Hagë, 31 Gusht 2011 - Tribunali i Hagës do të shqiptojë dënimin për ish-pjesëtarin e UÇK-së, Shefqet Kabashi, më 16 shtator. Lajmi është kumtuar nga gjykatësi i Tribunalit, Alfons Ori.
Kabashi ka pranuar se është fajtor për shpërfillje të gjykatës, që e ka bërë me refuzimin për të dëshmuar në gjykimin e parë të Ramush Haradinajt.
Gjatë seancës së sotme, prokuroria ka kërkuar që Kabashi të dënohet me burg, ndërsa kohëzgjatjen e heqjes së lirisë ua ka lënë gjyqtarëve, raporton radio Evropa e Lirë.
Avokati mbrojtës, Majkëll Karnavas, ka kërkuar të shqiptohet dënimi që "do t'i mundësonte Kabashit të kthehej menjëherë në shtëpi".
Kabashi nuk ka pranuar t'iu përgjigjet pyetjeve të prokurorit dhe të mbrojtjes as në rigjykimin e Haradinajt.