English

Unaza e Madhe, Olldashi: Pas 12 muajsh, lirshmëri kalimi për 20 mijë makina

Tiranë, 1 shtator 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Trafiku i Tiranës do të ketë një zgjidhje pas 12 muajsh. Kjo do të ndodhë pas përfundimit të ndërtimit të Unazës së Madhe, e cila do të jetë një rrugë kyçe për qarkullimin e automjeteve dhe moskrijimin e trafikut. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi ka inspektuar sot punimet që po kryhen për ndërtimin e Unazës së Madhe, të kryeqytetit.

Sipas projektit të Bashkisë, dy do të jenë pjesët kryesore të Unazës.

Segmenti i parë do të ketë trajektoren “Babru – Bregu i Lumit – Kthesa e Kazmës”. Ky segment do të ketë një shtrirje prej 6.5 kilometrash, me 8 korsi, ku do të përfshihet edhe një korsi e veçantë për mjetet e transportit publik dhe të emergjencës.

Ndërsa segmenti i dytë i Unazës, ndërtimi i të cilës ka filluar në mars të këtij viti, ka një gjatësi prej 5,228 kilometra dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut dhe lidhet me rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.

Në pjesën e parë të saj, në zonën e Selitës deri tek Parku i Madh, rruga përshkon një zonë urbane me dendësi ndërtimesh, të cilat kryesisht janë të ulëta dhe në një zonë me mungesa në infrastrukturën nëntokësore.

Pritet që Unaza e Madhe e Tiranës të jetë nyja e pikënisjes së autostradës së re Tiranë-Elbasan, e cila më pas do të vijoi në Lundër, Mullet, Ibë, duke përshkuar Kërrabën me anë të një tuneli prej mëse 2 kilometrash e duke dalë në anën tjetër në Luginën e Bradasheshit

Janë vendosur edhe 400 milionë lekë në dispozicion të qytetarëve për shpronësimin e tyre, dhe se kjo procedurë është në proces. Ka pasur problem sipas Ministrit të Tranporteve, por gjithçka pas ndërhyrjeve është rregulluar. Unaza e Madhe e Tiranës është 3.2 kilometra e gjatë nga Komuna e Parisit deri në Sauk. Në të do të ndërohen nën kalime dhe mbi kalime edhe për qytetarët. Do të ketë ndricim si dhe tortuare, gjerësia e saj është 30 metra.

Nga studimet e kryera, rruga e re parashikohet që të përballojë një trafik me mbi 20 mijë makina në ditë, që në momentin e parë të funksionimit të saj dhe duke llogaritur rritjen e vazhdueshme të trafikut, kjo rrugë parashikohet që në vitin 2013 të përballojë një trafik prej 38 mijë makinash në ditë. a.q/NOA

KOMENTE