Tiranë, 31 Gusht 2011 NOA - “Ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron”. Kjo fjalë e urtë duket se i vjen për shtat një 30-vjeçari i cili u arrestua sot për vjedhje vetëm 20 ditë pasi kishte fituar zyrtarisht lirinë.
Gentian Cakone u kap sot nga policia pasi dyshohet se i vodhi varësen e floririt nga qafa një gruaje.
Sipas policisë vjedhja ndodhi në rrugën “Ndre Mjeda” në Tiranë kur 30-vjeçari ka ndjekur nga pas një grua dhe më pas i këputi nga qafa varësen e floririt.
Pas denoncimit të gruas policia nisi hetimet dhe disa orë më pas mundi të identifikonte dhe të arrestonte autorin e dyshuar.
Burime nga policia thanë për agjencinë NOA se Cakone ishte liruar nga burgu vetëm 20 ditë më parë pasi kishte qëndruar disa kohë për vjedhje.
Dyshohet se 30-vjeçari është narkoman dhe për të siguruar drogën kryen vjedhje në rrugët e kryeqytetit duke u kthyer në tmerri i “varëseve”.
e.t/NOA