Tiranë, 29 Gusht 2011 NOA - Kompania Shekulli Media Group, denoncoi sot mbylljen në një aksion të policisë Bashkiake Tiranë, mbylljen e një lokalit të tyre duke konsideruar se ishte bllokim i paramenduar dhe vjen pas publikimit të shkrimeve kritike ndaj kryebashkiakut të ri, Lulzim Basha.
Në njoftimin për media, kompania e drejtuar nga Koço Kokëdhima, njëherësh pronar i 2K, thotë se Policia Tatimore së bashku me ate Bashkiake, në një aksion gjatë pasdites së sotme bllokoi Shekulli News Caffe në zonën e ish-Bllokut.
“Aksioni i policisë u shoqërua nga disa media pranë qeverisë , gjë e cila nxit dyshimet se bllokimi ishte i paramenduar”, - vëren kompania.
Pavarësisht se Shekulli Media Group nuk kishte marrë asnjë paralajmërim për aktivitetin e tij, bllokimi u krye në kohë rekord ndërkohë që pretendimet lidhen me taksat. Në të gjithë rrugën “Ismail Qemali” ku ndodhen dhe zyrat e Shekulli Media Group, i vetmi ambient i synuar nga forcat policore ishte Shekulli News Caffe, pavarësisht se zona është e mbushur me lokale. Ndërkohë që forcat e policisë sekuestruan gjithashtu karriget dhe tavolinat duke i grumbulluar ato në një sheshpushim.
Në njoftim po ashtu vihet në dukje se Shekulli News Caffe është pjesë e projektit të ri të “Shekullit” por nën menaxhim privat. Ai ka shërbyer prej disa muajsh si vend relaksi për lexuesit duke ofruar falas gazetat Shekulli, Sporti Shqiptar dhe librat e Botimeve MAX në shërbim të vizitorëve çdo mëngjes.
Njoftimi thekson se ditët e fundit, janë shtuar fërkimet e patrullave të policisë bashkiake me zyrat e Shekullit dhe se dy ditët e fundit në dy raste të njëpasnjëshme, policia bashkiake ka bllokuar dhe gjobitur automjete të redaksisë të parkuara para zyrave. Automjetet e institucioneve të tjera të zonës (kryesisht banka) janë gjithashtu përpara tyre, por nuk janë prekur.
E përditshmja “Shekulli”, e themeluar nga biznesmeni Koço Kokëdhima më 1997, njihet si një ndër gazetat më të mëdha në Shqipëri dhe vazhdimisht ka qenë oponente ndaj qeverive. Vitet e fundit ajo ka bërë opozitë të fortë ndaj qeverisë aktuale dhe ka mbështetur kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Ditët e fundit, në disa botime të kësaj gazete vihen re shkrime kritike ndaj kryesocialistit.
e.t/NOA