Rektori i Universitetit Europian për Turizmin Prof. Dr. Salvatore Messina mori pjesë në një takim me temë “L’Italia corta” temë e njëjtë me titullin e librit që ka publikuar së fundmi Prof.Vincenzo Scotti, NënSekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme Italiane. Takimi u zhvillua në Vatolla, në ambientet e Pallatit prestigjioz të Vargas ku ka qëndruar filozofi Giambattista Vico
Itali, 29 Gusht 2011 NOA - “L’Italia Corta” “Italia e shkurtuar”, siç e ka nënvizuar në prezantimin e librit deputeti Scotti, është Italia pa Jugun, pa tërheqjet e mëdha kulturore dhe natyrore, pa produktet e shkëlqyera të verës dhe ato agroushqimore, pa detin e pastër, peizazhin, kulturën e mikpritjes karakteristike për Italinë e mesme; një Itali që dëshiron të afirmohet për kapacitetin e saj të lartë produktiv por që heq dorë nga një pjesë e kreativitetit të saj, nga kapaciteti i shkëlqyer i saj për t’u adaptuar me skenarët më të paparashikuar të ekonomisë ndërkombëtare.
“ Por Jugu mund dhe duhet të bëjë më shumë – deklaroi deputeti Scotti – duke hequr dorë nga lokalizmat, shpërdorimi i burimeve ekonomike duke shënjestruar prodhimtarinë e vet të shkëlqyer dhe turizmin.”
Mbi këtë temë u përqendrua fjala e Rektorit të Universitetit Europian për Turizmin, i cili solli të dhëna nga pritshmëritë e reja të turistit ndërkombëtar që kërkon gjithmonë e më shumë një produkt të përmasave njerëzore, një raport të vërtetë me banorët nga të cilët do të njohë kulturën qoftë edhe si pjatë tipike tradicionale lokale. Dhe Dieta mesdhetare e futur së fundmi në listën e trashëgimisë kulturore të Njerëzimit të UNESCO-s përbën një instrument të shkëlqyer kulturor dhe komunikues për territorin e Cilento-s dhe përfaqëson një thirrje shumë të mirë për turistin e ri.
“Por Cilento duhet të mësojë të përcaktojë prioritetet të cilat duhen pranuar nga të gjithë aktorët lokalë dhe të projektojë zhvillimin e vet duke vendosur në qendër të planifikimit turizmin. Për të arritur këto objektiva, duhen kompetencat e duhura profesionale në të gjitha nivelet që t’i mbështesin dhe të bëjnë të mundur që secili aktor lokal të kontribuojë për to” – nënvizoi prof. Messina.
Më pas e morën fjalën shumë kryetarë të komunave të Cilento-s që mirëpritën iniciativën dhe deklaruan përfshirjen e komuniteteve lokale për të punuar në një sinergji të plotë për të siguruar zhvillimin e turizmit në vend dhe për të frenuar eksodin e të rinjve drejt Veriut të Italisë apo jashtë kufijve të saj.
Në fund të punimeve, prof. Messina, Rektori i EUFT, ka ftuar deputetin prof. Scotti – NënSekretar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë dhe president i Universitetit Link Campus të Romës – të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të diplomave të nivelit të parë studentëve të Universitetit Europian për Turizmin dhe në inaugurimin e vitit të katërt akademik të Universitetit, që do të zhvillohet në javën e parë të nëntorit 2011.
e.t/NOA