English

Mediat greke: Tensione të forta etnike mes Shqipërisë dhe Greqisë

Athinë, 30 gusht, NOA – “Në lagjen Metaxourgeio të Athinës, çdo mbrëmje mjaft autobusë nisen për në Shqipëri. Pasagjerët marrin me vete sasi të pafundme bagazhesh apo kutish kartoni, duke ngjarë se po lëvizin tërë shtëpinë dhe jo duke shkuar thjesht me pushime, ose për një vizitë të shkurtër ...”.

Kështu nis një shkrim i posaçëm i agjencisë greke “Athens News”, titulluar “Tensione etnike në Shqipëri”, duke iu referuar problematikave më të nxehta mes dy vendeve tona, që nga lëvizjet e emigrantëve, vrasja e Aristotel Gumës, regjistrimi i popullatës etj.

Fillimisht, ai tregon sesi shqiptarët që kanë jetuar dhe punuar për vite me radhë në Greqi, kanë nisur të kthehen në Shqipëri për shkak të krizës në këtë vend. Dhe së dyti, pohon faktin se turizmi është një treg në rritje në Shqipëri.

“Sot, shumë prej atyre që lënë pas një vend që po lufton me depresionin kanë filluar të shohin një të ardhme në Shqipëri, duke parë sesi po përparon kriza ekonomike evropiane. Në kontrast me Greqinë, ku ekonomia shënoi një rënie me - 4.5 për qind në vitin 2010, Shqipëria ka dëshmuar një ritëm prej 3.5 për qind rritje”, vijon artikulli në fjalë.

Duke shtuar më tej se punëtorët emigrantë shqiptarë që janë larguar nga Greqia, duke kthyer në vendin e tyre 2 miliardë euro, duke krijuar kështu një ndikim të konsiderueshëm mbi ekonominë shqiptare.

Të ashtuquajturit “tensione etnike” Më tej, ai citon faktin se në vendin tonë, vijojnë që të jenë ende të nxehta, ato që mediat greke, i quajnë tensione etnike mes shqiptarëve vendas dhe minoritarëve grekë.

Duke iu referuar raportit të botuar në shkurt 1995, nga “Human Rights Uatch”, që u fokusua në trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri. Raporti në fjalë pohoi se në përgjithësi, marrëdhëniet midis grekëve të Epirit të Veriut, (një term i përdorur nga grekët, por refuzohet nga shqiptarët), dhe shqiptarëve ishin paqësore, por shumë probleme serioze mbeteshin ato në lidhje me lirinë e shprehjes dhe të fesë.

”Grekët e jugut të Shqipërisë janë autoktonë në rajon dhe të njohura nga qeveria në Tiranë si një pakicë kombëtare.

Problemi kryesor është se zona e caktuar, e cila u jep të drejta pakicave, mbulon vetëm një pjesë të vogël ku jetojnë grekët. Për më tepër, ajo nuk përfshin Himarën, ku shumica e banorëve janë grekë”, pretendon artikulli i “Athens News”.

Duke vijuar më pas se çfarë është e habitshme, është se si lidhet minoriteti grek në Shqipëri me shtetin grek, me përmendjen e faktit se “kur je duke ecur përgjatë rrugëve të Sarandës, pavarësisht nga numrat e jashtëzakonshëm të makinave Mercedes, është e lehtë të harrosh se jeni jashtë Greqisë”.

Përmendur këtu detaje si kuzhina, muzika, flamujt, kisha ortodokse greke dhe më e rëndësishmja, aftësia për të folur greqisht.

Artikulli në fjalë, pohon se qyteti i Sarandës është i populluar nga rreth 11.000 banorë, duke i cilësuar kryesisht grekë dhe që 85 për qind e tyre flasin greqisht, si gjuhën e tyre amtare. E duke përmendur me emrin e fshehur Eleni, një mësues të teologjisë greke në Himarë, artikulli pohon se gjoja komuniteti grek kishte frikë të flaste greqisht dhe ndihej i diskriminuar nga shteti shqiptar.

Vrasja e Aristotel Gumës

Ndër të tjera përmendej edhe argumenti i vrasjes së Aristotel Gumës, duke e cilësuar atë si viktimë të një vrasjeje të motivuar racore e cila shkaktoi një reagim të fortë nga Athina. Vetë kryeministri Jorgos Papandreu deklaroi se "rritja e nacionalizmit në mesin e grupeve ekstremiste në Shqipëri është një çështje shumë serioze".

“Rëndësia e vrasjes është se edhe pakicat e tjera ndjehen të pasigurta dhe shërbeu si një pikë referimi në rritjen e tensioneve etnike”, citon “Athens News”.

Regjistrimi

”Është e pamundur për të llogaritur numrin e saktë të minoritetit grek, teksa hera e fundit të regjistrimit është kryer në Shqipëri ishte në vitin 1989. Regjistrimi ishte planifikuar të mbahej këtë vit, por ai ka qenë burim i shumë polemikave dhe u shty.

Organizatat etnike greke janë shtyrë për të drejtën e deklarimit të etnicitetit të tyre në regjistrim, ndërsa ngastra të mëdha të shoqërisë shqiptare kanë frikë se mund të mbështesin çdo kërkesë të Epirit të Veriut”, citon më tej artikulli, lidhur me çështjen e regjistrimit të popullatës në vendin tonë.

Duke përmendur më pas edhe debatin mbi deklaratat e bëra nga konsulli grek në Korçë, Theodoros Ikonomou, e cila shkaktoi një valë të polemikave në shkurt, kur ai u bëri thirrje të gjithë njerëzve për të deklaruar etnicitetin e tyre.

“Në përputhje me ambiciet e Shqipërisë për t'u bashkuar përfundimisht me Bashkimin Evropian, është e rëndësishme për vendin që të jetë në gjendje të përcaktojë veten demografikisht përmes një regjistrimi.

Por për momentin nuk ka zgjidhje, pasi pasiguria ekonomike vazhdon në Evropë si një e tërë dhe autobusë të ngarkuar me njerëz, po kthehen në Shqipëri ...”, përfundon artikulli në fjalë.

n.e/NOA

KOMENTE