Nga Shkelzen Maliqi
Kancelarja Angela Merkel e tha javën e kaluar troç te vendi, në Beograd, se Serbia nuk duhet t’i mbajë më institucionet paralele në Kosovë. Kancelarja kështu, praktikisht në emër të shumicës dërmuese në BE, i preu të gjitha mëdyshjet rreth solucioneve “kompromise” që nënkuptonin ndarjen e Kosovës. Kosova si shtet që e kanë njohur fuqitë perëndimore dhe mbi 80 shtete tjera, i ka kufijtë e vet të tilla çfarë janë, dhe nëse Serbia synon që të bëhet anëtare e BE-së, edhe ajo duhet ta njeh realitetin se Kosova si tërësi është shkëputur nga Jugosllavia dhe Serbia në vitin 1999 dhe e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008.
Vetëdijesimi dhe realizmi në Serbi rreth humbjes definitive të Kosovës është në rritje që nga viti i kaluar kur GJND-ja refuzoi padinë e Serbisë që pretendonte se shpallja e pavarësisë ishte shkelje e së drejtës ndërkombëtare, por ritmet e kësaj rritjeje janë shumë të ngadalta. Angela Merkel mbase deshi që ta këndellë Beogradin nga iluzionet, pasi që nuk dha rezultate as dialogut i ndërmjetësuar nga BE-ja, që i jepte shansin Serbisë që gradualisht ta pranojë realitetin e ri në Kosovë. Vetëm se qeveria aktuale serbe ka menduar se me dialog mund të fitohet jo vetëm në kohë, por edhe “beteja diplomatike”, që të paktën të zyrtarizohet pushteti ilegal serb në veri dhe kështu imponohet ndarja, të cilën edhe e pat propozuar publikisht para do kohe ministri i rendit serb, Ivica Daçiq.
Retorika e radikalëve (por edhe e vet kryetarit Boris Tadiq, i cili i ka parasysh sfidën e zgjedhjeve të përgjithshme që duhet të mbahen vitin e ardhshëm në Serbi), tani janë përqendruar në mbrojtjen e pushtetit paralel në veri. Ata i shohin institucionet paralele si institucione legjitime sepse, sipas tyre, përfaqësojnë vullnetin e shumicës së popullsisë serbe. Me që ato institucione kanë dalë nga zgjedhjet paralele që janë toleruar më herët nga UNMIK-u, e së voni edhe nga EULEX-i, këto institucione ata i quajnë edhe “demokratike”, që tani po u “dhunuakan” nga ata që, si Angela Merkel ose Qeveria e Kosovës, kërkojnë zhbërjen e tyre.
Lindja e kësaj “demokracie” veriore ka një histori jo të këndshme, që rrjedh nga gabimet që i ka bërë protektorati ndërkombëtar mbi Kosovën që nga viti 1999. Pas intervenimit të NATO-s në veri të Kosovës është vendosur një provizorium i kufijve në veri dhe janë krijuar enklavat e mbrojtura serbe, që për qëllim kanë pas mbetjen e popullsisë serbe në Kosovë pas tërheqjes së forcave militare serbe. Intervenuesit nuk kanë dashur që ndëshkimi i tyre i politikës kriminele të Milosheviqit të përfundojë me eksod masiv të serbëve, sepse kjo intervenimit do t’i jepte ngjyrimin “proshqiptar”. (këso akuza ende dëgjohen nga lobistët serbë në botë). NATO intervenojë në Kosovë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e njeriut dhe parimet e demokracisë, e jo thjesht si një aleate për realizimin e “kauzës shqiptare”. Për këtë shpesh ka keqkuptime në Kosovë në qarqet nacionaliste, qoftë kur e idealizojnë, qoftë qortojnë rolin e NATOs.
Protektorati ndërkombëtarë mbi Kosovën, që iu dha UNMIK-ut, kishte për detyrë krijimin e kushteve për ndërtimin e një sistemi demokratik multinacional dhe multikulturor në Kosovë. Por dobësia trashanike e këtij misioni ka qenë që nuk respektoi parimet e njejta në administrimin e Kosovës. Përderisa në pjesën dërmuese të Kosovës UNMIK-u ndërtoi institucionet e bashkëqeverisjes me shqiptarët dhe përfaqësuesit e etniciteteve tjera, në zonat e banuara me shumicë serbe është toleruar instalimi i pushtit që ishte vazhdimësi e institucioneve të Serbisë dhe e mbante gjallë idenë, dhe jo vetëm idenë, e sovranitetit serb mbi Kosovën. Këtë pushtet paralel, posaçërisht në veri, deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës e edhe sot, e mbajnë forcat radikale, ultranacionaliste dhe raciste serbe, që në ndërkohë u fuqizuan edhe ekonomikisht duke “punuar“ me bosët e kontrabandave dhe të bizneseve të mëdha nga Serbia dhe partnerët e tyre nga Kosova. Kjo për pasojë kishte një rezultat paradoksal: nëse Milosheviqi u mposht më 1999 ushtarakisht, një segment i politikës së tij u amnistua pa ndëshkime në veri të Kosovës, në emër të një “tolerance” të rrezikshme. U lejua fuqizimi i një sistemi bastard milosheviqian, që rrënjët i kishte gjithsesi në Beograd, por edhe në Moskë e cila bllokoi zgjidhjen e çështjes së Kosovës në KS të OKB.
As EULEX-i me atë mandatin e paqartë të tij nuk ka dashur që të zhbëjë bastard realitetin në Veri, që pretendonte të funksionoj si Republika Serbska, gjithnjë mbi platformën serbomadhe, të një shtetit brenda shteti, ose edhe më saktë, si agjent i sovranitet serb mbi tërë Kosovën. Angela Merkel e kthen politikën evropiane atje ku është dashur të jetë që në fillim, kur është ndëshkuar Milosheviqi. Kufijtë e Kosovës janë këta që janë të trashëguara nga shkatërrimi i Jugosllavisë, - nuk është me rëndësi si janë bërë, - dhe sistemi demokratik në Kosovë duhet të ndërtohet brenda këtyre kufijve, e jo sipas vullneteve të cilitdo etnonacionalizmi, sidomos jo me vullnetin e etnonacionalizmit më të rrezikshëm dhe më agresiv, atij serb.
Nuk është demokraci por etnokraci dhe projekt nazist një “vullnet” që thotë “ne nuk duam dhe nuk mund të jetojmë në një shtet ku shumicën e përbëjnë shqiptarët!” Nëse Beogradi i jep përkrahje kësaj platforme naziste, pse atëherë nuk i hap rrugë edhe vullneteve të etnive që në mënyrë të koncentruar jetojnë në Serbi, shqiptarëve në Luginën e Preshevës, myslimanëve në Sanxhak, hungarezëve në pjesët e Vojvodinës ku janë shumicë? Kjo joparimësi e qëllimtë e Beogradit, të çon sërish te Milosheviqi dhe ideologët e nazizmit serbë që racën serbe e konsideronin si superiore ndaj fqinjëve.
Është një propagandë e keqe kur Beogradi zyrtar thotë se zhbërja e pushtetit ilegal në veri është “zhbërje e demokracisë”. Serbët në veri nuk do të mbesin pa institucionet e tyre, por do ti kanë, si edhe serbët në Graçanicë dhe në komunat tjera me banorë serbë, të drejtat e mëdha dhe garantuese nga Plani i Ahtisarit.
Por mirë është që nazizmin serb dhe etjen për territore e denoncoj qartë një politikane e formatit nga Gjermania, që është edukuar në frymën antinaziste dhe europiane.