Shkup, 1 shtator 2011, NOA - Ambasada amerikane në Shkup qysh në vitin 2008 ishte e vetëdijshme se në Maqedoni do të ketë zgjedhje të parakohshme. Kjo bëhet e ditur në një kabllogram të “Wikileaks”.
Nga "Wikileaks" shpaloset një raport i vitit të kaluar i dërguar nga ambasadori i asaj periudhe Filip Riker në adresë të Departamentit të Shtetit në Uashington.
Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve INA, në këtë raport ishin pasqyruar përllogaritjet se pas zgjedhjeve presidenciale dhe ato lokale në periudhën 2009-2010, Gruevski totalisht do të sundonte me të gjitha pushtetet në Maqedoni.
“Në rast se Maqedonia do të merrte ftesën për anëtarësim në NATO, atëherë Gruevski do t`ia shkruante vetes meritat, në rast se nuk do të kishte ftesë, atëherë ai do të akuzonte Greqinë dhe opozitën”, theksohet në kabllogramin e ambasadës amerikane.
Raporti përmban edhe kritika lidhur me qasjen e Qeverisë gjatë vitit të kaluar, ku ish-ambasadori Riker kishte shprehur keqardhje se Maqedonia nuk ishte përkushtuar për gjetjen e zgjidhjeve.
Në një kabllogram të periudhës së vitit 2006 nga komunikimi i ish-ambasadores amerikane Xhilian Milovanovic me Uashingtonin, Gruevski pas formimit të Qeverisë së re në vitin 2006 ishte përshkruar si njeri që ka stil të lartë të centralizimit të pushtetit, i cili për shkak të pasigurisë së tij, gjatë zgjedhjes së kuadrove për ministra ishte përkujdesur që ata të jenë kuadro të rinj dhe të panjohur.
a.q/NOA/INA