English

Jahjaga- Buhler: KFOR do të vazhdojë të ruaj një mjedis të sigurt në Kosovë

Prishtinë, 2 shtator 2011, NOA- Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga priti sot në takimin e lamtumirës, komandantin e KFOR, Erhard Buhler, pasi për pak kohë ai mbyll misionin e tij në Kosovë.

Që në fillim të takimit Jahjaga e falenderoi gjeneralin Buhler për kontributin e tij për paqen dhe sigurinë në vend, në krye të forcave të KFOR-it.

Më tej ajo çmoi profesionalizmin e gjeneralit dhe tha se KFOR-i është një nga institucionet më të respektuara në Kosovë.

Jahjaga e konsideroi largimin e Buhler nga Kosova, si ikjen e një profesionisti, duke e cilësuar atë si një mik të madh të vendit.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme në vend, Presidentja Jahjaga tha se mbështet fuqishëm luftën kundër krimit të organizuar dhe shuarjen e strukturave të paligjshme.

Nga ana e tij, gjenerali Buhler theksoi se Kosova mund të llogarisë në mbështetjen e vazhdueshme të KFOR-it dhe tha se është me rëndësi që në veri të zhvillohen dhe kryhen hetimet. Ai gjithashtu theksoi bashkëpunimin e shkëlqyer të tij dhe të KFOR-it me Presidenten Jahjaga.

Ndërsa duke folur për FSK-në ai tha se është i bindur në të ardhmen e kësaj force. Gjenerali Buhler gjithashtu theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në ruajtjen e një mjedisi të sigurt në Kosovë.

a.y/NOA

KOMENTE