English

Regjimi që po ngrihet dhe dënglat etike të opozitës

Nga Mustafa Nano

Ka ca kohë, saktësisht qysh nga momenti që është hapur loja presidenciale, që po përmendet e hidhet si rastësisht ideja e Fatos Nanos si kandidaturë për postin e Presidentit. Janë lançuar dhe kandidatura të tjera (Topalli p.sh.), do të lançohen të tjera akoma, por kjo e Nanos përmendet si një atout, si karta e fundit, si asi nën mëngë i ca qarqeve e pushteteve okulte, përfshirë dhe Berishën që s’është pushtet okult; ky i fundit mund të shtiret sikur s’e ka fare në mendje këtë ide, por mund ta hedhë në tryezë në një moment, kur peri i koniunkturave s’mban më, duke na thënë: “Kujtoni se bëhem merak për të pasur nën hyqëm presidencën? Jo, nuk është ky qëllimi im. Doni një provë? Po bie dakord për Fatos Nanon”.

Fantashkencë? Normalisht po. Berisha nuk ka asnjë arsye (me logjikën e vet, kuptohet) ta bëjë postin e Presidentit objekt negociatash, sa kohë që ai post është çështje votash, të cilat ai i ka. Aq më pak mund të bjerë dakord të caktojë atje një personalitet të fortë. Për Fatos Nnaon mund t’i themi të gjitha të zezat, por që ai s’është një personalitet i fortë, këtë s’mund ta themi. E kjo është një arsye tjetër, pse Berisha nuk do e donte Nanon në presidencë. Ah, nëse mund të ketë rrethana ku, për një arsye apo një tjetër, votat e mazhorancës mund t’i bëjnë firo (fjala vjen, Meta fillon të lozë fort, duke e kërkuar për vete a për të vetët atë post), ai edhe mund ta marrë seriozisht në konsideratë kandidaturën e Nanos. Por kështu, jo vetëm që në presidencë s’do kish një xhol, por do prishej dhe me Metën, e kjo s’do t’i interesonte hiç. Zgjedhjet e tjera nuk janë larg momentit presidencial, dhe pa Metën ai e ka humbjen të sigurt.

Por le t’i lëmë spekulimet me rrethanat (deri atëherë çdo gjë mund të ndodhë), dhe le të supozojmë se Nano është një kandidaturë praktikisht e mundshme. Do të ishte normale që ai të zgjidhej President? Do kish kuptim? Personalisht, thjesht ideja m’i trazon keq rropullitë në bark. Kur e them këtë, nuk është se po bëj vlerësime etiko-morale dhe se ai, mbi bazën e këtyre vlerësimeve, më rezulton të jetë më i poshtër se këta që janë ende “gjallë” në politikë; Jo, përkundrazi, si kanë shkuar punët këto 5-6 vitet e fundit, ai rezulton të jetë më pak katran edhe se më i miri i këtyre që kanë mbetur (mjaft të mendosh se ai di të ikë, të hapë rrugë, e të dorëzojë çelësat; e kjo nuk është pak). Atëherë? Atëherë, kjo punë nuk do shkonte fare, do ish një turp i madh, do na komprometonte faqe botës si shoqëri, që supat e shpifura të ringrohura i marrim pa të keq për oferta të reja (e rikthyem Berishën nga bota e të vdekurve, tani u dashka të rikthejmë dhe Nanon?). Për më tepër, në këtë rast do të ishte sikur të ngriheshe dhe kundër një precedenti që vetë Nano u duk sikur e krijoi: kush ikën, ikën, dreqi ta hajë.

Mirëpo, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, këto arsyetime nuk ka të drejtë t’i bëjë asnjë njeri i politikës shqiptare. Fatos Nanon mund ta kritikojnë të gjithë shqiptarët, mund ta denoncojnë si non-chalant, të paskrupullt, deri dhe me prerje mafioze, por jo politikanët shqiptarë. Fatos Nanon mund ta kryqëzojmë ne të tjerët moralisht, e pas kësaj mund t’i japim munxët idesë së kandidimit të tij presidencial, por jo ata. Betejat morale nuk janë të tyret. Nuk janë për ta. Në këtë kuptim të vjen për të qeshur kur dëgjon që ndonjëri syresh “ta skualifikojë Nanon si kandidat, pasi ai është i korruptuar, ai e ka dredhur, ai i ka tradhtuar të vetët, ai është bërë me Berishën, etj.”.

Ndoshta ky është dhe shkaku që Edi Rama s’ka ngjitur si leader, e si aspirant për kryeministër. Ndoshta njerëzit s’i kanë falur dënglat morale. Me fjalë të tjera, njerëzit s’i kanë falur që ai donte të vinte në pushtet si një gjë më e moralshme, si e reja që do të mundte të vjetrën Nano-Meta-Berisha, si njeriu që, në ndryshim nga ata që kanë prona e pasuri të mëdha të deklaruara, nuk ka arritur dot të ketë një apartament të vogël 1+1 në pronësi të vet, makar një garsonierë a një biçim papafingoje. Unë nuk kam asnjë të drejtë të dyshoj tek ndershmëria e Edi Ramës, por ai bën mirë ta dijë se si njeri i ndershëm s’ka për ta fituar kurrë betejën me kundërshtarët. Nuk ka asnjë shqiptar, qoftë dhe më budallai, që ta njohë e ta votojë si njeri të ndershëm. Unë nuk njoh asnjë shqiptar që, pas deklarimit të Ramës se nuk ka shtëpi, të ketë thënë: sa i ndershëm është ky njeri! Përkundrazi, çdo shqiptar është i bindur se Rama është krejt i pandershëm me këtë deklaratë. Prandaj, Rama duhet ta heqë nga mendja se mund të fitojë si një gjë e re ndryshe kundër atyre që janë e vjetra. Rama, nëse don të fitojë zgjedhjet, duhet të bëjë llogari, duhet të ndërtojë aleanca, duhet të mbledhë thërrime votash, duhet të rikuperojë copat e humbura, sidomos ato copa që janë në krahun tjetër. Edhe Ilir Metën? Po, edhe Ilir Metën, mbi të gjitha Ilir Metën. Personalisht, edhe kjo punë, ashtu si kandidimi i mundshëm i Fatos Nanos për postin e presidentit, m’i sjell ropullitë tek goja; do doja një ofertë tjetër të re, realisht të re, do doja që të krijohej një frymë e shëndetshme dhe frymëzuese që t’i përfshinte të gjithë kundër regjimit, por përderisa s’ka një ofertë të tillë (e s’ka për të pasur; dhe pse-ja është një argument më vete), e përderisa askush nuk mund ta mbjellë atë frymën e shëndetshme, s’mbetet zgjedhje tjetër. Po ç’qar do ketë ky vend nga kjo përzierje kakërdhish në kavanoz?

Ka një qar të madh. Çështja është se po ndërtohet një regjim i frikshëm dhe përparësia nr. 1 është të ndalohet ndërtimi i këtij regjimi. Nëse nuk frenojmë Berishën sa më shpejt të jetë e mundur, në harkun e dy a tre viteve do jemi të tërë nën hyqmin e Berishës. Ai po i merr të gjitha. Ngjarja me Tiranën më 8 maj tregoi se ai mund të bëjë gjithçka me synimin për ta shtrirë e thelluar sundimin e vet. Shumë shpejt do marrë presidencën, prokurorin, shërbimet sekrete, “Vizion Plus”-in, “Top Channel”-in, gjykatat, kontrollin e shtetit, etj., etj. Nuk do na pranojnë në BE? Hahahaha! E çfarë pastaj? Punë e madhe! Fajin do ta ketë opozita, do ta kemi ne të tjerët. Ai s’do ketë faj. Ai do sundojë, amá. Dhe atëherë do të jetë vonë për secilin nga ne të tjerët. Rrëzimi i regjimit do të jetë me kosto shumë më të madhe, se sa kostoja që paguajmë nëse “Rama bën aleancë me Metën” e nëse “Rama pranon që Nano të jetë President i Republikës”.

Ka mënyra të tjera për ta penguar ndërtimin e plotë të regjimit, apo për ta rrëzuar atë? Çdo rrugë e mënyrë është e mirëpritur, por kjo që është provuar, d.m.th beteja e Ramës që është good guy kundër të gjithë të tjerëve që janë bad guys është edhe një demagogji e pështirë, edhe një gjë që të çon në humbjen e sigurt më 2013. Dhe puna është se Rama nuk humbet asgjë në këtë rast; humbasim ne të tjerët.

KOMENTE