English

Nis debati në Këshillin e Sigurimit, Jeremiç: Jo, pavarësisë së njëanshme

Nju Jork, 30 gusht 2011, NOA/ Albana Qehajaj – Këshilli i sigurimit i Organizatës së kombeve të bashkuara ka nisur diskutimet lidhur me raportin e Ban Ki Moon për situatën në veri të Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç gjatë fjalës së tij ka përsëritur qëndrimin e Serbisë për mosnjohje të pavarësisë së Kosovës. “Ritheksoj pozicionin tonë të Serbisë, karshi shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. Ne nuk e mbështesim. Shumica e shteteve të OKB-së, e respektojnë integritetin dhe sovranitetin e Serbisë në përputhje të konventës ndërkombëtare. Dhe ne shprehim mirënjohjet tona më të thella dhe inkurajojmë që ato pozicione ato t`i ruajnë dhe të mos mbështesin shpalljet e njënshme dhe të mos i legjitimojnë ato”, u shpreh Jeremiç. Sa i takon trazirave në Veri të Kosovës, Jeremiç tha se, muaji i kaluar ka bërë që rajoni të jetë i pasigurt për shkak të vendimarrjes së kryministrit të Kosovës për këtë zonë.

“Në 25 korrik ishin disa dhjetëra persona të armatosur rëndë që kaluan lumin Ibër duke shkelur marrëveshjen EULEX-Prishtinë. Qeveria jonë ka dërguar një delegacion për uljen e tensioneve dhe kemi mbështetur punën e KFOR për rikthimin e qetësisë. Kemi takuar Byhler, por pas një tërheqje disa nga ushtarakët janë rikthyer, kjo ka çuar në fatalitet dhe në reagimin e dhunshëm të pjesëtarëve të komunitetit serb aty”, vijoi Jeremiç.

Në raportin e tij, Moon thotë se situata e përgjithshme e sigurisë në veri të Kosovës në periudhën prej 16 prillit deri më 15 korrik, ka qenë kryesisht e qetë, por tensionet janë ngritur se fundmi. Ban Ki-Mun fton të gjitha palët që të përmbahen nga hapat e njëanshëm, të cilët mund të rrezikojnë përparimin e arritur në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka apeluar që të mos ketë më ngritje të tensioneve.

a.q/NOA

KOMENTE