E martë, 30 gusht 2011, NOA- Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet reagoi sot, për qëndrimin e drejtorit të përgjithshëm të policisë greke Eleftherios Ikonomu gjatë vizitës së djeshme të tij në Shqipëri.
Sipas PDIU, Ikonomu konfirmoi se arsyet e refuzimit të qytetarëve me origjinë çame janë thjesht politike.
Në deklaratën e kësaj partie thuhet se, “I pyetur nga gazetarët shqiptarë mbi refuzimet e pleqve shqiptarë me origjinë çame në kufi, drejtori i përgjithshëm nuk dha asnjë përgjigje me vlerë, ose refuzoi të përgjigjej. Me mospërgjigjen e tij ky zyrtar i lartë i policisë greke, konfirmoi se refuzimi i turpshëm i qytetarëve të moshuar shqiptarë me origjinë çame nuk është për shkaqe policore. Nëse do të ishte kështu, ai nuk do të kishte problem të jepte një përgjigje. Pra, ky zyrtar konfirmoi në mënyrën më të mirë se vendimi për refuzimin e qytetarëve me origjinë çame është politik”.
Sakaq PDIU ngre pyetjen për institucionet europiane: A ka ndonjë arsye politike që një shtet anëtar i Bashkimit Europian, të bllokojë qarkullimin e lirë të njerëzve, parimin e shenjtë mbi të cilin është themeluar Bashkimi?
Pas kësaj, nga ana e kësaj partie është shprehur një falënderim për autoritetet shqiptare të policisë që e kanë ngritur çështjen në komunikimin me homologët grekë.
a.y/NOA