English

Përgënjeshtrohet lajmi për vdekjen e Fidel Kastros

E enjte, 1 shtator 2011, NOA- I gjallë, por në fund të jetës. Prej kohësh qarkullojnë fjalë se Fidel Kastro ka vdekur, por këto fjalë përgënjeshtrohen shpejt.

Këtë herë ama, duket se ka diçka të vërtetë lidhur me përkeqësimin e kushteve shëndetësore të Kastros.

Prej disa ditësh lexohen në faqen online, 'LaRepublica.ec', fjalë dhe komente për gjendjen e tij shëndetësore të cilat janë përhapur në Twitter, rrjeti social i karakterizuar nga mesazhe të shkurtra.

Yoani Sanchez, administratore e blogut, shprehet se nuk ka siguri për këtë. “Telefoni im nuk pushon së rëni. Të gjithë më pyesin nëse është e vërtetë që Fidel Kastro është shumë rëndë. Por unë nuk e di, edhe po të ishte, ne kubanët do të ishim të fundit që do e merrnim vesh”, shprehet Sanchez.

Mësohet se fjalët janë përhapur nga një faqe informative, por sipas 'Naked Security', që heton për viruset informatike, mesazhi që po qarkullon prej disa ditësh me titull "Fideli ka vdekur”, është i rremë dhe përmban një virus të rrezikshëm.

Çdo gjë e përfunduar dhe e rremë si gjithnjë, por ndoshta jo. Sepse sipas një gazetari investigativ venezuelian, Nelson Bocaranda, gjendja shëndetësore e Kastros është përkeqësuar realisht, aq sa ish-diktatori kuban ndodhet në sallën e terapisë intensive, të krijuar në dhomën e tij dhe që kontrollohet 24 orë, pas humbjes së vetëdijes për disa orë më 21 gusht.

Mësohet se ka qenë pikërisht kjo arsyeja që ka shtyrë edhe Presidentin e Venezuelës, Hugo Chavez që të nisë një cikël të ri kimioterapie, pas dy të mëparshmëve të bërë në 90 ditë.

a.y/NOA

KOMENTE