English

Bie nga çatia ndërsa punonte, gjen vdekjen emigranti shqiptar në Itali

Castelfiorentino, 30 gusht, NOA – Ka qenë tragjik fati i një emigranti shqiptar në Itali, i cili ka rënë nga çatia, teksa po punonte. Ngjarja fatale është komunikuar nga mediat italiane, sipas të cilave, 44-vjeçari Ndoc Gomila, ka humbur jetën gjatë punës së kontrollit të çatisë së një godine.

Konkretisht, thuhet se ai ra prej saj, pas një fluturimi prej tetë metrash dhe se gjeti menjëherë vdekjen.

Ai ishte një emigrant shqiptar i paligjshëm dhe ka punuar në një kompani ndërtimi të krijuar nga një bashkatdhetar i tij shqiptar.

Ndoci, ishte i martuar dhe ka lënë pas tij, tre fëmijë për t’u rritur.

Mësohet se aksidenti fatal në punë, ndodhi në Castelfiorentino, ndërsa ai i shtohet listës së viktimave italiane që humbin jetën gjatë punës.

Ka qenë një kompani që merret me vendosjen e xhamave, e cila i ka kërkuar që të ndërhynte në çatinë e një godine, për të siguruar papërshkueshmërinë e saj nga uji.

Siç raportohet nga mediat italiane, bashkatdhetari i viktimës, që e kishte marrë në punë atë, Renato Ndreu, tashmë është vënë në pranga nga karabinierët.

Ai u arrestua nën akuzën e vrasjes dhe shfrytëzimit të punëtorëve të paligjshëm dhe tani është i mbyllur në burg.

Nga ana e saj, policia ka dërguar në vendngjarje ekspertë për sigurinë në vendet e punës, për të kuptuar më mirë shkaqet e kësaj vdekje të trishtë.

n.e/NOA

KOMENTE