English

Arsyet e forcës në Libi

Nga Bernard-Henri Levy

Sa shumë që kemi dëgjuar! Lufta kishte ngecur. Rebelët nuk ishin të organizuar. Ata ishin të padisiplinuar, jo të besueshëm. Këshilli kombëtar i tranzicionit ishte i ndarë, i përçarë në fraksione rivale, i shkatërruar nga brenda për shkak të grindjeve fisnore. Fiset besnike të Gedafit, në fortesat e tyre në Tripoli, sigurisht që do të pengonin një rezistencë të gjatë e të ashpër. Përsa i përket Nikolas Sarkozisë, kishte nisur një aventurë të dyshimtë, jo të planifikuar, në të cilën vetëm aleatët e tij politikë ishin të gatshëm ta ndiqnin.

Akoma dhe një herë, e vërteta është se kemi asistuar në kundërshtimin e dy fraksioneve të mëdha, të vjetër sa vetë politika. Nga njëra anë familja e përjetshme – jo aq shumë ajo e armiqve të popullit ose e miqve të despotëve, por e atyre që u mahnitën nga Pushteti dhe u verbuan nga Tirania; po, familja e përjetshme e atyre që nuk mund të imagjinojnë sesi një regjim totalitarist mund të jetë i përkohshëm, kalimtar siç janë të gjitha sistemet humane, në mos më shumë.

Nga ana tjetër, vendosja e madhe e atyre, për të cilët kjo ndjenjë e çuditshme, kjo paralizë e shpirtit e imponuar nga Shtrigani ose nga Përbindëshi i Ftohtë, nuk e kishte errësuar aftësinë e gjykimit; atyre që janë të aftë të krijojnë idenë se diktaturat mbahen në këmbë vetëm në sajë të frikës që rrënjosin në popullin e tyre dhe të shqetësimit që rrënjosin në pjesën tjetër të botës; dhe sapo një reputacion dhe shqetësim i tillë pakësohet si me magji, diktaturat shemben si kështjella prej rëre, ose transformohen thjesht në “tigra prej letre”.

Kur të vijë koha, do të tregoj me detaje për atë që pashë në Libi dhe gjetkë, për këto 6 muaj që me siguri kanë ndryshuar një herë e mirë natyrën e këtij fillim shekulli. Tani për tani, në çdo rast, dua t’i bëj homazhe të gjithë atyre që në atë vend, ashtu si në tonin, nuk kanë shpëtuar nga ky bast mbi lirinë e thjeshtë të qenieve njerëzore. Kërkoj drejtësi për ata luftëtarë libianë, që më shumë se një person ka guxuar t’i quajë frikacakë që arratisen në prani të milicisë të një personazhi djallëzor, por që unë kam pasur privilegjin t’i ndjek në frontet e Bregës, Ajdabiyas dhe Misratës dhe që më shumë se një herë kanë treguar atë forcë të pamposhtur që gjatë jetës sime, kam gjetur gjithnjë në ato që e bëjnë luftën pa e dashur atë.

Unë dua të njoh të gjithë seriozitetin që ka treguar Cnt, të cilin e kam parë të lindë e të piqet dhe që – i përbërë nga burra e gra të origjinave të ndryshme, gjithnjë demokratikë ose të arratisur nga Gedafi, në mërgim prej shumë kohësh ose kundërshtarë të brendshëm – nuk kishte ndonjë përvojë në lidhje me demokracinë ose me strategjitë ushtarake dhe me gjithë këtë ka ditur të shtojë një faqe thelbësore në historinë botërore të lëvizjeve të rezistencës. Dua të lartësoj ata pilotë europian dhe sidomos ata francezë, që luftuan një luftë jo të tyren, misioni i së cilës ishte të ndihmonin popullatën civile, që ranë në duart e rrufeve të vëzhguesve të padurueshëm që në 42 vitet e gjata të kësaj diktature nuk janë ankuar kurrë për pritjen e gjatë dhe që më pas, vetëm pas 100 ditë luftimesh e gjykuan të pafundme. Ata pilotë që kanë rrezikuar jetën e tyre në mënyrë që të mos rrezikonin të godisnin ndonjë objekt civil.

E drejta e ndërhyrjes – Përsa i përket Nikolas Sarkozisë, në fund të fundit, nuk është e mundur të mos pozicionohesh në anën e tij dhe pse është e mundur të kundërshtosh dhe ky është rasti im, për pjesën tjetër të linjës së tij politike. Si nuk mund të njohim që ishte Franca ajo që mori iniciativën në ndjekjen e kësaj lindjeje të Libisë së lirë? Si mund të mos duartrokasim këmbënguljen e atyre që dhanë provat në të gjitha fazat e kësaj lufte? Si mund të mos njohim që ai bëri për Libinë atë që François Miterrand refuzoi të bënte për Bosnjën?

Rebelët, të ndihmuar nga Franca dhe nga aleatët e tjerë, kanë shkruar një faqe të re në historinë e vendit të tyre. Kanë inauguruar një epokë që do të ketë pasoja në të gjithë rajonin, veçanërisht në Siri. Do të mbetet në kronikë edhe kjo luftë kaq në antitezë me konfliktin irakian, kjo ndërhyrje ushtarake që nuk e ka hedhur me parashutë demokracinë mbi kryet e një populli të nënshtruar e të heshtur, por tek një popull që e mbështeti kryengritjen dhe e mbrojti atë demokraci dhe që, për këtë motiv, ishte pajisur me një organ përfaqësues legjitim dhe pse të përkohshëm.

Diçka vdes: konceptimi tradicional i sovranitetit, ku të gjitha krimet lejohen, me kusht që të ndodhin brenda kufijve të një shteti.

Diçka lind: ideja e universalitetit të të drejtave, që nuk është më vetëm një dëshirë, por një detyrim për të gjithë ato që besojnë seriozisht në unitetin e njerëzimit dhe në virtytin e të drejtës së ndërhyrjes, që është konkluzioni. Natyrisht, do të vijë edhe koha e pyetjeve, e dyshimeve, e hapave falsë. Tani për tani vetëm mendjet mediokre mund të dëmtojnë gëzimin e pastër që një ngjarje e jashtëzakonshme mund të bëjë nga çdo këndvështrim.

NOA

KOMENTE