English

Prishtinë: Shkon në rrojtore, e therin me thikë dhe e qëllojnë me plumba

Prishtinë, 30 Gusht 2011 NOA – Ajo që donte të bënte një burrë në Prishtinë, mesditën e sotme, ishte vetëm të qethej dhe të rruhej. Por është përgjakur, jo nga brisku i berberit por nga thika e katër meshkujve që nuk ngurruan dhe ta qëllojnë me armë zjarri.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orën 13.30 në Ulpianë, raporton korrespondenti i agjencisë NOA në Prishtinë.

Një burrë ka shkuar në rrojtoren ku shkonte rregullisht, disa qindra metra afër banesës së tij dhe ka nisur të qethet e të rruhet.

Por në një moment, ai është gjendur nga breshëria e sulmeve me thikë dhe me armë zjarri, nga katër burra që e futën në mes.

Në gjendje të rëndë për jetën, i dëmtuari është dërguar ne QKUK-Prishtinë, ku mjekët pohojnë se situata e tij është kritike.

Lidhur me ngjarjen, Policia e Kosovës tha zyrtarisht për agjencinë NOA se “viktima është sulmuar dhe qëlluar nga katër meshkuj me mjet te mprehtë thikë, në një rrojtore për shkaqe të panjohura”.

Policia shtoi edhe se i plagosuri po ashtu u qëllua edhe me armë zjarri nga katër të panjohurit. Policia tha se është vënë në kërkim të të dyshuarve por ende nuk ka arritur të lokalizojë vendndodhjen e tyre dhe as t’i identifikojë ata.

a.b/e.t/NOA

KOMENTE