Prishtinë, 1 shtator 2011, NOA - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri kontrabanda është ndalur, por ende ka shtigje që zyrtarët e Beogradit shfrytëzojnë për t’u futur ilegalisht në Kosovë, e një ditë do të ballafaqohen me autoritetet e drejtësisë së Kosovës. Ai këto komente i bëri të enjten pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, në të cilën janë miratuar disa projektligje. Thaçi nuk iu është përgjigjur interesimit të mediave se a duhet të bisedohet me shefin e ekipit negociator serb Borisllav Stefanoviç, i cili dje sërish ka hyrë ilegalisht në Kosovë për të diskutuar me strukturat paralele serbe, në prag të rrethit të ri të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel. “Janë disa rregulla sa i përket procesit negociator jo vetëm në mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete, por edhe të vendeve tjera që kanë diskutuar në mes veti. Natyrisht, që në pikën 1 dhe 31 kemi zona ushtarake dhe është ndaluar qarkullimi i mallrave, kontrabanda është ndalur qind për qind, edhe rrugët alternative janë të mbyllura prej autoriteteve vendore e ndërkombëtare, por ende ka shtigje që zyrtarët e Beogradit i shfrytëzojnë për t’u futur ilegalisht në Kosovë, por ata që futen ilegalisht, gjithashtu një ditë do të ballafaqohen me autoritetet legale kosovare”, ka thënë Thaçi.
a.q/NOA