English

Minatorët alla-Dikens

Nga Elsa Ballauri

Ditët e gjata, netët e stërgjata dhe të skëterrshme, e gjithë historia alla-Dikens e minierës së Bulqizës, e përfunduar deri para dhjetë ditësh në një situatë tronditëse të njerëzve të ngujuar në qindra metra thellësi dhe e pasuar nga përballje të tjera të tendosura, realisht duhet të jetë ngjarja më e rëndësishme e kësaj vere. Historia e grevës nuk duket nga ato që iu dihet përfundimi (ose përfundimi i ditur ende nuk është shfaqur), këmbëngulja e minatorëve për të plotësuar kërkesat e tyre po i reziston me seriozitet edhe kompanisë koncesionare. “ACR”, edhe institucioneve të shtetit shqiptar. Megjithëse tashmë grevat nuk janë “një çudi” në Shqipëri, ia vlen të kujtohet Shqipëria e dikurshme, e viteve të diktaturës, kur askush nuk mund të ngrihej kundër ligjeve të shtetit, revolta as nuk duhej shkuar nëpër mend (ka pasur raste kur edhe për këtë “krim” janë dënuar njerëz), pale të organizohej. Shqipëria e tanishme, e një sistemi të ri pas diktaturës, që ne e pretendojmë demokratik, ka krijuar shumë mundësi për ta bërë individin të njohë, të kuptojë dhe të zbatojë të gjitha të drejtat e tij për të kundërshtuar shtetin kur mendon se ky nuk e respekton apo e ka dhunuar…. Por, çfarë ka të ndryshme Bulqiza e tanishme nga të tjera greva? Së pari, ndryshe nga herët e tjera, ka një rezistencë të gjatë qytetare nga ana e grevistëve, e familjeve dhe e komunitetit të minatorëve. Zakonisht ndodh që kur një fuqi qytetare ngrihet kundër institucioneve, qoftë shtetërore apo private, dhe kur të dyja palët janë “kokëforta“, shumë shpejt fuqia qytetare bie. Vjen kjo si rezultat i pasigurisë, i lodhjes, i mungesës së besimit, i sabotimeve, i interesave konformiste të momentit etj. Degradimi i fuqisë qytetare është nga më tipikët në Shqipëri, sepse është modeli i dështuar i shoqërive të paformuara dhe me përmbajtje demokratike të dobët. Bulqiza po na tregon disa zhvillime të ndryshme: Këmbëngulja e minatorëve është një shenjë e mirë, e cila forcon ndjenjën qytetare dhe sistemin demokratik në tërësi. Së dyti, kemi një nga rastet fatlume ku sindikatat veprojnë, orientojnë dhe rezistojnë. Natyrisht që veprimet e tyre janë paragjykuar (asgjë në Shqipëri nuk i shpëton paragjykimit), janë përballur me negativitetin që gjeneron i pari si “argument“. Sindikatat? Janë të shitura…. Pas kësaj i bëhet një “biografi“ e gjatë veprimeve të tyre, ku aksh drejtues ka miqësi apo ka mbështetur aksh kryetar partie apo kryetar bashkie. Fjala e (për)dalë, në vend që të kundërshtohet që në fillim, merr rrugë dhe fillon institucionalizohet. Asnjë argument nuk pi ujë më tutje…. Të gjithë vrapojnë pas gjykimit të paragjykuar: e ledhatojnë, e zbukurojnë, e veshin me fakte të qena e të paqena, i japin rëndësi. Nuk hapet diskutim dosido, por “i shëndoshë“, mbi baza të vërteta thashethemesh, inatesh dhe interesash. Sindikatat, një nga pikat më të dobëta që ka shoqëria shqiptare, ato që kanë vënë bazën e zhvillimeve sociale dhe të drejtave të individit në shumë vende të botës, …në Shqipëri edhe kur ngrenë kokën, goditen me një tokmak të fortë dhe këmbëngulës. Fatkeqësia bëhet më e plotë kur në këtë gijotinë nuk merr pjesë vetëm firma e interesuar, në rastin tonë “ACR”-ja, por edhe shteti me zyrat e veta ministrore, apo gjykata dhe policia, njëra me vendime të marra, tjetra me vendime për t´u zbatuar. Në një përpjekje me policinë, edhe një masë e ligjshme e policëve për t’u mbrojtur i ka shkaktuar koma punëtorëve të pafuqishëm fizikisht, të sëmurë dhe të pakuruar (studim mbi pasojat e nëntokës mbi organizmin njerëzor…???). Nuk jam asnjëherë në anën e atyre që shkelin ligjet apo bëjnë protesta të palejuara. Por, jam totalisht në anën e minatorëve, këtyre njerëzve që hyjnë me qindra metra nën dhé, në kushte ekstremisht të vështira. Isha vetë në minierën e Bulqizës ndërkohë që minatorët vazhdonin të ishin në grevë. Një rrugë dhe natyrë e mrekullueshme, e hijeshuar nga Mati, të shpinte drejt një vendi krejtësisht të kundërt për nga bukuria. Miniera transmeton trishtim, vuajtje, varfëri dhe pasiguri. Nuk mund ta besosh se atje jetohet një gjysmë jete e secilit dhe se këta njerëz që punojnë janë disa shqiptarë hallexhinj që kanë një rrogë minimale dhe në çdo moment të ditës së punës mund t´u kanoset vdekja. Miniera i ngjan një fantazme. Më thanë që gratë që punonin në një nga sektorët e minierës nuk kishin as vend ku të ndërronin rrobat e punës dhe ujin për t’u larë e hidhnin me bidonë. Nëntoka ishte një tjetër botë: në ato kushte miniere, ajo që minatorët kërkojnë është të kenë më shumë siguri, mjete dhe kushte më të mira. Asgjë e tepruar, madje e tepruar është ideja që ata kërkojnë një gjë që është detyrim i shtetit për ta plotësuar. Në këtë histori të Bulqizës, shteti shqiptar duket se është në një përgjegjësi jo të drejtpërdrejtë. Formalisht, po, por realisht, jo. Sepse së pari shteti shqiptar është përgjegjësi i parë për sigurinë, jetën dhe mbarëvajtjen e qytetarëve të vet. Pavarësisht nga firmat e huaja apo private koncesionare, është shteti shqiptar ai që duhet të përkujdeset për qytetarët, që të sigurohet se atyre nuk do t’u ndodhë gjë, madje të jetë ai i pari që do të kërkojë llogari për çdo jetë të pasigurt minatori… (është pak ironike për të rikujtuar historinë e minierës në Kili një vit më parë dhe përpjekjet që bëri qeveria e atjeshme për të shpëtuar jetët e punëtorëve). Për fat të keq, roli i shtetit duket se është në një mbrojtje pasionante të një firme koncesionare, prepotente, në dem të shqiptarëve të vet. Ky është një model i gabuar, negativ që u jepet minatorëve të pashpresë, por edhe shqiptarëve të tjerë që e ndiejnë veten të pambrojtur në çdo rrethanë të ngjashme në të ardhmen. Ndërkohë, insistimi dhe serioziteti i grevistëve është shumë i admirueshëm. Ky duhet të jetë një mesazh i madh për qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile që t’u qëndrojnë në krah punëtorëve të minierës së Bulqizës për të ndihmuar jetët e tyre. Të drejtën për një jete normale dhe të sigurt e ka çdokush, le të ndihmojmë për këtë.

KOMENTE