English

Variacion mbi temën

Nga Fatos Lubonja

Disa miq më kanë pyetur pse s’po lexojnë në “Panorama” më ndonjë artikull/analizë timen. Për të qenë i sinqertë, më është dashur t’u përgjigjem se nuk janë thjesht pushimet e verës, por edhe një ndjenjë kotësie që të kap herë pas here, por gjithnjë e më shpesh kur sheh se je i detyruar të shkruash për po ato fenomene, madje edhe për po ato personazhe, pasi në Shqipërinë tonë asgjë nuk lëviz.

Një gazetar, sipas meje, nuk mund të ulet të shkruajë pa pasur mendimin se shkrimi i tij do të ndryshojë diçka lidhur me çështjen apo shqetësimin që ngre, sigurisht në drejtim të vizionit e vlerave që ai mbron. Pa këtë motivim, është e vështirë kjo punë. Duke parakaluar veprimtarinë time prej njëzet vjetësh tashmë në shtypin shqiptar, do ta ndaja historinë e motivimit tim në tri faza: në atë të rinisë së vet, ku më dukej se mjaftonin disa shkrime për t’i ndryshuar/përmbysur gjërat; në fazën e pjekurisë, kur arrin të kuptosh se duhet këmbëngulur gjatë që disa ide/të vërteta të mund të dalin në shesh e të sjellin ndryshimin që kërkon; si dhe në periudhën e tretë, të zhgënjimit, kur gjithnjë e më shumë më shfaqet simptoma e pafuqisë dhe kotësisë që përmenda në krye.

Kur ke ndjenjën se çfarëdo që të thuash e të shkruash nuk ka asnjë ndikim, pasi gjërat tashmë rrjedhin në shtratin e së keqes që kanë marrë prej kohësh. Metaforikisht do të thosha se, nëse në vitet e para kam pasur iluzionin (besoj se jo vetëm unë) se me forcën e shkrimeve mund ta detyronim rrjedhën e lumit të devijohej për në kahun e duhur; nëse në fazën e dytë kam menduar se duhet hapur më së pari, me durim, hullia ku ai duhet të devijojë, tashmë gjithnjë e më shpesh më duket sikur gazetarit s’i ka mbetur gjë tjetër veçse ose ta marrë rryma me vete (me çka kuptoj vënien në shërbim ndaj politikës, jo ndaj idealit e së vërtetës), ose të dalë në një breg të lumit, ndoshta duke pritur të realizohet thënia e atij proverbit kinez, sipas të cilit: “Nëse do të shohësh kufomën e armikut, rri prit në breg të lumit”. Besoj se shtyrja drejt kësaj “disfate të mendimit”, siç do ta quante Finkielkraut, nuk është thjesht një çështje subjektive e imja, e lidhur me lodhjen apo konsumimin, por edhe rezultat i politikave gjithnjë e më mospërfillëse e arrogante ndaj mendimit kritik që ka ndjekur politika, për çka ka luajtur një rol të dorës së parë edhe ajo që do ta quaja, përsëri me fjalët e Finkielkraut, të mara nga Julien Benda: “Tradhtia e të shkolluarve”, “shkatërrimi i nocioneve morale tek ata që edukojnë njerëzit”, që në realitetin shqiptar, më shumë se çdo gjë, do ta quaja: tradhtia e profesorëve të universiteteve, e të ashtuquajturve shkrimtarë, artistë, intelektualë si dhe e gazetarëve të mediave. Flas për tradhti dhe jo për vazhdimësi të enverizmit, siç jam shprehur shpesh, pasi gjithsesi, mendoj se ka pasur një zgjim ndërgjegjeje në fillimvitet ’90 dhe, po ashtu, se disfata e mendimit kritik që po përjetojmë sot nuk është vetëm rezultat i së kaluarës, por edhe i proceseve social-ekonomike e kulturore të këtyre 20 viteve. Me këto mendime pesimiste në kokë, por me bindjen se dalja spektator në breg të lumit është më e keqe se rezistenca, sado e pafuqishme, e se shikimi i kufomës së armikut në breg të lumit jo vetëm që s’është ndonjë kënaqësi e madhe, por ajo mund të ndodhë pasi ai të ketë konsumuar të gjitha të këqijat e mundshme, u ula të shkruaj për një lajm të ri që s’është tjetër veçse variacion i një lajmi të vjetër që, po të lexosh shkrimet e mia, e gjen të trajtuar si fenomen në shumë shkrime, duke filluar që nga viti 1991.

E kam fjalën për atë se tashmë ka filluar fushata politike për Presidentin e ardhshëm. Pashë, madje, se tashmë është hedhur në treg edhe të paktën një kandidat, Leka Zogu. Lajmi shoqërohet me atë që prej kohësh s’është lajm, se për Bamir Topin nuk bëhet fjalë, pasi ai ka kohë që konsiderohet nga maxhoranca si i bërë palë me armikun/kundërshtarin. Mjaft të kujtosh se para disa javësh, një nga drejtuesit kryesorë të PD-së, Sokol Olldashi, drejtoi një sulm të tipit fletë-rrufe me fyerje kundër tij, pas një sulmi “më të butë” që kishte drejtuar kundrejt tij vetë kryeministri Sali Berisha. Sipas këtyre akuzave, ai na paskësh qenë palë qysh në kohën kur u zgjodh President, madje kam frikë se nuk do të vonojë shumë e, në stilin e paranojave të Enver Hoxhës, do të zbulohet që ai ka qenë armik i infiltruar në PD që në krye të herës. Por çfarë po ndodh me të vërtetë? Mund të kesh njëqind vërejtje e pakënaqësi për mënyrën se si është sjellë Bamir Topi si President, e prandaj të kërkosh një President tjetër, por për mënyrën se si është sjellë ndaj tij maxhoranca, që mezi arriti ta zgjedhë dhe shkaqet se pse nuk e zgjedh më si kandidatin e saj, nuk mund të fajësosh kurrsesi atë. Së pari, duhet të kujtojmë se kur u zgjodh Topi u bë festë e madhe në PD, kurse nga ana e opozitës zgjedhja e tij u konsiderua një akt i ulët blerjeje e postit. Është e çuditshme, megjithatë, se sa shpejt i kemi harruar përqafimet në Parlament midis tij e Sali Berishës darkën e festës ku u derdhën aq shumë buzëqeshje e shampanjë dhe, mbi të gjitha, ata deputetët socialistë që dolën nëpër media duke deklaruar votën e tyre për Topin, e që u etiketuan “tradhtarë”, “të shitur”, “të blerë” nga opozita. Personalisht ua kam harruar edhe emrat e nuk di se çfarë bëjnë e me kë janë: me PD-në, apo me PS-në, apo thjesht janë duke u marrë me ndonjë biznes ku kanë investuar asprat e “tradhtisë”? Po tashmë jemi mësuar me këto amnezi, ato janë kusht i domosdoshëm i politikës sonë, madje edhe i gazetarisë sonë. Sa gjëra kemi harruar që të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën politikë: harruam ‘97-n, harruam se Sali Berisha dhe trimat e tij sulmuan Kryeministrinë më 1998-n, me akuzat se Azem Hajdarin e kishte vrarë Fatos Nano. Kemi harruar çfarë ka bërë e thënë Nano për Metën gjatë katarsisit, Rama e Meta për Nanon, Meta për Berishën, Berisha për Metën e ku di unë se çfarë. Jam i sigurt se mjafton të ikë Topi nga politika dhe do të harrohet edhe “tradhtia” e tij ndaj PD-së, ashtu siç janë harruar edhe ata “tradhtarët” socialistë që e votuan. Por, një gjë, ama, na rri vazhdimisht mbi kokë, mu si rezultat i këtyre harresave: vullneti i patundur i atyre që kanë pushtetin në Shqipëri, për të mos lënë mjet pa përdorur për të kontrolluar gjithçka e për të mos u kontrolluar nga askush. I njëjti problem, pra, që kemi ndeshur më fillimvitet ‘90, ndonëse në kushte të reja. Është problemi i asaj kulture që e bën Sali Berishën dhe demokratët që, në vend që të ulen e të reflektojnë se si ka mundësi që Topi është i dyti President radhazi që, nga i zgjedhur prej tij/tyre kthehet e bëhet armik i tij/tyre, e të shtrojnë pyetjen: a mos vallë ka diçka që nuk funksionon edhe tek ne? Nuk e vënë në dyshim se ai është armik i tyre ngase, po qe se je zgjedhur prej tij/tyre do të thotë që duhet t’u shërbesh atyre dhe t’u bindesh vetëm atyre në çdo çështje e në çdo moment. Është problemi i asaj kulture që na bën të mendojmë: Si mund të durohet një President që nuk e kemi nën kontroll pa qenë armik? Si mund të durohet një media që nuk e kemi nën kontroll pa qenë armike? Si mund të durohet një Prokurori e Gjykatë që nuk e kemi nën kontroll pa qenë në shërbim të armikut? Si mund të durohet një biznes që nuk e kemi nën kontroll pa qenë edhe ky në shërbim të armikut? Ja pra, kjo po ndodh. Nëse demokracia është ndarje pushtetesh që balancojnë e kontrollojnë njëri-tjetrin nëpërmjet institucionesh, tek ne bëhet fjalë për vullnetin për të ndërtuar një regjim autoritar që identifikohet me një autokrat, të cilit nuk i duhen institucionet dhe as ndarja e pushteteve, pasi i mjafton vetvetja për të qeverisur. Për një autokrat, ama, që s’është i vetëm, por që mbahet më këmbë nga një kastë rreth tij, që pasurohet e forcohet në sajë të pushtetit, duke u bërë gjithnjë e më e paprekshme e më arrogante. Dhe, në rrugën e tij/tyre (qorre) drejt eliminimit të institucioneve, ata gjithnjë e më shumë i duan figurat, që presupozohet të jenë balancuese dhe kontrolluese të pushteti të tyre në gjendjen e paralitikëve në karrige me rrota, të cilat, mundësisht, t’i shtyjnë njerëzit e tyre. Po përsëritet, pra, një variacion mbi temën: e njëjta me të cilin jemi ndeshur që në vitet e para të viteve ‘90, që u duk se u lehtësua sadokudo me Nanon, por që u rëndua pas tetë vitesh pushtet të këtij kur deklaronte: “Jam Fatos Nano e prapa më ndjek historia”, që gjeti më pas si pasqyrë në opozitë, fytyrën e Edi Ramës, i cili, kur aprovoi ndryshimin kushtetues, që e kthente Presidentin në rob apo vegël të maxhorancës, planifikonte që do të ishte ai në vendin që ka sot Sali Berisha? Sikurse e kam thënë edhe më parë, ndaj autoritarizmit e autokracisë së viteve të para të viteve ‘90, ne kishim një lloj imuniteti, pasi Sali Berisha kërkoi të na sundojë me metodat komuniste të Enver Hoxhës, me polici, SHIK e TVSH të kontrolluara, me burgosje gazetarësh, arrestime politikanësh e ndalime demonstratash. Sot, regjimi i ri, i filluar me socialistët dhe i vazhduar me Berishën, po ngrihet me të tjera mjete, më të lehta për t’u duruar, më demokratike në dukje, ndonëse më poshtëruese, që lidhen kryesisht me pushtetin e atij që kontrollon paranë e që, duke qenë i tillë, kërkon të tjera mjete lufte nga ato të viteve ‘92-‘97. Duke kërkuar të rendis mjete të reja lufte, nuk mund të mos i kthehem pesimizmit të fillimit të këtij shkrimi, pasi nuk më duket se jam në gjendje të propozoj ndonjë gjë që nuk e kam propozuar tashmë, ndonëse mendoj se ka shumë për të reflektuar në këtë drejtim. Duke iu kthyer lajmit që u bë shkas për këtë shkrim, do të thosha se nuk do shumë mend për të kuptuar se Presidenti nuk duhet të jetë një i kontrolluar apo korruptuar nga maxhoranca, por një figurë që qëndron mbi palët, se duhet refuzuar çdo figurë që nuk i jep këto garanci as minimalisht. Por, nga ana tjetër, më duket tejet e vështirë të gjenden mjetet për t’u realizuar kjo kundër vullnetesh politike që kanë punuar pareshtur për të kundërtën, duke asgjësuar edhe mjetet ligjore që e mundësonin këtë. Tek e fundit, më rezulton se njerëzve të vullnetit të mirë nuk u mbetet veçse të ushtrojnë vullnetin e kundërt, duke aplikuar thënien e Romen Rolandit: “Pesimizëm i intelektit, optimizëm i vullnetit”.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE