Tiranë, 1 shtator 2011, NOA- Lidhur me ndeshjen e kombëtares shqiptare e cila do të zhvillohet ditën e nesërme në stadiumin “Qemal Stafa’, përballë ekipit të Francës, policia e kryeqytetit njofton se ka marrë të gjitha masat për zhvillimin e ndeshjes.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës bëjnë me dije se janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, para, gjatë dhe pas përfundimit të këtij aktiviteti sportiv.
Mësohet se gjatë hyrjes së sportdashësve në stadium, nga ana e policisë do të ushtrohet kontroll i imtësishëm në drejtim të parandalimit të futjes në stadium nga tifozët, të sendeve të ndaluara si: mjete e sende të forta, fishekzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.
Nga ana e uniformave blu u bëhet thirrje qytetarëve për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tyre, për bllokimin e segmenteve rrugore që të çojnë për në stadiumin “Qemal Stafa” në Tiranë, duke filluar nga ora 14.00’ deri më 24.00’, duke bllokuar qarkullimin në rrugët “Dervish Hima”, “Asim Zeneli” dhe “Lekë Dukagjini”.
Më tej kërkohet nga ana e qytetarëve që të mos parkojnë automjetet e tyre në sheshin “Italia” si dhe përreth stadiumit “Qemal Stafa”.
Ndeshja Shqipëri- Francë do të mbahet mbrëmjen e nesërme në orën, 21.00’ në stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa ” Tiranë, ndeshje kjo e vlefshme për eleminatoret e Kampionatit Europian të Futbollit.
a.y/NOA