English

Librat në Maqedoni: Ilirët ishin kusarë, s’janë pasardhës të shqiptarëve

Shkup, 31 gusht, NOA - Komisioni Nacional për librat shkollor ka bllokuar nxjerrjen në botim të librit shkollor të klasës së gjashtë për shkak të përmbajtjes mohuese dhe fyese për origjinën e shqiptarëve.

Problemi ka shpërthyer, pasi në punimet e historisë së periudhës p.e.s, ilirët thuhet se kanë qenë popull kusarësh dhe se ky fis nuk janë paraardhës të shqiptarëve.

Anëtarët shqiptarë të Komisionit Nacional kanë reaguar dhe janë bllokuar punimet për hartimin e librit që duhej të jetë i gatshëm për nxënësit e klasës së gjashtë në shkollat fillore që nga fillimi i këtij viti shkollor.

Anëtarët maqedonas nuk kanë pranuar që ilirët të njihen si paraardhës të shqiptarëve, dhe se kanë kërkuar që ata të njihen si popull kusarë.

Lidhur me problemin krijuar janë informuar edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pançe Kralev dhe zëvendësministri Safet Neziri, mirëpo ata kanë paralajmëruar se do të gjejnë një zgjidhje të pranueshme, duke u bazuar në fakte historike.

Zoran Radiç, kryetari i Komisionit Nacional për librat shkollor është një nga kundërshtarët e mohimit të historisë shqiptare. “Anëtarët shqiptarë kanë vërejtje se përse nuk nënvizohet se ilirët ishin fis shqiptarë, por unë pyes se ku shkruan kjo në histori ? Gjithashtu kanë vërejtje se përse është shkruar se ilirët kanë qenë kusarë. Por, më thoni se cili vend që ka dalje në det nuk ka pasur kusarë?”, ka theksuar për gazetën “Utrinski”, Zoran Radiç, duke theksuar se problemi duhet të zgjidhet në instanca më të larta.

Anëtarët shqiptarë janë të mendimit se kryetari i këtij komisioni të lartë që i takon komunitet serb duhet të shkarkohet nga detyra nga mosnjohja e gjërave elementare të lëndës apo për veprimet tendencioze.

NOA/INA

KOMENTE