English

Po të mos ishte Migjeni

Artan Lame

Më të shumtit prej nesh sot, kur ulemi të shkruajmë për varfëri e për mjerim, na pëlqen t’i zbukurojmë shkrimet tona me nga një thënie a frazë të Migjenit. Ndonjëherë, kur ia kemi ngenë të thellohemi, na bën përshtypje dhe e vëmë edhe në dukje se sa të vërteta mbeten edhe sot e gjithë ditën shkrimet e përshkrimet e Migjenit.

Në fakt, kjo nuk është ndonjë meritë e Migjenit, por e jona, e shqiptarëve në përgjithësi, që vazhdojnë të notojnë në të njëjtin llum e ndyrësi, të cilën e përshkruante dikur Migjeni. Kështu që nuk ishte Migjeni profeti, shkrimet e të cilit mbeten të vlefshme edhe sot; përkundër, jemi ne të paaftë të ndryshojmë, duke e lënë këtë vend të vuajë të njëjtat sëmundje dhe duke i bërë kështu të kurdovlefshme vargjet e Migjenit. Nëse ne do të ishim francezë a holandezë, do ia kishim dalë ta ndryshonim fatin e vendit dhe kështu vargjet e Migjenit do të mbeteshin në muze të historisë. Shkodranët nuk e duan Migjenin. Nuk them për njerëzinë e thjeshtë, ata që heqin e vuajnë për bukën e gojës dhe për të mbyllur ditën e punës, se këta s’ia kanë ngenë të merren me filozofira e me shkrime, as të sotmet e ca më pak me ato të para një shekulli. Më e holla punë intelektuale që bëjnë këta është t’u përgjigjen thirrjeve të partive për mitingje dhe të thërresin sa më fort, me shpresë që t’i shohë kryemitingashi. Ndaj, s’e kam fjalën për ata për të cilët shkruante Migjeni, se këta të mjerë, sikur ta dinë se sa u ka kënduar e u ka qarë hallin poeti, do ta shpallnin kryetar partie, meqë tjetër kategori nderimi nuk dinë. Migjenin nuk e duan ata që kanë shkollë e që i mbajnë për të dijshëm e për elitë të qytetit.

As e kanë dashur në të gjallë, e ca më pak e duan sot. Në të gjallë nuk e donin, sepse e shihnin si rrezik për veten e tyre, ndërsa sot nuk e duan se janë edhe më injorantë të padijshëm sesa njerëzia e thjeshtë. Njerëzit e thjeshtë, lënda e parë e shkrimeve të Migjenit, nuk i quaj dot injorantë, por thjesht të pakultivuar që jeta dhe hallet nuk u ofruan luksin e diturisë, ndërsa elita është vërtet injorante se, me gjithë që u shkollua e u përkëdhel nga fati, mbeti po aq injorante dhe pazot të lartohet moralisht. Kështu pra siç thashë, shkodranët nuk e donin Migjenin. Të parët e mbi të gjithë, nuk e donin priftat.

Kleri shqiptar, e veçan ai katolik, i kish bërë shërbime të paçmuara shqiptarizmës, ruajtjes së gjuhës shqipe e dëshmimit të traditës malësore. Të gjitha këto i shërbyen fort ëndrrës rilindëse të formimit të kombit, por në vitet ‘30 kjo ëndërr ishte realizuar. Shqipëria ishte krijuar, tani duheshin krijuar shqiptarët, siç thoshin përfaqësonjësit e neoshqiptarizmës. Këtu kleri ngeci dhe nuk bëri dot përpara. Konservator për vetë natyrën e vet, kleri vazhdoi të himnizonte shqiptarin trim e kreshnik, të pamposhtur e krenar, që vigjilonte i ngrysur në malet e paafrueshme; të mbrujtur me kanune e me zakone burrash. Mirëpo Migjeni e shqeu gjithë këtë fasadë false, të dalë mode dhe të panevojshme në shekullin e ri, duke iu përplasur dhe vënë përpara syve një realitet të turpshëm. Realitetin e malësorit që lyp misër, që shtrin dorën për bukë, të malësores që është gati të shesë trupin, të murgeshës që ofshan, të qytetit që i bishtnon modernizimit, të fëmijës që vuan për bukë ndërsa don të vazhdojë shkollën, të tregtarit që bën adetet e fesë, por mbetet i pashpirt, e gjithë çka tjetër që ende na zukat në kujtesë nga vargjet e tij. Migjeni me këtë grisje të maskave të kohës së vet, na shpëtoi fytyrën morale përgjithmonë. Nëse ai nuk do të kishte shkruar, neve sot do të kishim vetëm poetët që u këndonin Zanave të Malit, ndërsa varrezat mbusheshin me fëmijë të vdekur urie. Dhe kur të uleshim të analizonim këtë kundërshti, do të akuzonim paraardhësit se qenë të pashpirt e të pamoral që u këndonin zanave e maleve, ndërsa fëmijët s’kishin tullumba e vajzat shisnin nderin. Migjeni është gati i vetëm midis morisë së shkrimtarëve që denoncuan mjerimin. Ishin edhe një grusht djemsh të dijshëm, përfaqësues të neoshqiptarizmës, por ata qenë më shumë filozofë se sa poetë dhe morali ka nevojë edhe për poezi, pa le pastaj po të jetë “me nji grusht t’fuqishëm”. Sikur të mos ishte Migjeni, ne nuk do të kishim përfaqësues të brezit të madh të denoncuesve të realitetit; do të ishte sikur Franca të mos kishte pasur Balzakun apo Anglia të mos kishte Dikensin. Ne e patëm, por s’e duam. Kaq për shkodranët e atëhershëm. Por edhe shkodranët e sotëm nuk e duan Migjenin. Ndryshe nuk ka si shpjegohet që gati druhen t’i zënë emrin me gojë; që më tepër se një herë kanë dashur t’i heqin emrin nga Teatri; që i kanë thyer bustin, e i kanë harruar varrin midis plehrave të qytetit; që i kanë zhdukur çdo shenjë të ekzistencës së tij në qytetin e Madh të Veriut, shtëpi, dhomë, muze, e gjithçka tjetër. Sërish janë edhe priftat, që nuk e duan e s’mund t’ia falin atë çka i bëri ai klerit të kohës kur ishte gjallë. Në fakt, Migjeni duhej të konsiderohej si aleat i klerit në përpjekjen e kahershme për drejtësi sociale e barazi shoqërore, por kjo nuk ndodhi as në gjallje të tij e aq më pak sot. Kisha katolike në momente të vështira të shekullit XX, përgjithësisht ia ka dalë të rreshtohet në anën e të dobëtëve, duke iu rikthyer vokacionit të shekujve të parë të ekzistencës së vet; por për fat të keq kjo nuk ka ndodhur gati askurrë në Shqipëri. Kleri shqiptar ka nxjerrë plot martirë të fesë si Gjon Gazulli, por ndoshta askurrë martirë të njerëzve si Romero i Salvadorit. Zoti më ndjeftë, se ndoshta e rëndova dorën pak si shumë mbi kurriz të priftave, kur më shumë se ata, përgjegjësi për këtë harresë ka vargani grotesk që i thonë vetes “zotnit e sotëm të Shkodrës”. Këta, të dalë nga hiçi e të bërë zotnij veç prej lekut a prej karriges, as mund të pritet të duan dikë që u zbulon rrënjët. Midis shkodranëve të kohës së Migjenit dhe shkodranëve të sotëm, ka edhe një brez tjetër, brezi i shkodranëve të kohës së komunizmit. Ai brez është e vështirë të vlerësohet, pasi e deshi se kështu tha Komandanti që, nëse do kish thënë të kundërtën edhe ata ashtu do thoshin. Për këtë faji nuk është i tyri, se kështu bënë të gjithë shqiptarët, ndaj nuk ia vlen të humbim kohë me kohën e ndërmjeme. Për fat, “sikur”-i në krye të këtij shkrimi, nuk mund të ngjasë, pasi ne e patëm Migjenin. E duam a s’e duam, ai është aty për të treguar me gisht pisllëkun e kohëve.

Gazeta "Shqip"

KOMENTE
  • Matilda 11:45 - 02 Shtator 2011
    Eshte nje shkrim shume i mire, kjo eshte e verteta sot shqipria eshte thuajse po njesoj e mjere si ne kohen e migjenit, vecse ka ca lule me teper e ca sharlatane qe elaborojne te kunderten e asaj qe shqipria eshte duke thene qe kemi rritje te madhe ekonomike.....populli i thjeshte vazhdon te vuaj ende ne mungese te ekonomise, dhe kjo eshte e dhimbshme pasi kan kaluar dekada e ne kemi mbetur ende te mjere....Une e adhuroj Migjenin dhe vepren e tij ne te cilen vizatohet pa dorashka realiteti i kohes......