English

Rovena Dilo, jeta e saj, klasi i saj

Prej mëse njëzet vjetësh, jemi mësuar të lidhim muzikën e bukur dhe këngët e arrira, me një emër të rëndësishëm. Këngë larg komerciales por të shndërruara në hite nga vetë shqiptarët këtu dhe kudo ata jetojnë. Rovena Dilo vjen për lexuesit e suplementit “Summer Time” në “Koha Jonë” me një rrëfim të sinqertë për jetën e saj. Plot modesti ndalet në fëmijërinë dhe njerëzit më të shtrenjtë për të. Flet për dashurinë që thotë se është vetë argumenti. Nuk fsheh pasionin për penën, teksa e sheh ulur në lokalin e saj në ish-Bllok, me kafenë përpara, rrethuar plot revista kryesisht angleze ku nuk humb rastin të përpijë sa më shumë. E kur diçka i mbetet në mend, nuk përton ta përkthejë dhe shqipërojë, pse jo ta lexojnë dhe shumë të tjerë.

Tregohet shumë e kujdesshme teksa e pyesim si e sheh “bombardimin” e tregut muzikor me klipe pafund ku shpesh cilësia shndërrohet në pamundësi për ta gjetur. Thotë se është një proces i pashmangshëm, sidomos shqiptar. Por paralajmëron se çdo gjë ka pasoja dhe “dhe pasojat e paçavureve të artit janë të prekshme e të dukshme”.

Për këngëtaren e mirënjohur, spektakle si Maratona e Këngës...”, janë një makinë gjigante në shërbim të vlerave të muzikës kombëtare dhe duke theksuar se është i vetmi spektakël i të tilla përmasave në verë, siguron se vetëm ajo mund të mbledhë në sheshet e qyteteve mijëra artdashës.

NJËZET VJET KARRIERË

Rovena, ju spikatni si pjesë e elitës së skenës shqiptare. Pas afro 20 vjetësh jetë me këngën dhe pasionin që dhuron ajo, si ndjeheni sot në këtë moment të jetës dhe karrierës?

Ndjehem mirë dhe e qetë. Ka një stabilitet në jetën dhe karrierën time që më jep siguri. Rrjedha e gjërave ka kuptimin që unë dua.

Prej vitesh jeni shfaqur në skenë si një këngëtare me zë të veçantë, ku në të shumtën e rasteve nën notat e dashurisë. Siç shpesh jeni shprehur, për ju dashuria është e rëndësishme jo vetëm sa i përket njeriut të zemrës, por edhe për familjen, momentet e bukura të jetës etj.? Në këtë pikë, jeni më shumë romantike apo argumentuese?

Gjithkush që ka fatin të jetojë, e di dhe e ndjen se dashuria është burimi i shumëçkaje, për të mos thënë i gjithçkaje. S’është e thënë të jesh romantike, ashtu siç unë jam në të vërtetë, për të pranuar dashurinë si motorin lëvizës të jetës. Por një romantik duke dhënë argumente e poetizon dhe himnizon dashurinë. Ndërsa përsa i përket termit argument, dashuria është argumenti i parë dhe i fundit.

Një karrierë shumëvjeçare dhe plot surpriza. Cila këngë mendoni se ju ka sjellë më shumë fat?

Thonë se dita e mirë duket me mëngjes. Pra del se kënga e parë duhet të jetë zanafilla e fatit të mirë. Por sigurisht që s’ka qenë e vetmja. Këngët e mia më të mira kanë qenë s gurë shënjues përgjatë karrierës sime. Më kanë orientuar drejt me sa duket. (Qesh).

PROFESIONALIZMI PËRBALLË KOMERCIALIZMIT

Tregu muzikor sot në Shqipëri është bombarduar nga videoklipe të shumta dhe nga pseudokëngëtarë. Ju si një artiste e afirmuar në këtë fushë mendoni se kjo është një zgjidhje apo zgjedhje e duhur?

Për mendimin tim, kjo nuk është as zgjedhje dhe as zgjidhje e duhur. Ky është një proces i pashmangshëm, sidomos shqiptar. Tregu i këtij vendi është i tejngopur me çdo lloj fenomeni, pse të mos jetë i tejngopur edhe me këngëtarë. Pale pastaj që të këndosh duket kaq e lehtë me ndihmën e teknologjisë. Çdo gjë ka pasoja. Dhe pasojat e paçavureve të artit janë të prekshme dhe të dukshme.

FËMIJËRIA

Si e kujtoni fëmijërinë tuaj?

Si një periudhë të lumtur, ndoshta më të lumturën e jetës sime.

Cilët janë njerëzit që kujtoni më shumë nga fëmijëria juaj, qoftë të afërm apo dhe në bangot e shkollës?

Kujtoj njerëzit e afërt, shoqet e fëmijërisë. Sidomos njerëzit e mi që nuk i kam më. Më merr malli shumë...

NJË DITË ME ROVENA DILON

Kalojmë në jetën e përditshme. Si nis një ditë e zakonshme për ju?

Më pëlqen të fle gjatë dhe të zgjohem pa u nxituar. Pasi sillem nëpër shtëpi me gjëra të vogla, të cilat më tepër më hutojnë sesa kanë ndonjë rëndësi, nisem drejt lokalit për të pirë kafen e parë.

Çfarë e mërzit më shumë Rovenën?

Situatat e paparashikuara dhe njerëzit që nuk kuptojnë.

Ka ndonjë peng në jetën tuaj profesionale. Ndoshta një këngë ende e parealizuar...?

Në profesion gjithmonë ka gjëra të parealizuara. Sidomos këtu tek ne ku iniciativat janë totalisht vetjake.

PAMJE

Shumë njerëz ju veçojnë si artiste me klas. Të kesh klas është diçka që fitohet apo e lindur?

Thonë që klasi lind me njeriun. Edhe unë kështu mendoj, madje shkoj edhe më tej. Klasi trashëgohet, por kush ka mend mund edhe ta kultivojë. Por një gjë është e sigurt, është diçka që është jashtë mundësive të ambicies. Rrjedh me gjakun.

Sa kohë i kushtoni paraqitjes tuaj të jashtme?

Merrem aq sa duhet. E vetmja gjë që s’po bëhet pjesë e vazhdueshme e kujdesit tim për veten është stërvitja fizike. Ajo që ka lidhje të drejtpërdrejtë me pamjen. Duket se shpesh e harroj këtë.

JO VETËM KËNGA

Përveç këngës, në ekran jeni shfaqur dhe si një prezantuese e zonja në spektakle të ndryshme. Si e shikoni këtë eksperiencë?

Po më komplimentoni. Vërtet që fillimet e mia janë të hershme, kujtoj Mbrëmjen Kulturore në vitin 1990 në RTVSH, ku përmes konkursit dilnin në pah vlerat e artistëve të rinj në zhanrin muzikor dhe artistik. Megjithatë eksperiencat e mia me prezantimin nuk janë të shumta. Do të më pëlqente të riprovoja, por në projekte që vërtetë më intrigojnë dhe që përbëjnë sfidë për mua.

Nëse na lejohet të themi se kënga është pasioni juaj i parë, cili është pasioni i dytë për Rovena Dilon?

Letërsia është një pasion i madh. Por edhe kinematografia nuk ngelet mbrapa.

Ishim të sigurt se pena është një pasion i juaj i dytë. Cilin zhanër të të shkruarit ju preferoni?

Kam lexuar shumë më tepër prozë se poezi. Por pasioni im më i madh mbetet pena e dramaturgut më të madh të të gjitha kohërave, Shekspirit.

VERË PUSHIMESH DHE VERË PUNE

Cili ishte destinacioni juaj i pushimeve për këtë sezon?

E admiroj bukurinë e bregdetit shqiptar. Nuk lë rast pa pushuar në plazhet tona. Por nuk janë më ato të parat, pisllëku ua ka zbehur natyralitetin.

Veç pushimeve, ju kishin edhe këtë sezon veror angazhime profesionale. Ishit pjesë e Maratonës së Këngëve të Shekullit, ku ju pamë në qytete si Saranda, Delvina, etj. Si i përjetuat këto koncerte, si ju pritën dhe a ju përfshinë emocionet?

Maratona është spektakli i vetëm veror i këtyre përmasave. Vetëm ajo mund të mbledhë në sheshet e qyteteve dhjetë mijë vetë. Entuziazmi është magjik. Do të veçoja Durrësin, Kavajën, Sarandë. Fantastike, e falënderoj Pandi Laçon i cili më bëri ftesën të jem pjesë e këtij evenimenti.

PLANET E AFËRTA

Evenimente ku do të jeni e pranishme gjatë muajve në vazhdim. Dhe videoklipi juaj më i afërt që keni projektuar?

Kjo akoma nuk është vendosur. Le të lëmë ca surpriza të vogla.

A mund të zbulojmë njërën prej tyre?

Po ndalem në pjesën e dytë të pyetjes. Një duet me Eranda Libohovën është ndër planet e afërta që pres ta shohim të realizuar.

Marrë nga “Koha Jonë”. Fotot: Franc Zhurda

"Përtej kohës", ndër videoklipet e fundit të Rovena Dilo:

282

KOMENTE