English

Kreditim “i lodhur” në Shqipëri

Kërkesa e sektorit privat të ekonomisë për financim ka vijuar të mbetet e moderuar. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 11.6% në muajin qershor, në linjë me ecurinë e ndjekur gjatë tremujorit të dytë të vitit

Nga Ardian Fullani

Guvernator i Bankës së Shqipërisë

Inflacioni vjetor në muajin korrik rezultoi 3.6%, duke ndjekur trajektoren rënëse të vënë re gjatë tremujorit të dytë të vitit. Ecuria e çmimeve të konsumit në vend vijon të jetë nën presionin e rritjes së çmimeve në tregjet botërore, por në një masë më të vogël krahasuar me muajt e mëparshëm. Shifra e inflacionit vjetor është formuar kryesisht nga kontributi i çmimeve të mallrave ushqimorë të përpunuar, pjesa më e madhe e të cilave janë me origjinë importi. Reduktimi i normës vjetore të inflacionit pasqyron kontributin në rënie të çmimeve të ushqimeve të papërpunuara si rrjedhojë e rritjes së ofertës së prodhimit bujqësor në vend, një zhvillim sezonal ky, i cili në muajin korrik të këtij viti është shfaqur më i fortë në krahasim me vitin e mëparshëm. Nga ana tjetër, mallrat me çmime të rregulluara dhe mallrat jo-ushqimorë kanë dhënë kontribut të vogël dhe në rënie në inflacionin e këtij muaji.

Ashtu si pritej nga Banka e Shqipërisë, presionet e kontrolluara inflacioniste nga ekonomia e brendshme, si dhe pritjet e ankoruara për inflacionin, kanë krijuar një ambient të favorshëm për reduktimin e shpejtë të efekteve të inflacionit të importuar.

Çmimet e konsumit gjatë vitit 2011 janë ndikuar kryesisht nga goditje të ofertës, të materializuara në çmime më të larta të mallrave të importuara dhe të disa produkteve subjekte të akcizës apo me çmime të rregulluara. Këto efekte u shfaqën më të moderuara në muajin korrik; në mungesë të goditjeve të papritura, ato pritet të zbehen më tej në muajt e ardhshëm. Rritja ekonomike nën potencial ka vijuar të prodhojë presione të kontrolluara inflacioniste nga kahu i kërkesës. Kështu, inflacioni bazë ka frenuar rritjen dhe qëndron pranë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%. Gjithashtu, stabilizimi i pritjeve të agjentëve ekonomikë për inflacionin si dhe politika e kujdesshme e Bankës së Shqipërisë në drejtim të ankorimit të tyre, janë reflektuar në moderimin e efekteve të raundit të dytë në inflacion.

(Në vijim, po përshkruaj më në detaje zhvillimet kryesore ekonomike që kanë përcaktuar ecurinë e inflacionit, së bashku me një diskutim të ecurisë së pritshme të tyre në të ardhmen.)

Ndonëse në një ambient të jashtëm jo të favorshëm, të karakterizuar nga pasiguri të shtuara në partnerët tanë tregtarë, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet edhe në tremujorin e dytë të vitit 2011.

Në mungesë të të dhënave direkte, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe është e ngjashme me atë të regjistruar në tremujorin paraardhës, duke mbetur kështu nën ritmin potencial të rritjes së ekonomisë shqiptare. Aktiviteti ekonomik është mbështetur nga sektori publik dhe nga kërkesa e huaj, por në një masë më të moderuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, kërkesa e sektorit privat të ekonomisë vijon të shfaqet e ngadaltë, duke kushtëzuar edhe projeksionet tona për rritjen ekonomike gjatë pjesës së mbetur të vitit.

- Investimet private vijojnë të kenë një ecuri të ngadaltë, krahasuar me ritmet e tyre historike dhe nevojat e vendit për rritjen sasiore e cilësore të kapaciteteve prodhuese. Një gjykim i tillë sugjerohet nga ecuria e importit të mallrave kapitalë, niveli i ulët i indekseve të besimit në sektorët e ndërtimit dhe industrisë – sektorët më intensivë në përdorimin e kapitalit – dhe ritmi i ulët i përdorimit të kredisë bankare për financimin e investimeve. Nga ana tjetër, ka sinjale për një ecuri të përmirësuar të konsumit privat në tremujorin e dytë të vitit, sikurse sugjerohet nga përmirësimi i treguesve të besimit konsumator dhe rritja e përdorimit të kredisë konsumatore.

Përmirësimi i pritur i kushteve të financimit gjatë pjesës së dytë të vitit, si dhe zbutja e pasigurisë së perceptuar nga bizneset e individët, pritet të shoqërohen me një ecuri disi më pozitive të konsumit e investimeve në këtë periudhë.

- Natyra stimuluese e politikës fiskale gjatë gjysmës së parë të vitit është reflektuar në një kontribut pozitiv të shpenzimeve publike në rritjen ekonomike. Për shtatë muajt e parë të vitit, shpenzimet buxhetore janë rritur me 5.9% në terma vjetorë. Në të njëjtën kohë, ecuria e të ardhurave fiskale ka qenë më e ngadaltë, e shprehur kjo në një rritje vjetore të tyre prej 2.3% gjatë kësaj periudhe. Kjo sjellje e të ardhurave dhe shpenzimeve është materializuar në një deficit buxhetor më të lartë se një vit më parë. Impulsi fiskal në ekonomi nuk ka qenë i njëtrajtshëm gjatë gjithë periudhës. Ai ka shfaqur tendenca moderimi në tremujorin e dytë, të cilat priten të forcohen më tej në pjesën e mbetur të vitit, në përputhje me buxhetin e rishikuar të vitit 2011.

- Kontributi i kërkesës së huaj në rritjen ekonomike ka qenë më i ulët gjatë tremujorit të dytë të vitit. Deficiti tregtar në tremujorin e dytë rezultoi 20% më i lartë në krahasim me vitin e kaluar.

Eksportet tona u zvogëluan me rreth 2.8% në terma vjetorë gjatë kësaj periudhe, duke reflektuar reduktimin e eksportit të energjisë, e cila është një përbërës mjaft i luhatshëm i tyre. Pavarësisht këtij zhvillimi, baza kryesore e eksporteve vijon të ruajë ritme më të qëndrueshme rritjeje. Nga ana tjetër, importet vijuan rritjen vjetore, por me një ritëm më të ulët në krahasim me tremujorin e parë të vitit.

Ecuria e kërkesës agregate ka nxitur rritjen e aktivitetit ekonomik, por nuk ka qenë e mjaftueshme për të shfrytëzuar plotësisht kapacitetet e prodhimit në vend. Zhvillimet në tregun e punës duken të ngadalta dhe nuk përmbajnë premisa për lindjen e presioneve të qëndrueshme inflacioniste.

Sinjalet e dhëna nga informacioni ekonomik konfirmohen edhe nga analiza e treguesve monetarë. Në muajin qershor, rritja vjetore e agregatit M3 shënoi 11.8%, duke qëndruar pranë ritmeve mesatare të 12 muajve të fundit. Vlerësimet tona tregojnë se zgjerimi i ofertës monetare është në linjë me ecurinë e kërkesës së ekonomisë për mjete monetare.

Në muajin qershor dhe gjatë gjithë tremujorit të dytë në përgjithësi, kërkesa e sektorit publik për financim ka qenë e lartë, në përputhje edhe me intensitetin e aktivitetit fiskal në këtë periudhë të vitit. Nga ana tjetër, kërkesa e sektorit privat të ekonomisë për financim ka vijuar të mbetet e moderuar. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore prej 11.6% në muajin qershor, në linjë me ecurinë e ndjekur gjatë tremujorit të dytë të vitit.

Tregjet financiare janë karakterizuar nga një ambient i qetë dhe me prime të përmbajtura të rrezikut. Tregu ndërbankar ka njohur rritje të vëllimit të tregtimit dhe normat e interesit në të kanë qëndruar pranë normës bazë dhe kanë shfaqur luhatshmëri të ulët. Në tregun primar, kërkesa e qeverisë për financim është reflektuar në rritjen e yield-eve të letrave me vlerë të qeverisë. Megjithatë, kurba e yield-eve e ka ruajtur pjerrësinë e saj, duke dëshmuar për pritje të ulëta të inflacionit nga agjentët e tregut.

Duke vijuar me diskutimin mbi ecurinë e pritur të ekonomisë në të ardhmen, projeksionet dhe vlerësimet tona sugjerojnë për vazhdimësi të rritjes ekonomike, në terma të përafërta me ato të tremujorit të parë të vitit.

Kompozimi i kërkesës agregate pritet të jetë i ndryshëm nga ai i pjesës së parë të vitit: sektori privat i ekonomisë pritet të shfaqet më i gjallëruar në gjysmën e dytë të vitit, ndërkohë që kontributi i sektorit publik dhe ai i sektorit të huaj pritet të jenë më të moderuar. Madhësia dhe shpejtësia e rikuperimit të sektorit privat do të përcaktojë edhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në të ardhmen. Pavarësisht vlerësimeve për rritje të kërkesës agregate, aktiviteti ekonomik në vend pritet të mbetet nën ritmet e tij potenciale, duke kushtëzuar vazhdimësinë e kapaciteteve të lira në ekonomi edhe për periudhën e ardhshme. Për rrjedhojë, edhe presionet inflacioniste me origjinë kërkesën agregate pritet të jenë të kontrolluara. Gjithashtu, efekti i çmimeve të huaja pritet të jetë më i moderuar në muajt e ardhshëm ndërsa pritjet inflacioniste të agjentëve ekonomikë vazhdojnë të jenë brenda objektivit. Inflacioni i çmimeve të konsumit parashikohet të vijojë trajektoren rënëse në muajt në vazhdim, duke iu afruar gradualisht objektivit të Bankës së Shqipërisë.

***

Duke vënë në balancë informacionin e përmbledhur më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se presionet inflacioniste në afatin e mesëm janë të kontrolluara.

Në mungesë të goditjeve të papritura, inflacioni pritet të ulet më tej dhe të qëndrojë brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë përgjatë horizontit kohor të politikës monetare. Shpërndarja e rreziqeve mbetet përgjithësisht simetrike: një rritje ekonomike më e ngadaltë se parashikimi do të sillte një reduktim të shpejtë të inflacionit ndërkohë që një forcim i mëtejshëm i inflacionit të importuar mund të mbajë të larta për një kohë më të gjatë presionet inflacioniste.

Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës konkludoi se kushtet monetare aktuale paraqiten të përshtatshme për respektimin e objektivit të inflacionit në periudhën afatmesme dhe vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind.

Në të ardhmen e afërt, tendenca rënëse e inflacionit dhe zhvendosja në kahun rënës e balancës së rreziqeve mund të krijojnë premisa për një rishikim të politikës monetare. Në çdo rast, qëndrimi i ardhshëm i saj do të faktorizojë informacionin e ri të përftuar, duke synuar gjithnjë të përshtatë kushtet monetare me respektimin e objektivave tona.

Banka e Shqipërisë mbetet plotësisht e angazhuar në ankorimin e pritjeve inflacioniste në përputhje me objektivin e saj për inflacionin dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm e afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

KOMENTE