English

“Baleti shqiptar” mes Lindjes dhe Perëndimit

Mbetet mister fakti nëse Berisha e inicioi këtë marrëveshje me vullnetin e tij të lirë, apo u detyrua. Rasti i parë është i besueshëm, duke parë kurbën e marrëdhënieve ruso-shqiptare, e cila ka ardhur në ngritje dora-dorës që janë ftohur marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n

Nga Alket Aliu

Vizita në Ballkan e posaçërisht në Tiranë e presidentit të Komitetit Shtetëror të Antidrogës, njëkohësisht drejtori i Shërbimit Federal të Kontrollit të Qarkullimit të Narkotikëve i Federatës Ruse, Viktor Ivanov, nuk përbën një mision të thjeshtë policor. Është padyshim pjesë e strategjisë së kontrollit të territorit, në mënyrë të posaçme në Kosovë. Ringritja e Rusisë gjatë viteve të fundit ka sjellë edhe ashpërsimin e konfliktit të vjetër Moskë-Uashington, ndonëse NATO dhe Rusia nuk humbin rast pa biseduar për sheshimin e mosmarrëveshjeve. Por njëkohësisht nuk humbin rast pa “ia futur” njëri-tjetrit në rastin më të parë.

Në konfliktin e ri që po përvijohet Lindje-Perëndim, Shqipëria është e pozicionuar zyrtarisht si anëtare e NATO-s, por duket se ende nuk e ka zgjedhur pozicionin e saj përfundimtar. Të cilin, pavarësisht aspiratave të popullit filoamerikan të Shqipërisë, kryeministri i vendit po mundohet ta shtyjë sadopak drejt boshtit Moskë-Beograd. Duke përfituar nga fakti se SHBA dhe BE janë të fokusuar në “pranverën arabe”.

Fakti që Ivanov është takuar me Patriarku i Serbisë Irinej është tepër domethënës për një vizitë që nuk mund të konsiderohet thjesht policore. Njeriu i besuar i Putinit ka ardhur në Ballkan me një mision të qartë kundër Republikës së Kosovës, mision të cilin e përmbushi me sukses në Tiranë. Marrëveshja Ivanov-Nishani është përshëndetur nga Rusia, e cila është shprehur tepër e kënaqur me faktin se ka realizuar ndërhyrjen policore në Kosovë me duart e vetë shqiptarëve.

Mbetet mister fakti nëse Berisha e inicioi këtë marrëveshje me vullnetin e tij të lirë, apo u detyrua. Rasti i parë është i besueshëm, duke parë kurbën e marrëdhënieve ruso-shqiptare, e cila ka ardhur në ngritje dora-dorës që janë ftohur marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n. E përjavshmja “Investigim” ka dokumentuar gjatë vitit të fundit pikërisht strategjinë politike të kryeministrit Berisha që sa herë merrte ndonjë shpullë në Bruksel apo Uashington, dërgonte emisarët e tij në Moskë apo ftonte politikanë e biznesmenë rusë në Tiranë. Por me gjithë përvojën e madhe në pirueta politike e gjeopolitike të kryeministrit, ky nuk është një balet i lehtë për Berishën, i cili armiqësinë e Perëndimit e ka provuar në kurriz kur mendonte se kishte në dorë gjithë pushtetin, aq më tepër që diktatorët apo autoritarët po bien si gurët e dominosë. Në një rast të tillë duhet marrë në konsideratë edhe rasti i dytë, që Berisha të ketë qenë i detyruar të shkojë në shtrat me Putinin. Fakti që si pretekst për vizitën e Ivanovit u përdor heroina e Afganistanit (e cila nuk përbën kurrfarë rreziku për Rusinë) mund të ketë qenë një mesazh i koduar për vetë Berishën. Të cilit, veç mëkateve të reja, mund t’i kenë kujtuar edhe ato të vjetrat. Duke e detyruar të mos harrojë zanatin...

KOMENTE