English

Hoxhaj: Serbia duhet të shpërbëjë strukturat ilegale në Kosovë

Paris, 2 shtator 2011, NOA- Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj gjatë një interviste për të përditshmen franceze “La Croix”, është shprehur se tashmë i ka ardhur fundi strukturave kriminale.

Më tej ai ka akuzuar Beogradin se po fsheh strukturat kriminale ilegale në veri të Kosovës, duke thënë se Serbia duhet të shpërbëjë strukturat ilegale dhe kriminale të saj në Kosovë, si parakusht për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë në Kosovë.

“Serbët janë të përfaqësuar në Qeverinë qendrore, Parlament dhe në gjashtë komuna. Plani i Ahtisaarit garanton të drejtat dhe përfaqësimin e minoritetit serb si askund tjetër në Evropë. Ky plan duhet të zbatohet në veri të Kosovës. Është koha që Serbia të shpërbëjë strukturat shtetërore dhe paramilitare”, është shprehur Hoxhaj.

Më tej ai ka thënë se, Serbia në 3 vjetët e fundit ka eksportuar mallra në Kosovë, derisa Republika e Kosovës e ka pas të ndaluar të eksportoj në Serbi dhe përmes saj në Evropë.

“Kishte një asimetri. Gjatë pesë takimeve të para të dialogut, serbët kanë vonuar trajtimin e kësaj çështjeje. Me 21 korrik, ne shpresonim të flisnim për këtë, por ata bojkotuan dialogun. Pra, ne kemi vendosur të aplikojmë reciprocitetin: nëse Serbia nuk pranon mallrat nga Kosova, Kosova nuk pranon mallrat nga Serbia”, deklaron ministri i Jashtëm i Kosovës.

a.y/NOA

KOMENTE