Elbasan, 1 shtator 2011, NOA/ Arjola Ymeraj- Grabitja e ndodhur në pikën e transfertave të parave në Elbasan vetëm pak pas drekës së Bajramit, tashmë i ka edhe autorët.
35 vjeçari Ermir Lici dhe 26 vjeçari Marlen Goxhaj u arrestuan mbrëmjen e djeshme nga policia e Elbasanit, pasi hynë dy ditë më parë të maskuar dhe me armë, në këtë qendër transfertash duke marrë prej aty, 5 mijë euro dhe 100 mijë lekë.
Mësohet se fillimisht dy autorët kanë hyrë si klient, por më pas ata kanë goditur me grushte punonjësen e kësaj agjencie dhe nën kërcënimin e një pistolete i kanë marrë gjithë shumën e parave që gjendeshin në arkë.
Sakaq, ngjarja ndodhi dy ditë më parë rreth orës 15.30, në lagjen “Luigj Gurakuqi” të Elbasanit, ku agjencia e grabitur është në pronësi të qytetarit me iniciale I.D, 51 vjeç.
Sipas Policisë, nga arrestimi i tyre u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi e parave të vjedhura në agjensi, 5 telefona celularë, një armë zjarri pistoletë si dhe një automjet tip Opel, me targa gjermane EN 561 A, mjet i cili është përdorur nga autorët në momentin e largimit të tyre nga vendi i ngjarjes.
Lidhur me këtë ngjarje Prokuroria e Elbasanit nisi hetimet për veprën penale, “Vjedhje me armë e kryer në bashkëpunim”.
a.y/NOA