Nga Preç Zogaj
Në një studio televizive para disa ditësh u pyeta për ndryshimet kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e Presidentit. (që, sipas gazetarit që po më pyeste, opozita dhe Edi Rama i kishin vënë si kusht të dialogut me shumicën për reformën zgjedhore). Në të njëjtin edicion ishte transmetuar një deklaratë e kryeministrit Berisha që hidhte poshtë “kushtin” e Ramës, duke theksuar se Kushtetuta nuk mund të ndryshohet sa herë humbet zgjedhjet zotëria e tij!
Një aradhë politikanësh të parashikueshëm qenë shfaqur ndërkaq vrullshëm, si në një apel, dhe kishin përsëritur fjalët e kreut të ekzekutivit. Të krijohej përshtypja se dokumenti themelor i shtetit i ishte ekspozuar papritur një sulmi të rrezikshëm, dhe një front gardianësh, me Berishën në krye, ishte krijuar saora për ta mbrojtur.
“A nuk ju duket zoti Zogaj se duke kërkuar të zhbëhen ndryshimet konsensuale të vitit 2009, zoti Rama është duke e lidhur fatin e tyre me fatin e karrierës së tij personale? A nuk ju duket se ky është një kusht për të bllokuar dialogun? A jeni i mendimit se dokumenti themelor i shtetit nuk mund të ndryshohet sipas humoreve të momentit”?
Unë nuk kisha qenë në botën politike dhe meditiake të Tiranës kur kishin ndodhur këto gjëra. Kisha lexuar gazeta, kisha parë lajme. Po nuk dija asgjë për “kushtin” që paskësh marrë dhenë, duke provokuar lloj-lloj komentesh dhe reagimesh në sferat ku kisha munguar.
Ndërkaq, dija një gjë që ishte më shumë se lajmi i përhapur. Dija mënyrën e të menduarit të lidershipit opozitar. Dija optikën përgjithësisht parimore, demokratike, logjike, praktike dhe intelektuale të opozitës, vizionin europianist të saj. Vetëm nga kjo njohje, pa qenë nevoja të mësoja dhe verifikoja lajmet e ditës, e përjashtoja si të pamundur vendosjen e ndryshimeve kushtetuese si kusht të opozitës për dialog me shumicën. E përjashtoja si kusht amatoresk. Më e pakta.
Të kuptohemi: Opozita mund të mos ulet fare në tryezë me qeverinë. Por që të verë si kusht ndryshimet kushtetuese, kjo më dukej në mos një naivitet i ndonjë opozitari të veçuar, një sajesë e kurdisur me qëllim të keq nga veglat e qeverisë.
Një sajesë në formën e telefonit të prishur, kur qeveria me altoparlantët e saj vetë e krijon, vetë e debaton dhe po vetë e sulmon një qëndrim gjoja të opozitës, të cilin opozita ose e ka shtruar ndryshe ose nuk e ka menduar fare. Shefi i opozitës, Edi Rama, ka folur pas zgjedhjeve lokale për nevojën e ndryshimeve kushtetuese, përfshirë rikthimin në gjendjen e mëparshme të dispozitave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës me tre të pestat e votave.
Maskarada elektorale në Tiranë, ku Berisha personalisht dirigjoi gjithë operacionin kundër fitores së Ramës, operacion tashmë i denoncuar botërisht dhe zyrtarisht nga misioni i vëzhguesve ndërkombëtarë të ODHIR-it, ishte goditja e fundit e kryeministrit ndaj bashkautorit të ndryshimeve kushtetuese të vitit 2009.
Prononcimi i Ramës erdhi si shprehje e revokimit të asaj “ujdie” dhe produktit të saj, që patën lindur në shenjën e një fillimi të ri dhe kulture të re në jetën demokratike shqiptare, por që u keqpërdorën dhe u shkelën brutalisht nga Berisha. Përveçse një reflektim në formë ndjese për ndryshimet e komprometuara të vitit 2009, Rama ka folur edhe për nevojën e ndryshimeve të reja, që lidhen me realitetet e reja sociale dhe ekonomike, siç është për shembull vendosja në Kushtetutë e tavanit të borxhit në raport me prodhimin e brendshëm bruto e tjerë.
Ka shtruar propozime zoti Rama, apo thjesht ka folur për të shpëtuar shpirtin? Apo të dyja bashkë? Këtë unë nuk mund ta di. Por kushte nuk ka venë. Ndryshimet kushtetuese bëhen domosdoshmërisht me palën tjetër. Edhe po t’i kesh numrat, kultura moderne dhe natyra e ligjit themelor të shtetit kërkon një konsensus sa me të gjerë me gjithë spektrin parlamentar dhe shoqëror.
Të vësh kushte si opozitë për ndryshime kushtetuese do të thotë ta teprosh pa nevojë; do të thotë të zhvlerësosh morinë e arsyeve reale për të bërë opozitë; do të thotë të armatosesh palën tjetër me municion kundër teje; do të thotë të tërheqësh mbi vete tehun e kritikave të ndërkombëtarëve.
Vetëm këtë nuk mund ta bëjë opozita. Por është e çuditshme se si një sistem i tërë i spekulimit, që përfshin nganjëherë në ingranazhet e veta edhe gazetarë të pavarur e opozitarë, arrin të qarkullojë në kanalet e informacionit gënjeshtra politike të trasha.
Të dielën, për të gjithë ata që duan të shohin e të dëgjojnë, shefi i opozitës, Edi Rama, u dha fund në një intervistë të tij spekulimeve për “kushtin” e ndryshimeve kushtetuese. “S’kemi vënë ne ndonjë kusht për dialog”, – nënvizoi Rama në përgjigje të pyetjes eksplicite të gazetarit.
“Kemi thënë vetëm se nuk ka kushte për të bërë të mundur dialogun e shumëkërkuar, por edhe të shumënevojshëm për vendin”, – plotësoi më tej. I vetmi kusht që ka formuluar tani për tani kreu i PS-së dhe opozitës për stinën e re politike është çlirimi i vendmarrjes së administratës zgjedhore nga vartësia e qeverisë. Një kusht që shkon në linjën e misionit më të investuar të kësaj opozite për vendosjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Duket qartë se në vizionin e Ramës për sezonin e ri politik, opozita do të tentojë të shmangë kudo ku konsiderohet e panevojshme dhe humbje kohe konfliktualitetin e dëshiruar nga qeveria, duke u lenë me shumë hapësirë alternativave.
Opozita politike nuk pretendon të ketë monopolin e opozitarizmit, por ndërkaq do të jetë në lartësinë e detyrave të veta të pazëvendësueshme. Nga ky këndvështrim, opozita nuk duhet të mungojë asnjë sekondë në betejë, në korsinë e saj, që vërtetë nuk mbulon gjithë spektrin e opozitarizmit, por realisht është më e madhja dhe më jetikja.
Ka shumë gjëra që mund shërbejnë apo t’i bëjë vetëm opozita politike parlamentare. Çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri vitin tjetër është një prej tyre. Berisha dhe qeveria nuk do të pranojnë kthimin në dispozitat e mëparshme të zgjedhjes me tre të pestat. Dhe as zgjedhjen e presidentit nga populli, që do të ishte një opsion më i mirë. A është kjo një arsye për të rënë në dëshpërim? Jo, aspak!
Mua më duket se nuk i kemi keq dispozitat kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit. Nga gjithë ndryshimet e vitit 2009, këto për zgjedhjen e Presidentit të Republikës kanë qenë më të logjikshmet, më të përligjurat. Komprometimi i ndryshimeve nga një kryeministër nuk do të thotë se fajin e kanë ndryshimet.
Duhet ta dimë se ndërsa nuk janë vërtet tabu, ndryshimet kushtetuese nuk mund të ndjekin kalendarin e padrejtësive dhe ngërçit që prodhon një politikan kalimtar. Në raport me politikanët hileqarë, një dispozitë e shkelur është paradoksalisht më e mbrojtur në të ardhmen se sa një dispozitë e re, të cilën hileqari do t’ia gjejë anën ta shkelë sefte me zakonin e tij për të kaluar lule me lule. Prandaj, de Mestre i jepte rendësi prehjes si ligjit si kusht për kohëzgjatjen e tij. Ta lemë teorinë.
Opozita ka për detyrë të ftillojë në kohë, para se të jetë vonë, çdo paqartësi në lidhje me zbatimin e dispozitave në fuqi për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. A mund të hapen dhe të konsiderohen të ligjshme séanca e parë, e dytë dhe e tretë, që kërkojnë shumicë të cilësuar, nëse në sallë ka më pak se numri minimum prej 84 deputetësh?
Ligjvënësi e ka evituar dështimin eventual të zgjedhjes së Presidentit duke lejuar që në seancën e katërt ai të zgjidhet me shumicë të thjeshtë, shtatëdhjetë plus një. Por seanca e katërt nuk mund të fillojë pa u konsumuar tri të parat. Përndryshe ligjvënësi do t’i kishte rënë shkurt qysh në krye.
Për ketë çështje, Kosova ka krijuar një precedent edhe për Shqipërinë. Opozita dhe vendi e kanë në favor precedentin kosovar. Opozita e ka për detyrë të luftojë në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar për një President sipër palëve, që të jetë realisht garant i Kushtetutës, i ndarjes dhe pavarësisë së pushteteve. Nuk është një kusht. Është një betejë.