English

Wikileaks po rrezikon jetën e njerëzve

Shkup, 31 gusht, NOA -Në disa kabllograme për Maqedoninë nga Wikileaks ndodhen emrat e disa personave, jeta e të cilëve mund të jenë në rrezik pas publikimit të materialeve, raportojnë mediat maqedonase.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar se publikimi i mijëra kabllogrameve (telegrameve) nga faqja e internetit "Wikileaks" rrezikon jetën e njerëzve. Sipas DASH, në disa kabllograme përmenden emrat e burimeve që kanë informuar dhe detaje tjera.

"Përveç se vihen në pikëpyetje përpjekjet tona diplomatike, kjo rrezikon edhe sigurinë e njerëzve, dëmton sigurinë tonë kombëtare dhe përpjekjet që ne po bëjmë me vendet tjera lidhur me zgjidhjen e problemeve të përbashkëta", deklaroi zëdhënësja e DASH, Viktoria Nuland.

Ajo ka theksuar se administrata amerikane vazhdon angazhimin e saj për të zvogëluar dëmet e shkaktuar në planin e sigurisë kombëtare. Nuland ka mohuar të vërtetojë autenticitetin e kabllogrameve të publikuara.

Faqja e profilizuar e internetit për publikimin e dokumenteve sekrete "Wikileaks", gjatë publikimit të mëse 250 mijë dokumenteve dhe të publikuara në disa media, ka nxjerrë në sipërfaqe edhe emra dhe detaje mbi burimet e informimit të përfaqësive diplomatike amerikane.

Në disa kabllograme të publikuara për Maqedoninë janë publikuar identitetet dhe emrat e disa personave dhe figurave të jetës shoqërore, të cilët mund të jenë në rreziqe të ndryshme, raporton agjencia INA.

"Human Rights First" ka reaguar ndaj publikimit të identitetit dhe emrave të burimeve të informacioneve për përfaqësitë dhe diplomatët amerikan, duke theksuar se kjo do të sillte në rrezik personat apo organizatat e ndryshme nga ana e qeverive të vendeve të ndryshme.

NOA/INA

KOMENTE