English

Mohimet me ngjyra

Nga Albin Kurti

Teoria e Stanley Cohen ka nisur të përdoret gjithnjë e më shumë në analizat e retorikave të ndryshme qeveritare atëherë kur qeveritë anembanë globit mohojnë të gjeturat për (mos)veprimet e tyre. Në përgjithësi, Cohen shquan tri lloje të mohimit: mohimi kundërsulmes, pranimi i pjesshëm dhe mohimi klasik zyrtar. Studimet e tij duket që janë motivuar nga bindja që mohimet të cilat i praktikojnë qeveritë e sotme nuk janë të ngujuara te heshtja apo sekreti zyrtar, por, më parë, ato qarkullojnë si reagime të kalibruara që janë dizenjuar për të krijuar përshtypjen te publiku që çështja e ngritur nga kritikët njëmend është ngritur, porse ajo nuk është përnjëmend një çështje. Le t’i përshkruajmë shkurtimisht llojet e mohimeve sipas Stanley Cohen.

Mohimi kundërsulmues është ai që ‘zbulon’ mangësi ose njolla te akuzat apo akuzuesit me qëllim të diskreditimit të tyre. Pra, mohimi kundërsulmues është veti e bindjes pragmatiste se sulmi është mbrojtja më e mirë. Duhet ngadhënjyer me çdo kusht, andaj nuk duhet përjashtuar asnjë mjet. Mohimi kundërsulmues me shpejtësi e ndot kontekstin në të cilin e vetmja rregull mbetet mungesa e rregullave. Aktorët e shporrin temën në prapavijë dhe situatën politike e tkurrin te pozat skenike. Të vërtetat dalin të jenë gënjeshtra, gënjeshtrat bëhen të vërteta, drejt momentit kur gjithçka është njëkohësisht edhe e vërtetë edhe gënjeshtër. Sepse, siç thuhet, varet nga pikëvështrimi, apo jo?

Pranimi i pjesshëm konsiston në mohimin jo të plotë të një ngjarjeje për të cilën rrëfimi ka formën e akuzës. Qeveria nuk thotë se nuk ka ndodhur ajo që tashmë u mor vesh se ka ndodhur, mirëpo ajo shfajësohet që nuk ka shpëtim (tjetër) meqenëse nuk kishte mundësi (alternative). Pra, s’bëhet fjalë për justifikim qeveritar përmes pretendimit që ajo që u bë ishte gjëja e drejtë dhe e duhur që duhej bërë. Këtu kemi të bëjmë me shfajësim qeveritar që thotë se s’patëm çare pa e ndërmarrë atë që e ndërmorëm. Sepse, nuk u zgjodh për të ecur në njërën nga rrugët, thotë qeveria, por u zgjodh veçse ecja në një rrugë që na kishte zgjedhur neve. Akuzën e veçantë kundër saj qeveria mëton ta rikuptimësojë në fat të përbashkët të të gjithëve (pa i lënë jashtë as akuzuesit). Domethënia e akuzës nuk është më relacion por destinacion.

Mohimi klasik zyrtar më së miri kuptohet nga tri nënllojet që ai i ngërthen. Së pari, kemi mohimin e thjeshtë e të pazbukuruar. Qeveria pohon që një ngjarje a veprim i caktuar nuk ka ndodhur fare. Ajo mohon fondamentalisht duke mos i përfillur akuzat faktike dhe as faktet akuzuese. Së dyti, kemi mohimin interpretues. Në këtë rast, qeveria konteston kuptimin e një ngjarjeje a veprimi me interpretimin e saj përkufizues dhe me përkufizimet e saj për atë interpretim. Ajo jep versionin e saj edhe me çmimin e defekteve logjike dhe konkluzioneve irracionale që prodhon. Dhe, së treti, kemi mohimin që nënkupton. Qeveria argumenton që është dashur të ndodhë ajo që ka ndodhur. Ajo justifikon veprime a ngjarje të caktuara dhe nuk kufizohet te shfajësimi për to sikurse te mohimi i llojit që u quajt pranim i pjesshëm.

Interesi i këtij shkrimi nuk është që secilin prej këtyre mohimeve ta ilustrojë me shembuj nga përditshmëria e reagimeve qeveritare në Kosovë. Por, besoj që kjo tipologji e mohimit mund të shërbejë sadopak në pasurimin e analizave për mohimet që i bën Qeveria e Kosovës. Po them mohimet e Qeverisë së Kosovës, pra në numrin shumës dhe jo njëjës, pasi që ajo përdor pothuajse tërë arsenalin e mohimeve të mësipërme. Duke mohuar në mënyra të ndryshme që edhe e përjashtojnë njëra-tjetrën qeveritarët kosovarë ndoshta shpresojnë ta vështirësojnë mohimin e mohimit.

Në kohën e televizorëve bardh e zi, disi edhe mohimet ishin të tilla: mohime pa ngjyra. Tash që kemi televizorë me ngjyra, me shumë ngjyra, me tepër shumë ngjyra dhe me gjithnjë e më shumë ngjyra, edhe mohimet janë bërë të tilla. Kushedi, mbase edhe llojet e mohimeve i ndjekin llojet e televizorëve dhe jo vetëm anasjelltas.

NOA

KOMENTE
  • Astrit Cerma17:25 - 31 Gusht 2011
    BUKUR.SHUME BUKUR.Por duhet shtuar edhe "MOHIMI EDHE POHIMI ALLA SHQIPTAR".Nese une te akuzoi ty se mbreme naten me ke vjedhur shtepine dhe te denonxoi perpara ligjit dhe opinionit publik me fakte e deshmitare,ti se bashku me taborroin e oborrit tende ze dhe akuzon TURQIT OSMANLLINJE,per ERRESIREN qe na sollen per 500 vjet me rradhe,erresire qe polli vjedhjen,erresire qe ligji dhe opinioni zene dhe e zbardhin aq sa ty te rrofte denoncimi...