Tiranë, 30 gusht 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Kreu i shtetit Bamir Topi, edhe në ditën e festës së Fiter Bajramit pas vizitës së bërë te Komuniteti Mysliman, i lëshoi një mesazh politikës shqiptare, duke u kërkuar që të tregohen më tolerantë dhe më të butë.
Fillimisht ai e cilësoi ditën e sotme si një ditë të bekuar, duke uruar më tej për tolerancë e begati të gjithë besimtarët mysliman.
Ndërsa më tej, Presidenti Topi lëshoi një tjetër apel për qytetarët dhe politikanët duke u shprehur: “Besoj se është një nga ditët që i mbush ata me lumturi dhe sipas profetit Muhamed, kjo është dita kur të gjithë duhet të japin më shumë dashuri, tolerancë dhe mirëkuptim. E gjithë shoqëria duhet që në këto kushte të tolerojë dhe të japë më shumë, dhe kjo vlen më shumë për politikanët dhe institucionet, në mënyrë që të tregojnë më shumë tolerancë dhe butësi në mesazhet e tyre. Por sot, është edhe dita kur ne duhet të kemi një mendim më të qartë për njerëzit që janë në nevojë. Dhe në këtë mënyrë Shqipëria ka shanset të shkojë në familjen e madhe evropiane”.
a.y/NOA