Tiranë, 2 shtator 2011, NOA - Në orën 21:00, në stadiumin “Qemal Stafa” do të luhet ndeshja Shqipëri-Francë , e vlefshme për eleminatorët e 2012.
Trajneri i skuadrës kombëtare shqiptare, Josip Kuzhe në një konferencë dje deklaroi se ndaj skuadrës franceze do të përdoret kundërsulmi.
Nga ana tjetër trajneri i Francës, Laurent Blanc, tha se kjo është një ndeshje e rëndësishme, duke njohur lojën e disa prej futbollistëve shqiptarë.
Federata Shqiptare e Futbollit pak orë para ndeshjes së madhe Shqipëri-Francë deklaron se skuadra është e përgatitur për takimin, ndërsa shpreson për lojë të bukur dhe për rezultat pozitiv.
"Do të ndeshemi si të barabartë me Francën. Të gjithë shqiptarët të jenë me zemër të bashkuar për kombëtaren dhe kombin", thuhet në deklaratën e FSHF-së.
FSHF-ja thekson se trajneri Kuzhe dhe të përzgjedhurit e tij janë të përgatitur dhe të gatshëm që të ndeshen si të barabartë me më të mirët e Francës për ti dhënë kështu mijëra e mijëra shqiptarëve kënaqësi, optimizëm e krenari.
Policia e Tiranës ka shoqëruar dje tetë persona, pasi abuzonin me çmimet e biletave ndërsa ka deklaruar se do të zhvillojë kontrolle të imtësishëm të hyrjes të tifozëve në stadium. Sipas policisë nuk do të lejohen të futen në nga tifozët, sende të ndaluara si: mjete e sende të forta, fishëkzjarre, shishe të ndryshme, kapsolla, flamuj me shkopinj, parrulla me mbishkrime jo të përshtatshme etj.
a.q/NOA