English

Vrasja e Fierit, policia: I dyshuari tentoi flijimin se i kërkuam të dorëzohej

Fier, 29 Gusht 2011 NOA – Krimi që ndodhi dje në qendër të qytetit të Fierit precipitoi deri në vetëvrasje që u tentua nga i dyshuari për shkak se ai u rrethua nga forcat policore dhe refuzoi të dorëzohej.

Korrespondenti i agjencisë NOA duke iu referuar informacionit nga vendi i ngjarjes, tek ish banka e vjetër siç njihet zona tek lagjja “11 Janari” në Fier dhe të dhënave zyrtare policore.

Sipas tyre, autor i vrasjes së 55-vjeçarit Et’hem Spahia, banues në qytetin Fier, është 25-vjeçari Dilaver Adushaj, banues në qytetin e Roskovecit.

Nga hetimet e deritanishme ngjarja e rëndë rezulton se ka ndodhur për motive të dobëta.

Adushaj, rreth orës 18.30 të ditës së djeshme ka sulmuar Spahinë, një kambist i njohur në Fier dhe e ka qëlluar me thikë duke e lënë të vdekur.

Duke qenë se ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, në vendin e krimit u afruan shpejt shumë uniforma blu, nga patrullat rrugore si dhe nga Drejtoria e policisë e cila ndodhej pak metra më tutje. Duke qenë se situata premtonte agravim, mbërritën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.

Forcat policore kanë ndjekur Adushajn dhe pak minuta më vonë kanë kërkuar nga i dyshuari që të dorëzohej pas krimit të kryer. Por nuk ishte e lehtë. Adushaj me thikë në dorë, në prani të shumë qytetarëve përreth që u vunë nën panik, ka rezistuar duke u bërë të qartë policëve se nuk kishte ndërmend i gjallë të binte në duart e tyre.

Në këto rrethana dhe pas thirrjes nga policia për dorëzim, i dyshuari i vrasjes tentoi të vetëvritej me armën e krimit. Kurse pas negociatave nga Forcat Speciale të qarkut të Fierit dhe shërbimet e Policisë, u bë i mundur neutralizimi dhe më pas arrestimi i tij.

e.t/NOA

KOMENTE