fusin në krye të kësaj liste Gjergjin e Kastriotëve të shndërruar në Skënderbeg.

Vala e re e otomanizmit kësaj here vjen përmes bajlozësh (ambasadorësh) të tjerë. Davutogllu, ministri i Jashtëm turk, është vendosur në krye të një fushate, projekti i së cilës ka si kryefjalë rikompozimin e Perandorisë së dikurshme Osmane. Me seriozitet e këmbëngulje, ky teoricien dhe diplomat ka përpiluar një hartë pajtimi e afrimi me fqinjët aziatikë e europianë. Nga anët tona, sigurisht Bosnja, Kosova e Shqipëria përbëjnë urën europiane të Perandorisë së vjetër. Ishte pikërisht republika trikokëshe ballkanike ku Davutogllu e shpalli së pari rikthimin te vëllazëria e dikurshme e popujve nën Portën e Lartë. Marrëdhëniet Turqi-Shqipëri kanë patur gjithmonë njëfarë mistike ngashnjyese të fatit të përbashkët 500-vjeçar. Në Kosovë, një organizatë shtetërore turke e ngjashme me USAID-in amerikan, financoi restaurimin e xhamisë së Sinan Pashës në Prizren. Në një vizitë të ditëve të fundit ministri i Arsimit të Turqisë bëri një deklaratë që gjeti mbështetjen e kolegut kosovar Ramë Buja. Kërkesa kishte të bënte me rishikimin e teksteve të historisë, ku me gjasë Turqia trajtohet padrejtësisht. Opinioni kosovar, duhet thënë, ka reaguar me një predispozitë parehatia e së cilës është e barabarta kulturore e klithmave në betejën e fushës së Mëllenjave në vitin 1389.

Ndërkohë Ahmet Davutogllu fillon sot një tur ballkanik dhe ka zgjedhur Kosovën si stacionin e parë. Duhet thënë se ndoshta kësaj radhe aktorët në skakierën gjeopolitike ndërkombëtare nuk janë kundër, por pro ish-të sëmurit të Bosforit. Një ndër shenjat duhet gjetur te një libër. Pikërisht te “Paqja që u dha fund të gjitha paqeve”, të historianit amerikan David Fromkin. Autori aludon aty se fuqitë perëndimore (lexo Perandoria britanike) gaboi me investimin e saj të fortë për shpërbërjen e Perandorisë Osmane në fund të shekullit të 19-të. Më tej, sipas tij, ishte shpërbërja e këtij konglomerati popujsh që i dha shteg dhe hapi fuçinë e barutit që sot njihet si Lindja e Mesme. Nëse ky gabim duhet korrigjuar disi, ndoshta tani është koha. Shtetet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, dikur vasalë të Portës së Lartë, ndoshta kanë nevojë ta kthejnë kokën te një shtet musliman beninj e laik si Turqia. Kjo pasqyrë e madhe mes Europës dhe Azisë mund të jetë investimi më i ri gjeostrategjik i Perëndimit. Soft power-i(fuqia e butë) turk duhet parë si realitet dhe si mundësi e shmangies së makthit të kërcënimit të fondamentalizmit islamik.

Davutoglu vjen ndoshta në Ballkan me këtë skicë të re gjeopolitke. Ndoshta batica turke do t’i prekë edhe njëherë brigjet e identitetit shqiptar. Ndoshta edhe njëherë tjetër bota shqiptare mbetet në anën e gabuar të vijës së Teodosit. Ndoshta edhe ne na duhet një skicë reaguese. Një Përlindje e Dytë.

Gazeta "Mapo"

KOMENTE