English

Parashikimi i motit për 1 shtator 2011

Tiranë, 31 gusht 2011, NOA- Nesër dita do të nisë me mot të kthjellët në zonat e ulëta dhe ato bregdetare por me vranësira dhe intervale kthjellimesh do të nisë dita në zonat malore. Orët e mesditës do të sjellin shtim të vranësirave në veri dhe verilindje duke gjeneruar reshje të dobëta shiu, ndërsa pjesa tjetër do të mbetet me kthjellime dhe vranësira të herë pas hershme.

Sipas MeteoALB, pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira të dendura dhe shira të dobët në ekstremin verior të Shqipërisë duke lënë të gjithë pjesën tjetër të territorit me alternime kthjellimesh dhe vranësirash . Të njëjtat kushte atmosferike do të na shoqërojnë në mbrëmje dhe gjatë natës.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë një rënie të lehtë në vlerat minimale por edhe mesdita do të sjellë një rënie të lehtë të temperaturave në vend.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe në det me shpejtësi 30 km/h dhe drejtim Perëndimor – Veriperëndimor, ndërsa dallgëzimi në Adriatik dhe Jon do të jetë

2 ballë.

Europa

Nesër, Europa veriore dhe verilindore do të dominohen nga vranësira dhe shira gjatë gjithë ditës. Po ashtu një pjesë e Europës Qendrore si edhe Europa jugperëndimore paraqiten me vranësira dhe rrebeshe shiu ku më problematike situata do të jetë në Francë pasi reshjet do të bien të rrëmbyeshme duke sjellë shkarkesa me rrufe. Problematike nga stuhitë e forta të erës dhe dallgëzimi në det do të paraqitet situata në Portugali dhe Spanjë. Po ashtu me kushte të paqëndrueshme atmosferike do të jetë edhe pellgu i Mesdheut dhe Ballkani ku vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese por intensiteti i shirave do të jetë i ulët.

Ngjarje ekstreme në Europë:

- Franca rrezikohet nga shira të dendur dhe stuhi me rrufe

- Spanja, Portugalia alarmojnë stuhi ere të forta ere dhe dallgë të larta

- Skandinavia alarmon shira të dendur dhe stuhi ere

a.y/NOA

KOMENTE