E hënë, 29 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Fundjava që lamë pas është shoqëruar me një bum të rasteve të dhunës ndaj grave, ku vetëm gjatë të shtunës dhe të dielës shtatë gra, nga Durrësi e Kruja kanë kërkuar mbrojtje në dyert e policisë pasi kanë rënë pre e burrave dhe bashkëjetuesve të tyre.
Burime zyrtare nga policia e Durrësit tregojnë për agjencinë e lajmeve NOA, rastet e këtyre grave, inicialet e tyre dhe ato të dhunuesve.
Rasti i parë është ai i një gruaje e cila përfundoi në spital, pasi ish-bashkëshorti i saj me iniciale E.D., në lagjen Nr. 13 të Durrësit pas një konflikti me viktimën, e ka goditur atë duke i shkaktuar dëmtime, për trajtimin e të cilave ajo u dërgua në Spitalin e Durrësit.
Një tjetër rast, është ai i një 36-vjeçareje nga Durrësi, e cila deklaron se shtetasi B.D., 47 vjeç, me të cilin ajo bashkëjeton, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj.
Në të njëjtën linjë, një 29-vjeçare po nga Durrësi deklaron se është dhunuar fizikisht e psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, shtetasi I.Sh., 40 vjeç.
Rasti tjetër është ai i një 31-vjeçareje, banuese në qytetin bregdetar, e cila i ka thënë policisë se bashkëshorti i saj, me iniciale D.S., 43 vjeç, ka ushtruar dhune fizike e psikologjike ndaj saj.
Sakaq një tjetër 35-vjeçare, banuese në Krujë, ka kërkuar ndihmë në polici pasi bashkëshorti i saj shtetasi P.I., 43 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.
Viktima tjetër e burrit të saj është një 29-vjeçare, banuese në Tiranë, e cila ka denoncuar në polic se ish-bashkëshorti i saj, E.D., 25 vjeç, banues ne Durrës, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, si shkak i mospranimit të divorcit.
Rasti i fundit është ai i 35 vjeçares me iniciale A.V e cila paditi në polici bashkëshortin e saj, 43 vjeçarin me iniciale P.V., 43 vjeç, banues ne Fushë Kruje, pasi e kishte rrahur këtë të fundit në banesë, duke i shkaktuar fraktura dhe enjtje të ndryshme.
Sakaq pas marrjes së këtyre denoncimeve, të ardhura vetëm gjatë të shtunës dhe të dielës, u plotësuan kërkesë-paditë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes të cilat iu dërguan për vlerësim Gjykatës së Rrethit Durrës e Krujës.
a.y/NOA