Francë, 31 gusht 2011, NOA - Ajo që qarkullonte më parë si thashetheme për lidhjen korruptive mes Presidentit të Francës Nikola Sarkozi dhe miliarderes së firmës kozmetike “L’Oreal”, Lilliane Bettencourt, duket se është e vërtetë.
Një gjykatëse që është marrë me hetimin e çështjes, ka thënë dje për mediat se ka dëshmitarë që Presidenti Sarkozi është parë të ketë marrë një zarf nga gruaja e njohur në botën e biznesit.
Sipas saj paratë janë marrë gjatë kohës kur Sarkozi kandidonte për President. “Dëshmitarët kanë parë momentin e marrjes së zarfit, por kanë frikë të flasin” tha gjykatësja Isabelle Prevost-Desprez.
Prevost-Desprez tha se një dëshmitar, mik i afër me gruan miliardere, ka parë gjithçka ka ndodhur me paratë. “Por këtë deklaratë ai ka pranuar të bëjë vetëm në mënyrë private”, tha juristja.
Por juristja ka shprehur dhe rezerva në lidhje me punën e saj gjatë hetimi. “Nuk ka dyshime se jam përgjuar. Unë kam qenë nën mbikëqyrje gjatë gjithë kohës dhe s’mund të bëja më shumë. Jam penguar në punën time”, tha ajo.
Skandali që ka mbushur mediat franceze cilësohet si më i rëndi për një president. Por sipas juristes, hetimi nuk mund të bëhet për këtë çështje për sa kohë që ai është në detyrë.
Nëse pretendimet dhe dëshmitë e të pranishmëve vërtetohen, atëherë Sarkozi do të përballet me gjykatën, gjithmonë nëse nuk vendos të kandidojë dhe të fitojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Është hera e parë që një kryetar shteti në Francë përballet me afera korruptive.
e.t/NOA