English

Gaddafi strehohet në qytetin Bani Walid, familja në Algjeri

Tripoli, 30 gusht, NOA- Është identifikuar më në fund vendosja e Muammar Gheddafit. Sipas raportimeve të mediave, ai ka shkuar në jug të vendit në Bani Walid. Kjo krahinë është nën kontrollin e tribusë Warfalla dhe ndodhet 100 km nga Tripoli.

Bashkë me të është dhe djali Saif al-Islam e Saadi.

Ndërsa pjesa tjetër e familjes së diktatorit libian në ilegalitet Muammar al-Gaddafi është larguar në drejtim të Algjerisë fqinje. Sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme në Algjer fjala është për gruan e despotit, për vajzën e tij dhe për dy djem. Këshilli Libian i Tranzicionit kërkoi prej Algjerisë dorëzimin e të afërmve të Gaddafit. T'u japësh atyre strehim, është një akt agresioni kundër popullit libian, tha ministri i Informacionit i Këshillit të Tranzicionit, Mohammed Shammam.

Sipas të dhënave të rebelëve shefi i shërbimit të fshehtë të Gaddafit Abdullah Senussi u vra gjatë një përplasje me kryengritësit. Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë pati lëshuar tri javë më parë urdhërarrest kundër Senussit për arsye dyshimi për krime lufte të rënda. Ndërkaq NATO-ja i përforcoi sulmet e saj kundër caqeve në rajonin e prejardhjes së Gaddafit, Sirte.

a.k/NOA

KOMENTE