English

Basha- Arvizu: Synimi i SHBA, përmirësimi i jetës së qytetarëve në Tiranë e Shqipëri

Tiranë, 31 gusht 2011, NOA- Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha gjatë ditës së sotme priti në takim, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu.

Në këtë takim, Basha e informoi diplomatin amerikan mbi projektet e tij për administrimin e qytetit si dhe mbi planet e Bashkisë për mbrojtjen e konsumatorit, decentralizimin, reformat strukturore, reduktimin e barrierave fiskale, thithjen e investimeve të huaja, projektet në infrastrukturë etj.

Ndërsa, nga ana e tij, ambasadori Arvizu shprehu mbështetjen dhe gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme të përbashkëta me Bashkinë e Tiranës, si reduktimi i barrierave ndaj biznesit, reforma fiskale dhe promovimi i qytetit.

Në vijim Basha i shprehu mirënjohjen dhe falënderimin ambasadorit, për mbështetjen dhe ftoi biznesin amerikan, të bëhet pjesë e investimeve dhe projekteve zhvilluese për qytetin.

Ndërsa në prononcimi ne dhënë për mediat Basha tha, “Me kënaqësi të veçantë, prita sot në zyrë ambasadorin Arvizu. Së pari e falenderova për mbështetjen që Ambasada amerikane i ka dhënë Bashkisë së Tiranës në vite, punës së saj në shërbim të qytetarëve. Së dyti e informova për prioritetet e punës sonë në drejtimet kryesore , në zhvillimin ekonomik të Tiranës dhe rritjen e shanseve për punësim, në përmirësimin e cilësisë së jetës nëpërmjet ndërhyrjeve urbane dhe nëpërmjet një qeverisjeje më transparente, më efikase dhe më në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe gjithë aktorëve ekonomikë e shoqërorë. Kërkova dhe mora mbështetjen e z.ambasador, nëpërmjet programeve të Ambasadës e programeve të qeverisë amerikane, për të mbështetur përpjekjet e Bashkisë së Tiranës në të gjithë këto fusha. E falenderoj dhe e siguroj për një bashkëpunim të suksesshëm, midis Bashkisë së Tiranës, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës e cila po kështu, në vetvete dhe me të gjithë stafin e saj është një nga rezidentët e qytetit tonë”.

Nga ana e tij Arvizu vlerësoi kryebashkiakun Basha për gatishmërinë e treguar për këtë takim, duke theksuar më tej faktin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një traditë shumë të gjatë bashkëpunimi me Bashkinë e Tiranës duke shprehur bindjen për vijimin e kësaj rruge.

“Ne kemi një traditë shumë të gjatë të bashkëpunimit me Z.Kryetar të Bashkisë, gjatë të gjithë funksioneve që ai ka patur më herët, si Ministër i Punëve të Brendshme, Ministër i Punëve të Jashtme e gjithashtu gjatë punës që ai ka zhvilluar në Kosovë, kështu që presim me kënaqësi edhe zhvillimin e kësaj marrëdhënieje të re me të. Diskutuam gjatë mbi mënyrat, se si mund të përmirësojmë jetën e qytetarëve të Tiranës dhe kjo është një gjë tepër e rëndësishme, sepse edhe synimi i SHBA është përmirësimi i jetës së qytetarëve në Tiranë e Shqipëri dhe dukshëm 1/3 e qytetarëve të Shqipërisë jetojnë në këtë qytet e rrethinat e saj”, u shpreh ambasadori i SHBA-ve.

a.y/NOA

KOMENTE